E Shtunë, 31 Tetor 2026

Borxhi publik i Shqiperise do te ulet

Borxhi publik i Shqipërisë pritet të ndryshojë trend duke filluar nga viti 2014. Sipas parashikimeve të bëra nga Ministria e Financave, niveli i borxhit publik do të vijojë të ulet në nivelin e 59% të PBB në vitin 2014.
Këtë parashikim Ministria e Financave e ka bërë në programin ekonomik e fiskal afatmesëm që do të prezantojë pranë Komisionit Europian në kuadrin e bashkëpunimit ekonomik të thelluar me Bashkimin Europian si vend kandidat për anëtarësim. Referuar këtij programi qeveria premton se do të angazhohet ta mbajë borxhin publik poshtë nivelit 60% të PBB dhe ta ulë atë gradualisht.
Në vitin e kaluar borxhi publik shqiptar arriti në nivelin e 58.9% të GDP-së, ndërsa për këtë viti është parashikuar një rritje me 0,7% e tij, por gjithsesi poshtë nivelit 60% të përcaktuar nga BE. Pavarësisht se qeveria garanton një nivel të borxhit total publik nën 60% të PBB-së duke synuar një ulje graduale të këtij niveli borxhi, ajo nuk e konsideron si një rrezik për ekonominë e vendit, duke e krahasuar me vendet e rajonit dhe të eurozonës, ku këto të fundit janë përfshirë nga kriza financiare pikërisht për nivelin e lartë të borxheve.
Dy organizmat financiarë më të lartë ndërkombëtarë, Banka Botërore dhe FMN referuar nivelit të borxhit publik në 58,9% të PBB e kanë konsideruar të lartë, pavarësisht se është poshtë targetit të vendosur nga BE. BB e ka këshilluar qeverinë shqiptare se duhet të tregohet e kujdesshme me borxhin, duke rekomanduar se , rruga e parë do të ishte rritja e të ardhurave përmes eficiencës së mbledhjes së taksave.
Ndryshe nga BB, FMN e ka rekomanduar qeverinë që të rrisë taksën e sheshtë të paktën deri në 12% pasi rritja e saj në këto nivele nuk do ta hiqte Shqipërinë nga renditja e vendit me taksat më të ulëta në rajon. Por qeveria siguron se nuk do të ketë rritje taksash, përkundrazi do të vazhdojë të mbajë politikën e taksave të ulëta duke nxitur më tej uljen e tyre dhe duke rritur eficiencën në grumbullimin e taksave.
Kjo do të arrihet, sipas qeverisë, përmes eliminimit të barrierave burokratike duke dixhitalizuar sistemin e pagimit të tatim-taksave. Qeveria parashikon se të ardhurat për këtë vit do të rriten me 25.7% dhe në 2014-ën me 25.8%.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›