Borxhi publik, FMN i kërkon qeverisë që të bëjë kujdes me shpenzimet
Ervin KOÇI
Borxhi publik dhe mosthellimi i tij do të jetë një ndër sfidat kryesore të ekonomisë në muajt e ardhshëm. Fondi Monetar Ndërkombëtar organizoi në lidhje me këtë precedent një seminar në Tiranë me temë “Shqipëria, mbajtja e stabilitetit makroekonomik në një ambient të jashtëm sfidues”. Gjatë këtij seminari Guvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe ministri i Financave Bode kanë trajtuar sfidat për të ardhmen, ku kryefjala e tyre ka qenë pikërisht borxhi publik dhe pasojat që mund të vijnë nga thellimi i tij në ekonomi. Guvernatori Fullani kërkoi me ngulm uljen e shpenzimeve dhe menaxhimin sa më profesional të kostove të borxhit publik. “Natyra e politikave stimuluese sot dhe në të ardhmen duhet të synojë minimizimin e kostove efektive, anësore që kanë shkaktuar politikat ekspansioniste të viteve të fundit. Një vend shumë të rëndësishëm në këtë drejtim zë dhe ulja e borxhit, e cila u krijua gjatë ekspansionit fiskal dhe njëkohësisht e kostos së tij. Duhet synuar mos bërja e borxheve të reja, por edhe ulja e atij të vjetrit”,- tha Guvernatori Fullani. Sipas tij, kriza globale është shoqëruar me efekte, të cilat po i shohim të pasqyruara edhe tek fqinjët tanë, por Shqipëria duhet të shfrytëzojë mundësitë e saj për të mos rënë pre e tyre. Më tej, ai tha sesi rritja e borxhit është një gjë e pritshme dhe kjo duhet që të shmanget, pasi kjo është pjesë e rëndësishme e politikave makroekonomike në vend.
Shpenzimet
Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka thënë se është koha për të marrë masat e nevojshme dhe se prioritet i qeverisë është pikërisht ulja e borxhit publik. "Është koha që të marrim masat e nevojshme për të synuar një ekuilibër të ri makroekonomik me parametra më të përshtatshëm. Ne i kemi të njohur tashmë se problemet që kanë të bëjnë me borxhin publik edhe pse në kuadër e zhvillimeve më të fundit, nuk do nxjerrin Shqipërinë si vendin më problematik do persistojë në të ardhmen si një nga objektivat kryesore rreth të cilës duhet të sillen gjithë ndërhyrjet dhe aksionet makroekonomike në ekonominë shqiptare”, tha Bode. Por sipas tij, rritja e borxhit publik ka qenë e ulët në krahasim me vendet e eurozonës, dhe kjo dëshmon stabilitetin dhe qëndrueshmërinë makroekonomike afatgjatë që ka pasur Shqipëria. "Po të bëhen krahasimet me ekonomitë e vendeve në rajon nuk është koha për të thënë se efektet e krizës globale në ekonominë shqiptare ishin minimale. Nuk është koha për të krahasuar se ne në tre vite kemi rritur borxhin publik veç 5% kur eurozona e ka rritur 22%, të cilat dëshmojnë atë që thamë më parë produktin e një stabiliteti e qëndrueshmërie makroekonomike afatgjatë”- ka thënë Bode.
Zhvlerësimi i lekut
Muajt e fundit, ekonomia shqiptare ka vuajtur dhe nga luhatjet e kursit të këmbimit. Euro dhe dollari e kanë dobësuar ndjeshëm monedhën shqiptare gjatë muajve të fundit dhe luhatjet në kursin e këmbimit kanë shkaktuar kosto shtesë për ekonominë. Guvernatori tha se, këto ndryshime kanë sjellë nevojën e rivlerësimeve të disa parametrave, ku veç zhvlerësimit të lekut, ekonomia ka nevojë edhe për një tjetër korrektim, atë të uljes së çmimeve, kryesisht për pasuritë e paluajtshme, që do të sillte rigjallërimin e shitjeve, të rëna në nivelet minimale. “Aktualisht jemi përballur me korrektimin e kursit të këmbimit. Ky rregullim automatik i sjelljes prodhuese dhe konsumatore ndaj konsumit, kursimeve dhe investimeve ka qenë një proces i domosdoshëm në përputhje me ekuilibrat e rinj. Megjithatë është i pamjaftueshëm. Ai duhet të shoqërohet me korrektime në çmimet e aseteve fikse në përputhje me ekuilibrat e rinj pasurorë”- tha Fullani.
Investimet e huaja
Sipas guvernatorit të BSH-së, Shqipëria duhet të bëhet atraktive për investimet e huaja duke dhënë kontributin e vet në një stabilitet të qëndrueshëm global. “FMN është vigjilent dhe mbështetës i ekonomisë botërore, sidomos i atyre të vogla që po kalojnë sfidën e vendeve në zhvillim”,- tha më pas Fullani, lidhur me rolin që luan FMN-ja në menaxhimin e krizave. E duke folur konkretisht për vendin tonë lidhur me një fakt të tillë, shtoi se stimujt ekonomikë shmangën situatën e krizës ekonomike. “Efektet e krizës vazhdojnë të ushtrojnë ndikimin e tyre në gjithë ekonominë globale. Është e rëndësishme që të nisim të mendojmë dhe të debatojmë për hartimin e politikave që ndihmojnë stabilitetin ekonomik të vendit”,- shtoi Fullani. Lidhur me këtë, shefi i Misionit të FMN-së në Shqipëri, Gerwin Bell, tha se, Shqipëria ka qenë një ndër të paktat vende që i ka rezistuar krizës ekonomike ndërkombëtare dhe sugjeroi ndërmarrjen e politikave eficiente në përmirësimin e deficitit publik.
BOX/////////////////////////////////////
Qeveria “pajtohet” me FMN-në
Pas shumë përplasjesh shpesh herë edhe publike, qeveria duket se është dorëzuar duke u puqur më në fund me mendimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për uljen e borxhit dhe administrimin e financave publike. “Politikëbërësit shqiptar u treguan të afte të ndërmerrnin disa politika kundërciklike dhe Shqipëria ishte një nga ekonomitë e vetme në Europë që u rrit përgjatë krizës. Por sot ne po shohim që ambienti global po shtron sfida të reja. Po shohim që sërish pas krizës në rang global po ridalin disa çrregullime të hershme. Disa vende me deficite të larta korrente para krizës po vazhdojnë të kenë sërish deficite të larta korrente. Të gjitha këto sfida imponojnë ndërhyrje edhe në Shqipëri. Duhet që të ndërmerren disa ribalancime të deficiteve, të mbahet sistemi financiar stabël dhe të ndërhyhet për ristrukturimin e disa sektorëve të ekonomisë”,- u shpreh Gerwin Bell, ish-shefi i misionit të FMN-së në Tiranë. Këto deklarata u bënë gjatë një seminari të organizuar dje në Tiranë nga FMN-ja mbi rreziqet që sjell ambienti i ri i ekonomisë globale në stabilitetin makro-ekonomik të Shqipërisë.
5 Mars 2010