E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat kredituan 5.7 miliardë lekë

05/07/2011  BSH rekomandon kredi në lekë, bankat japin 11 milionë euro kredi në maj

Gjallërohet kredia në maj për bizneset dhe individët

Bankat e nivelit të dytë kanë dhënë mbi 5,7 miliardë lekë kredi për bizneset dhe individët në maj të këtij viti. Portofoli i kredisë së sistemit bankar është gjallëruar, sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Kështu, teprica e kredisë arriti në 505.9 miliardë lekë, me një rritje mujore prej 1.1% dhe një rritje vjetore 10.5%. Shtysa kryesore vjen nga kredia për biznesin, që për muajin maj arriti në 332.7 miliardë lekë, me një rritje prej 3.2 miliardë lekësh, ose 0.9% krahasuar me prillin. Segmenti i kredisë për individë tregon sinjale pozitive gjithashtu, me një total prej 153.4 miliardë lekë, që shënon një rritje 900 milionë lekë, ose 0.6% më shumë krahasuar me prillin. Por në të kundërt me rekomandimet e Bankës së Shqipërisë për të shtuar kredidhënien në lekë, përsëri monedha evropiane ka pasur një epërsi sa i përket kredisë së dhënë me afat të gjatë. Statistikat e Bankës së Shqipërisë për muajin maj tregojnë se kreditë afatgjata, të cilat kalojnë 5 vite janë rritur, në masën 11 milionë euro. Kjo shifër është pothuajse sa 2-fishi i kredisë së dhënë në muajin prill. Rritja e kredisë në euro ka ardhur edhe si pasojë e kërkesës së lartë që është shfaqur nga individët për të kaluar pushimet jashtë Shqipërisë, kryesisht në vendet e Bashkimit Evropian.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›