Borxhi, “përkeqësohet” Portugalia

Agjencia e renditjes së kreditimit, Moody`s Investors Service, uli ndjeshëm nivelin e Portugalisë për shkak të borxhit të saj. Niveli i borxhit portugez ndodhet në kategorinë “junk” dhe sipas agjencisë Portugalisë do t’i nevojitet një tjetër hua, përpara se të marrë para nga tregjet financiare sërish.
Megjithatë, vlerësimi i Moody`s është hedhur poshtë nga qeveria portugeze e cila në një deklaratë tha se agjencia në studimin dhe vlerësimin e saj nuk kishte marrë parasysh masat drastike dhe shkurtimet buxhetore të ndërmarra në muajt e fundit nga Lisbona. Edhe në tremujorin e parë të këtij viti, Agjencia Moody`s e uli vlerësimin për borxhin që sundon Portugalinë, duke ia atribuar këtë nevojës për uljen e masës së borxhit dhe perspektivës së dobët për rritje ekonomike.
Agjencia për vlerësimin e kreditit e ndryshoi kategorizimin për Portugalinë nga A1 në A3. Ajo ruajti vlerësim për perspektivën negative, duke sugjeruar se do të mund të ulej më tej vlerësimi për borxhin portugez. Madje kjo situatë bëri që partia kryesore e opozitës në portugali të njoftonte se do t`i kundërvihej planeve të qeverisë për kursime të mëdha.
Kryeministri i vendit ka paralajmëruar se vendi mund të përballet me nevojën e një pakete ndihme nga jashtë. Portugalia vuan nga nivele të larta të borxhit dhe përballet me vështirësi të mëdha për të shmangur një paketë ndërkombëtare si ajo që iu dha Greqisë dhe Irlandës.