E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meksi: “Qeveria pranon krizën ekonomike, rrit në 20 për qind shpenzimet buxhetore”



Partia Socialiste deklaroi dje se qeveria është detyruar të pranojë më në fund krizën ekonomike. Sipas deputetes Ermelinda Meksi, efektet e krizës ekonomike janë ndjerë që në fillimet e vitit 2009 nga shqiptarët dhe janë evidentuar nga opozita dhe institucionet financiare ndërkombëtare, por ato u pranuan vetëm në muajin janar 2010 nga qeveria, kur iu desh të ngrinte 20% të shpenzimeve në javën e tretë të muajit të parë të vitit 2010.
Duke iu referuar një qeverie që rrit shpenzimet pa mundur të rrisë të ardhurat sipas programit të saj, deputetja Meksi në këtë kontekst qeverisjen e “Berishës” e ka konsideruar të paaftë.
Deklarata
Partia Socialiste ka bërë me përgjegjësi qeverinë dhe kryeministrin që nuk ka dhënë asnjë argument mbi shkaqet e mosrealizimit të të ardhurave buxhetore të 2009-s. “Prej kohësh Partia Socialiste e ka paralajmëruar qeverinë ‘Berisha’ për të parandaluar dhe minimizuar, nëpërmjet politikave të matura financiare–buxhetore, efektet e krizës financiare botërore në ekonominë tonë”, - u shpreh Meksi, duke shtuar “padëgjueshmëria” e qeverisë dhe veçanërisht papërgjegjshmëria e ministrit të Financave përkeqësuan situatën makroekonomike që po kalon vendi duke dhënë efekte të forta në rritjen e çmimeve, zhvlerësimin e monedhës kombëtare, rritjen e papunësisë, thellimin e borxhit publik dhe rritjen e interesave të tij. Meksi u është referuar shifrave zyrtare, ku u shpreh se deficiti buxhetor në 2009-n ishte rreth 160%, ose rreth 30 miliardë lekë (rreth 300 milionë dollarë) më shumë kundrejt buxhetit fillestar të planifikuar nga qeveria ose shtesa e deficitit të krijuar në 2009-n. Sipas saj, shifrat e fryra të eksporteve modeste shqiptare për shkak të bujarisë së motit dhe eksportit të energjisë elektrike nuk mund të mbulojnë të vërtetën e thellimit të deficitit tregtar që reflektohet dhe preket çdo ditë nga qytetarët në kursin e këmbimit të euros ndaj lekut. “Apeli publik për të disatën herë i Partisë Socialiste për më shumë kujdes e maturi në trajtimin e ekonomisë, mori si përgjigje deklarata absurde dhe megalomane për imunitetin e Shqipërisë nga kriza, rritje “dyshifrore” dhe deri “lënie në bisht” të Francës e Gjermanisë. Problemi i glorifikimit të ekonomisë dhe mosmarrja parasysh e impaktit të krizës nuk mbeti vetëm para dhe gjatë fushatës zgjedhore, por edhe në muaj në vijim duke e çuar ekonominë në buzë të greminës”, - tha Meksi.
Papunësia
Gjatë deklaratës, deputetja Meksi është ndalur edhe në një problem tjetër madhor. Ajo u është referuar statistikave, të cilat flasin për një ulje të punësimit. “Në një kohë që plani i famshëm i Ilir Metës dhe premtimet e bujshme të PD-së për mijëra e dhjetëra mijëra vende të reja pune janë bërë tashmë pluhur e hi”, - tha Meksi. Ajo nënvizoi se rritja ekonomike u ngadalësua ndjeshëm dhe përgënjeshtroi kështu dukshëm parashikimet qeveritare. Sipas Meksit, rritja ekonomike në rastin më të mirë rezulton në nivelet e parashikuara nga FMN-ja në prill në nivelet 0.4-1%, kurse të dhënat e tremujorit të fundit të vitit flasin për rënie të ndjeshme të saj nën nivelin zero.

5 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›