E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosch: Ende i domosdoshëm qëndrimi i OSBE në Shqipëri

“OSBE ende e domosdoshme në Shqipëri. Vendi ka shumë për të bërë”. 

Pirro Nase / Aristir Lumezi

Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, ka shprehur publikisht mendimin e tij rreth debatit të fundit politik rreth mandatit të këtij misioni dhe kufizimin e tij në dy reformat kryesore. Gjatë një takimi që zhvilloi në Gjirokastër me drejtues të pushtetit vendor dhe shoqërinë civile, ambasadori i është përgjigjur dhe interesimit të gazetarëve rreth debatit më të fundit për të ardhmen e këtij misioni. Ambasadori u shpreh se OSBE-ja duhet të qëndrojë në Shqipëri. “OSBE duhet të qëndrojë në Shqipëri, vendi është ende në fazën e tranzicionit dhe ka ende shumë për të bërë”, u shpreh Bosch. Në lidhje me çështjen e mandatit të ardhshëm të këtij organizmi në Shqipëri,
Bosch është shprehur se çështja e mandatit nuk është kompetencë e tij. “Kryesuesja e radhës së OSBE-së, Finlanda dhe autoritetet qendrore të këtij organizmi, janë kompetente për marrjen e një vendimi të tillë. Qeveria shqiptare duhet të thotë fjalën e vet nëse OSBE duhet të qëndrojë këtu apo jo”, u shpreh ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë. I pyetur rreth letërkëmbimit të ministrit të Jashtëm shqiptar, Lulëzim Basha me kryetarin e radhës së OSBE-së, ministrin e Jashtëm finlandez Stubb, Bosch e ka përshëndetur një veprim të tillë dhe vlerësimin e ministrit të Jashtëm shqiptar rreth fokusimit të misionit në dy reformat e mëdha të vendit. “E vlerësoj mjaft ftesën e zotit Basha, sepse është një shenjë e qartë që qeveria shqiptare ka besim tek misioni ynë për asistimin e reformës zgjedhore dhe asaj të drejtësisë”, u shpreh Bosch.
Reformat
Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, shprehet optimist për Reformën Zgjedhore në Shqipëri. Sipas tij, vullneti i shfaqur nga politika garanton përfundimin në kohë të kësaj reforme. “Jam optimist se Reforma Zgjedhore do të arrihet brenda këtij viti. Klasa politike në vend është mjaft e interesuar që zgjedhjet e ardhshme të jenë të një niveli pozitiv dhe kjo është pika kyçe që reforma zgjedhore do të bëhet brenda këtij viti, pavarësisht vonesave të konstatuara. Megjithëse ishte parashikuar që kjo reformë të përfundonte brenda sesionit të legjislaturës që përfundoi, ka kohë të mjaftueshme deri në dhjetor që ajo të punohet nga palët e interesuara në Kuvendin e Shqipërisë”, u shpreh ambasadori Bosch.
Debati
Lajmi i një kufizimi të mundshëm të mandatit të OSBE-së në Shqipëri, pikërisht para zgjedhjeve të përgjithshme të 2009-ës, u dha nga një diplomat i lartë amerikan, duke shprehur në të njëjtën kohë se një veprim i tillë do të sjellë probleme të mëdha. Krerët e maxhorancës e mohuan faktin se ka një përpjekje për kufizim të mandatit të këtij misioni. Madje, Kryeministri Berisha, duke akuzuar opozitën se një lajm i tillë është fabrikim i saj, pas humbjes së Kasharit, u shpreh se ishte dakord që OSBE-ja dhe organizma të tjerë monitorues të zgjedhjeve të shtonin vëzhguesit e tyre në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme që do zhvillohen në vitin 2009. OSBE ka qenë mjaft aktive që prej instalimit të saj në vitin 2002 në Shqipëri, sidomos në proceset zgjedhore, por dhe në hartimin e dokumenteve të tilla si Kodi Zgjedhor dhe infrastruktura e saj.     

Basha: Mandati, vetëm për Reformën Zgjedhore dhe Drejtësinë

Shqipëria ka kërkuar fokusimin e mandatit të ri të OSBE-së vetëm në dy reformat kryesore, atë zgjedhore dhe reformën në drejtësi. Kjo kërkesë është shprehur qartë në letrën që ministri i Jashtëm shqiptar, Lulëzim Basha, i ka dërguar kryetarit të radhës së OSBE-së, Alexander Stubb, njëkohësisht dhe ministër i Punëve të Jashtme të Finlandës. Në letrën e tij, ministri Basha duke prezantuar para zyrtarit më të lartë të misionit të OSBE-së arritjet në fushën e demokracisë dhe stabilitetit politik, por dhe të standardeve, kërkon rishikimin e mandatit të OSBE-së në Tiranë dhe fokusonim e tij në çështjet themelore për proceset integruese të vendit, siç janë dy reformat e mëdha që do t’i japin vendit dhe certifikatën integruese. “Ne do të mirëprisnim bashkëpunimin Tuaj për të fokusuar mandatin e ri të Pranisë së OSBE-së në Shqipëri në dy çështje themelore: Reformën në Drejtësi dhe Reformën Zgjedhore, me një afat kohor të përcaktuar qartë”, shprehet ministri Basha në letrën e tij. Në përgjigjen e tij, finlandezi Stubb shprehet se roli i këtij misioni në Shqipëri është afatgjatë. Sipas tij, “OSBE-ja mbetet e gatshme të vazhdojë këtë punë në dobi të popullit shqiptar”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›