E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI, Rama: “Kryesocalisti Rama ta lërë debatin e Ruzhdies, reformat integruese kanë nevojë për bashkëpunim“



Lëvizja Socialiste për Integrim gjykon se politika shqiptare nuk duhet të merret me debate të kota që cenojnë reformat integruese të vendit. Duke iu referuar thembrës së Akilit, kërkesës së opozitës për hapjen e kutive dhe sidomos debatit të fundit për komisionerët e Ruzhdies, sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë në LSI, Luan Rama, i kërkoi dje kreut të PS-së që të mos merret me retorika boshe. Cenimi i reformave integruese të vendit janë refreni i qeverisë sa herë që flitet për bojkot dhe hapje kutish. Sipas Luan Ramës, procesi kompleks i reformave integruese dhe europianizuese të vendit ka nevojë për angazhimin dhe kontributin e të gjithë aktorëve politikë parlamentarë, pra domosdoshmërisht edhe për PS-në dhe rolin e saj si opozitë e votuar.
Deklarata
LSI-ja, çështjen e Ruzhdies për manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit nga komisionerët e PD-së e konsideron një debat të pavend. Pas padisë së ngritur nga përfaqësuesit e PS-së ditë më parë për shkelje të procedurave të votimit, nisën hetimet dhe prokuroria doli në konkluzionin se Bujar Kararaj dhe 4 komisionerët e tjerë që vijuan votimin më 28 qershor janë të dyshuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, falsifikim të rezultatit të zgjedhjeve në bashkëpunim, votim më shumë se një herë në bashkëpunim dhe shkelje të fshehtësisë së votimit në bashkëpunim. “Debati i pavend nën refrenin e Rushdies dhe retorika boshe që e shoqëron atë dëshmojnë edhe njëherë se sa refraktar dhe inkoherent është qëndrimi i lidershipit socialist, i cili është vënë tërësisht nën tutelën e interesave të ngushta të kryetarit josocialist të Partisë Socialiste“, - u shpreh Rama, duke shtuar: “Pasi e transferoi krizën e kryetarit në Partinë Socialiste, po përpiqet ta transferojë atë edhe në institucionet legjitime të vendit“. Ai theksoi se vendi ka nevojë për reforma që përshpejtojnë procesin e integrimit europian, ka nevojë për pjesëmarrje në institucionet politikëbërëse dhe për kontribute që e ndihmojnë dhe jo që e pengojnë procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Gjithashtu, sipas tij, vendi ka nevojë për alternativa konkurruese dhe jo për gjuhë kërcënuese dhe ultimative.
Rekomandimet
Duket qartë se partitë politike, sugjerimet e ndërkombëtarëve i kanë parë sipas interesit të tyre politik. Rekomandimet nga miqtë ndërkombëtarë kanë qenë thjesht sugjerime për t’i ulur palët të bisedojnë dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët për krizën politike. Vetëm nënkryetari i grupit europarlamentar socialist, Hans Svoboda, është shprehur se e sheh të rëndësishëm hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, por mënyra më e mirë për të do të ishte hapja e kutive. “Vendi ka nevojë për opozitë europiane që faktorizohet politikisht, duke mbrojtur interesat e qytetarëve, dhe jo për opozitën e rrugës, që duke sajuar pretekste gjithfarësh, po shfaq papërgjegjshmëri përballë interesave të vendit dhe papjekuri politike përballë rekomandimeve të partnerëve ndërkombëtarë“, - u shpreh sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë në LSI. Rama nënvizoi se LSI-ja po punon për të ofruar kontribute reale në reformat e rëndësishme për të cilat ka nevojë vendi, njëra prej të cilave është pa dyshim edhe reforma zgjedhore.

5 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›