Votohet projektvendimi i PS-së për ndryshimet në ligjin “Për komisionet hetimore”
Pas një debati të ashpër pozitë-opozitë, në përfundim të seancës është miratuar projektvendimi i Partisë Socialiste për ndryshimet në ligjin për funksionimin e komisioneve hetimore. Ky projektvendim do të nisë shqyrtimin në Komisionin Parlamentar të Ligjeve më 8 mars. Ky komision do ta shqyrtojë këtë projektvendim deri më 16 mars dhe më 18 mars do të shqyrtohet në seancë parlamentare bashkë me projektvendimin për ngritjen e komisionit hetimor. Socialistët kërkojnë nëpërmjet këtij projektvendimi që të miratohet në ligj që opozita të ketë shumicën në komisionet hetimore parlamentare dhe mbi bazën e këtyre ndryshimeve më pas të miratohet ngritja e komisionit hetimor për transparencën e procesit zgjedhor. Por pikërisht kjo kërkesa ka nxitur debate mes opozitës dhe maxhorancës për shkak se kjo e fundit kërkonte që të miratohej më parë ngritja e komisionit hetimor mbi bazën e ligjit ekzistues. Ndërkohë që në ligjin aktual për komisionet hetimore parashikohet që maxhoranca ka shumicën dhe jo opozita.
Debati
“Javën e kaluar opozita bëri një hap duke dhënë një kontribut konkret për zgjidhjen e krizës politike që nuk e kemi shkaktuar ne. Dhamë një kontribut duke hedhur një hap nëpërmjet depozitimit të dy nismave ligjore. Në një kohë kur të gjithë ne prisnim që edhe maxhoranca të jepet kontributin e saj, për fat të keq po konstatojmë se po e shpërdoroni atë për të mos thënë se edhe nismën tonë po e shpërfillni duke e anatemuar atë edhe sot. Ju vendosët se megjithëse kemi një emergjencë, projektvendimi që kemi paraqitur ta shqyrtoni në komision pas 2 javësh dhe në seancë pas 3 javësh. Ky është një lajm i keq që kjo maxhorancë i jep opinionit publik duke dashur të zvarrisë zgjidhjen e krizës politike në vend”, - është shprehur Ruçi, duke kërkuar afrimin e shqyrtimit të projektvendimit. Në përgjigje të tij ka ardhur reagimi i kryeministrit Berisha, i cili u shpreh se priste një falënderim nga ana e opozitës, e cila, sipas tij, pasi kërkoi 6 muaj hapjen e kutive, u kujtua se nuk kishte ligj për ta bërë këtë.
“Unë prisja një falënderim për datën 18 mars. Ju keni 6 muaj të ngujuar në kuti duke u thënë shqiptarëve që ‘duam komisionin për të dalë nga kutia’ dhe pas 6 muajsh sillni ligjin për krijimin e këtij komisioni. Ku ishit ju në të vërtetë kur kërkonit komisionin? A ekziston në historinë e botës që të sillet ligji dhe komisioni njëkohësisht?! Disa prej jush janë deputetë që prej ’91-shit dhe e dinë që gjëra të tilla nuk bëhen”, - është shprehur Berisha. Ai i kërkoi opozitës që të mos përdorë gjuhën e forcës për të detyruar PD-në pasi nuk e impresionojnë imponimet. “Një protestuesi natyral të lindur, si Berisha, mos imagjinoni se mund ta impresiononi me protesta. Jua tregoj unë si bëhet protesta. Unë e kam faktuar këtë. Hajde ulemi ta përpunojmë atë ligj dhe ta votojmë”, - është shprehur Berisha. Ndërsa e cilësoi si një lëshim që ndodh për herë të parë në historinë e parlamentarizmit botëror faktin që pakica merr shumicën në një komision hetimor.
“Ka qenë oferta jonë unike në historinë e një parlamenti, unike në historinë e parlamentarizmit të një vendi të lirë që opozitës t’i ofrohet shumica në komisionin hetimor parlamentar. E kemi bërë këtë si një gjest njerëzie dhe mirëkuptimi ndaj opozitës, e cila humbi zgjedhjet dhe për t’i dëshmuar asaj se nuk do të ishte revanshi i fitimtarit ai që do të karakterizonte qëndrimin tonë”, - është shprehur Berisha, ndërsa e ftoi opozitën që të hartojë ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor. Më pas Ruçi u shpreh se nuk mund të bëhen kurrsesi ndryshime në Kodin Zgjedhor pa u bërë më parë transparenca e zgjedhjeve dhe pa u vënë përpara Drejtësisë përgjegjësit e shtrembërimeve të procesit zgjedhor të 28 qershorit.
“Ne kërkojmë të bëhet një transparencë dhe mbi bazën e saj të bëhet ajo që ju trumbetoni, që do të thotë përmirësimi i Kodit Elektoral. Nuk ka përmirësim të Kodit pa parë se ku janë defektet dhe shkeljet dhe, mbi të gjitha, në këtë vend nuk e kanë fajin rregullat e lojës, por njehsimi i pushtetit me shtetin dhe shkelja e rregullave të lojës nga lojtarët. Ne duam të dimë se ku janë bërë këto shkelje dhe kush i ka bërë dhe të vihen para përgjegjësisë përgjegjësit. Së dyti, ajo çka kërkojmë nuk është që të bëjmë vetëm një amendament vetëm për zgjedhjet e 2009-s, por të vendosim standarde si sot që jemi ne në opozitë dhe nesër që do të jeni ju në opozitë”, - është shprehur Ruçi.
Topalli, presion opozitës për të miratuar projektligjin “Për Gjykatën Administrative”
Gjatë gjithë seancës së djeshme parlamentare, kryetarja e Kuvendit ka kërkuar në mënyrë të përsëritur që deputetët e opozitës të votojnë projektligjin “Për Gjykatën Administrative”. Ky draft është hartuar në bashkëpunim me opozitën gjatë legjislaturës së kaluar dhe nuk është miratuar në seancë parlamentare vetëm për shkak se kërkon 84 vota. Por, miratimi i këtij projektligji është një kërkesë e shoqatave të biznesit dhe organizatave ndërkombëtare. Ky projektligj ishte i pari në listën e rendit të ditës në seancën e djeshme, por mungesa e opozitës bëri që të shtyhej edhe njëherë. Ndërsa Topalli e cilësoi këtë si një përpjekje të opozitës për të penguar procesin e integrimit të vendit, duke qenë se miratimi i këtij drafti është kusht i BE-së. Edhe Berisha u bëri thirrje dje deputetëve të PS-ë që ta miratojnë këtë projektligj.
5 Mars 2010