E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati formula për shitjen e makinave të përdorura

05/07/2011  Propozohet heqja e doganës për makinat dhe pagesa vit pas viti te kolaudimet

Formula e re për rishitjen e makinave të përdorura në tregun e brendshëm është drejt përfundimit. Bashkë me paketën e re për ndryshimet në buxhetin 2011, Ministria e Financave ka konkluduar bisedimet me ministritë e tjera të linjës, lidhur me diskutimet për taksën e re të makinave. Grupi i punës mësohet të ketë arritur konsensusin lidhur me nevojën për zëvendësimin e taksës së mëparshme me një taksë tjetër, e cila do të shpërndahet në kohë. Drafti, i cili shumë shpejt do të kalojë në qeveri për miratim dhe më pas në Kuvend parashikon heqjen e doganës, e cila paguhet njëherësh në momentin e futjes së automjetit në territorin shqiptar dhe pagesën e saj të shtrirë në kohë.

Propozimet

Kanë kaluar rreth katër muaj që prej ditës kur u artikulua nevoja e ndryshimit të taksës së rishitjes së automjeteve të përdorura, e cila e ka bllokuar tregun e shitjeve, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 78 milionë lekë të reja vetëm për gjashtë muajt e parë të 2010-ës. Një vit më vonë, në korrik 2011 qeveria do të miratojë draftin ri të taksës, sipas të cilit qytetarët që do të blejnë një makinë të përdorur do ta paguajnë taksën bazuar te formula e re, e cila sërish do të llogarisë numrin e viteve të përdorimit të automjetit dhe cilindratën e tij, por do të paguhet çdo vit gjatë kolaudimit të automjetit dhe jo në momentin e kryerjes së transaksionit të shitjes. Kjo do të thotë se pagesa e automjetit do të jetë në varësi të vjetërsisë së tij, pra sa më i vjetër automjeti aq më e lartë pagesa vjetore. Megjithatë, në këtë mënyrë me shtrirjen ndër vite të taksës, shuma që do të duhet të paguhet për çdo vit do të jetë shumë herë më e ulët se taksa ekzistuese, e cila arrin në raste të veçanta të jetë shumë herë më e lartë se vetë kostoja e automjetit. Pra, qytetari do ta importojë makinën dhe nuk do të paguajë as doganën në momentin e hyrjes, por ajo do të zëvendësohet nga një taksë tjetër, e cila do të paguhet çdo vit, në momentin e kolaudimit të makinës. Pritet që ky ndryshim të sjellë një ulje të çmimeve të automjeteve në tregun e brendshëm, nisur nga një rigjallërim i transaksioneve të rregullta që do të kryhen me shit-blerjen e makinave të përdorura.

Taksat e tjera

Ndryshimi i formulës së taksës që paguhet në doganë dhe taksës për rishitjen e automjeteve brenda vendit mësohet se do të ndryshojë edhe taksa e qarkullimit dhe ajo e regjistrimit të automjeteve. Aktualisht ato paguhen çdo vit, por pas ndryshimit që do të pësojnë mendohet që të mblidhen në mënyrë indirekte përmes rritjes së taksave të karburantit. Qeveria pritet të rrisë me 2 lekë për litër taksat e karburantit, në mënyrë që të bëjë një shpërndarje më të drejtë të taksës, sipas përdorimit që realizojnë kategori të caktuara të qytetarëve. Me formulën e re, taksa që një qytetar do të paguajë për qarkullimin dhe regjistrimin e automjetit do të jetë në varësi të përdorimit dhe pagesës së karburantit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›