E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, gjendja jonë e zakonshme!



Nga Erald Dushku
Ata janë kërthiza derisa të gjithë duhet të sillen rreth tyre, të vendosur mbi një trup të vdekur. Enver Hoxha, që dikur na tregonte edhe si duhet ngrënë, tashmë ka vdekur. Me të ka vdekur edhe roli i tij i një babai – duke lënë një boshllëk. Por, këtë boshllëk, tash e 20 vjet po mundohen ta mbushin politikanët tanë, në forma dhe rrugë të tjera. Megjithatë, synimi dhe formula mbetet e njëjtë – individi para shtetit. Është ndër vendet e pakta në Europë që Shqipëria është shteti që ka emër dhe mbiemër, që është nga mishi dhe lëkura. Nuk është rritja ekonomike, cilësia e arsimit, integrimi europian që përparon këtë shtet nga mishi, është kriza. Themelet i ndërtuam në krizë, me të cilën vazhdojmë të bashkëjetojmë. Nuk e kam ndër mend ta vjedh ketë citat dhe as disa të tjerë që do t’i lexoni pak më poshtë. Friedrich von Schiller, duke folur për shtetin, thoshte: “E fortë qëndron shtëpia me mure të rregullta, por sa keq që themelet mbi të cilat ne ndërtuam tunden!“. Ajo fije shprese që u ringjall u këput në pragun e Parlamentit, kur deputetët e PS-së hynë, nuk qëndruan - dolën. Tani jemi te tundja, që e përshkruan aq mirë poeti dhe filozofi gjerman, Friedrich von Schiller. Pra kriza e vazhdon. Krizë kjo që nuk do të dalë nga kokat tona. Fjalët “top”, “kavalier”, “kalë i ngordhur” dhe “Ruzhdie”, të shqiptuara nga gjuha e politikanëve, na çuditën të gjithëve dhe sikur paralajmëruan diçka të errët. Tani fjala “krizë” në Shqipëri nuk perceptohet më si diçka e zezë, ngase kemi aq shumë vite që bashkëfrymojmë dhe e kultivojmë atë. Tani ajo po ngadalëson ecjen e lodhshme drejt integrimit në Bashkimin Europian. Përballë kësaj sfide janë ulur dy burra, të përçarë deri në palcë. Derisa ata merren me vetveten, shtetet jo nga mishi, por nga ligji, gëzojnë lirinë e lëvizjes. Në këtë kaos të madh, ku protagonistët janë kulaçi, shpeshherë e pyesim veten: Pse vazhdon kjo krizë? Cilat janë shkaqet që pasi e fituam demokracinë, po përplasemi nga një krizë në një krizë tjetër? Si ata fëmijët që dhe pse kanë arritur moshën nuk mund të ecin pa ndihmë me këmbët e tyre. Pas 20 vjetësh nuk po harrojmë të çlirohemi tërësisht nga e kaluara e hidhur. Nga ajo e kaluar në të cilën kishim një dorë të hekurt mbi kokë. Tani që ky autoritet nuk është më, vendi i tij ka ngelur bosh. Kjo dorë edhe më tutje po shfaqet, ndoshta jo e çeliktë si atëherë, por e modifikuar dhe e përshtatur në kohë. Derisa në grindemi me njëri-tjetrin, shfaqen duar të tjera nga jashtë, të cilat tregojnë se si duhet ngrënë së bashku. Kjo është dora e diplomacisë ndërkombëtare! Shoqëria shqiptare, e shtypur për mendime ndryshe, po vuan për një konsensus politik. Nga e kaluara dhe vuajtjet tona nuk mësuam, ndonëse kemi pas shumë shembuj, madje edhe një anekdotë. Dy vëllezër janë grindur për një portokall. Babai ua preu në mes dhe ia ndau çdo gjysmë secilit vëlla për të zgjidhur problemin. Por kjo nuk ishte zgjidhja më e mirë, ngase njëri vëlla kishte dashur ta merrte lëkurën e portokallit, derisa tjetri lëngun. Babai i çuditur i pyeti se përse nuk folën para se të grindeshin.... Duke u përqendruar te kriza aktuale po na largohet nga vëmendja rëndësia e kohëve në të cilat po jetojmë. Shqipëria është përcaktuar për integrim europian, por në këtë rrugë duhet të merren vendime që nganjëherë mund të jenë edhe vetëvrasje politike. Por, për politikanët vdekja natyrore duket më e mundshme sesa ajo politike, duke harruar interesin e shtetit. E si mund të funksionojnë politikat vendimmarrëse, ligji, zhvillimi ekonomik, luftimi i krimit dhe korrupsionit, pa institucione solide. Është koha që të ndërtojmë institucione të forta e jo individ të fortë. Dhe kjo mund të bëhet edhe duke jetësuar një fjalë tjetër të urtë që thotë “Kush nuk mund të humbë, nuk meriton të fitojë“. Sa më të solide, demokratike dhe transparente ndërtohen këto institucione, aq më i fortë do të jetë besimi i shqiptareve në to. Është koha që politika në vendin tonë të institucionalizohet dhe jo të personalizohet. Krizën e radhës duhet ta marrim si mundësi për të ndryshuar. Në pesimizëm dhe kohë krizash duhet rritur optimizmi për të bërë ndryshimet. Fjalën “krizë” populli kinez e përkufizon në dy fjali: “Vei Ji“, që do të thotë “rrezik dhe shans”. Pra shans për ndryshim....

5 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›