E Diel, 1 Nëntor 2026

Tadiç propozohet si Kryeministër, Nikoliç: Nuk e takoj Hashim Thaçin

Nikoliç e Tadiç dje në takim

Partia Demokratike serbe ka propozuar liderin e saj Boris Tadiç si Kryeministër të ardhshëm të vendit, një sfidë që Tadiç ka pranuar ta marrë përsipër, duke supozuar marrjen e mandatit për formimin e qeverisë së re serbe. Mediat serbe kishin njoftuar më parë se Tadiç mund të ishte kandidatura më e mirë dhe më e mundshme e demokratëve, por në njoftimet paraprake u tha se ai kishte refuzuar të marrte përsipër këtë detyrë. Kreu i Partisë Socialiste, Ivica Daçiç, pranoi se Kryeministri i ri mund të jetë nga radhët e demokratëve. Daçiç, ish-ministri i Brendshëm serb, në mandatin e mëparshëm qeverisës ishte në koalicion me demokratët e Tadiç. Edhe në këtë mandat të ri qeverisës ai pritet ti bashkojë forcat e tij me ato të partisë së Tadiç, pasi nga zgjedhjet e përgjithshme të 6 majit në Serbi nuk doli fitues me shumicë bindëse asnjë nga forcat politike. Dje në Presidencën serbe janë takuar Presidenti i zgjedhur, Tomisllav Nikoliç dhe ish-presidenti Boris Tadiç, për të diskutuar mbi kalimin e kompetencave. Agjencia e lajmeve Tanjug raportoi se Nikoliç kishte mbërritur në Presidencë në këmbë, i shoqëruar nga kreu i partisë së tij SNS, Aleksandar Vuçiç dhe kishte hyrë nga dera kryesore. Ndërsa Tadiç kishte mbërritur me makinën e tij zyrtare dhe ka hyrë në ndërtesë nga hyrjet anësore. Tadiç dhe Nikoliç i janë adresuar publikut të hënën, duke deklaruar se ata kanë rënë dakord se të gjitha institucionet duhet të formohen sa më shpejt dhe se qëllimet e tyre të përbashkëta ishin: një jetë më e mirë për qytetarët, zgjidhja e krizës ekonomike dhe çështjeve të tjera, integrimi në BE, një konsensus mbi Kosovën dhe beteja kundër krimit e korrupsionit. Një ditë më parë, Nikoliç i pyetur nga mediat ruse nëse është i gatshëm për dialog me Prishtinën dhe Kryeministrin e Kosovës, tha se do të diskutojë me përfaqësuesit e Prishtinës, por jo me Hashim Thaçin, sepse është i dyshuar për krime kundër popullit serb.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›