Tirana Rocks, e ardhmja e Tiranës
Ariela KUSHI
Zona te diga, zona te pishinat, zona te Kompleksi Dinamo, zona te Kopshti Botanik, zona te Liqeni... Këto janë disa nga emërtimet, adresat informale që qytetarët e Tiranës i kanë vënë territorit ku u zhvillua konkursi ndërkombëtar i radhës, që më shumë se të tjerët po përflitet. Për fat të keq jo nga profesionistët, por nga politika e ditës. E cila sa herë ka kërkuar t’u tregojë arkitektëve ç’duhet të bëjnë, aq herë ka lënë vulën e paaftësisë së saj për ta kuptuar arkitekturën si promotore të zhvillimit dhe arkitektin si udhërrëfyes shtigjesh të paparashikuara. Le të flasim për arkitekturë, jo për politikë. Le të flasim për befasitë e talentit të Winy Maas, jo për injorancën befasuese të komenteve politike.
Talenti i madh holandez që gjithnjë çudit me brilancën e shikimit të tij në të ardhmen, e ka titulluar propozimin e tij “Tirana Rocks”, “Gurët e Tiranës”. Pika e tij e fortë është jo thjesht ruajtja e padiskutueshme e elementëve specifikë e identifikues të zonës, por harmonizimi i ambicies së natyrshme private për zhvillimin e pronës me interesin publik për një hapësirë të re komunitare të cilësisë evropiane. Kjo zonë përbën një nga potencialet më të mëdha të kryeqytetit të së nesërmes. Afërsia e saj me qendrën e qytetit, po njëkohësisht qenia e saj në kufirin e Parkut të Liqenit, e bën atë zonën ideale ku mund të lindë një pol i ri dhe i pari në radhë për Tiranën policentrike që kemi nevojë. Kopshti botanik, zoologjik, vetë liqeni, terrenet sportive, pishinat, afria me korpusin universitar, krijojnë një bazament solid për ta hamendësuar fillin e transformimit të kësaj zone. E cila deri sot qe fshehur pas një perdeje pluhuri e harrese, që dora e Winy Maas e rrëzoi përtokë, duke na zhveshur përpara syve një pamje spektakolare që lind dëshirën e madhe për ta jetuar nesër në realitetin e asaj zone.
Projekti i Maas arrin të identifikojë dhe të përvetësojë mundësitë që territori jep duke rikrijuar gjithçka përmes një bashkërendimi thuajse unik midis liqenit, pyllit, sportit dhe jetës intensive urbane. Jeta urbane e Tiranës që gjendet sot te Blloku me njerëzinë e energjinë që gëlon në rrugët e tij, merr në “Gurët e Tiranës” një përmasë të shumëfishuar. Lartësia e “gurëve” të propozuar është në një harmoni thuajse perfekte me sipërfaqet e gjelbërta që dendësohen dhe integrohen me njëra-tjetrën, duke u kthyer nga parcela të vdekura në një qilim për t’u shkelur nga kryeqytetasit e të gjitha moshave. Termi betonizim në këtë rast është fyerje për kulturën më minimale të shikimit të një projekti urban. Betonizimi është disa qindra metra më tutje, në blloqet pa shije e ajër të ngritura mbi kodrat e Selitës. Blloku i Winy Maas sfidon kurajën tonë për t’u ndarë nga modeli i jetës urbane që zhvillohet në blloqet fqinje, deri te Komuna e Parisit, ku gjejmë sot të materializuar kulturën e prapambetur të planifikimit të viteve ’90. Arkitekti holandez e refuzon qëndrimin e ulët duke mbjellë të gjithë sipërfaqen me ndërtesa “xhentile” dhe tërhiqet fuqishëm përpara nevojës për gjelbërim e ajër, duke u ngritur në lartësi me guximin e talentit që t’i bën gjërat fare të thjeshta. Kështu “Tirana Rocks” lind mes digës dhe një pylli të ri me pishina e terrene sportive. Një ‘waterfront’ për një kryeqytet është një nga ato gjëra që brezat do ta trashëgojnë me dëshirë nga kjo epokë e ngatërruar zhvillimesh të egra urbane.
Diga bëhet holli i zonës, ndërsa tarracat e “gurëve” të lartë dyzim i Belvedere-s dhe sfond i plazhit urban dhe i vetë liqenit. Skenografi ideale për teatrin mesdhetar të xhiros e të shijimit në mjedise të populluara me njerëz të pasditeve të ngrohta dhe freskisë së mbrëmjes pranë ujit. Pishinat e vjetra rilindin të rrethuara nga gjelbërimi dhe shëtitoret këmbësore tematike. Territori aktual i Kompleksit Dinamo transformohet në një “shëtitore sportive”, ku gjatë udhës has fushat e tenisit, basketbollit, futbollit dhe pistën gjarpëruese të vrapimit. Bien muret e vjetër të organizimit të dikurshëm dhe arena sportive bëhet pjesë e jetës së qytetit, natyra gërshetohet me “gurët” e lartë brenda të cilëve lëviz jeta gjatë 24 orëve, kryeqytetasve u lind mundësia të përjetojnë orë e pamje që ngjanin të pamundura për Tiranën.
Paralelopipedët e “gurtë” rrotullohen për të krijuar këndvështrime të reja, rrëzohen për të krijuar sipërfaqe të përshtatshme shërbimesh, hipin mbi njëri-tjetrin për t’u “zgjatur” e parë ç’ndodh nga ana tjetër e digës, puqen për të krijuar lidhje të shpejta funksionale midis zyrave, “mbështeten” duke u transformuar në gradonata kinemaje apo “thyhen” për të marrë një dimension më të reduktuar, duke u transformuar në shkollë ose kopsht. Pjesët rezidenciale pësojnë transformime dytësore, katet “rrëshqasin” duke “pjellë” lozha apo veranda, pasurohen me baso-relieve apo alto-relieve volumesh për të siguruar pamjen më të mirë të mundshme nga çdo anë. Duke cituar arkitektin Winy Maas, ato pësojnë mutacion, pasi kjo zonë duhet të përshtatet për lloje të ndryshme familjesh, shtresash, moshash.
Blu begonje (JACARANDA), quhet pema dominuese e propozuar nga Winy Maas për të intensifikuar gjelbërimin dhe aromatizuar ecjen nëpër këtë realitet të ri urban.
Nëse analiza dhe propozimi i studios do të ishte thjesht përshtatja më e mirë e programit në territor dhe raporti më logjik për të krijuar një aglomerat urban në një park metropolitan, rezultati do të ishte vetëm një lagje e mirë me objekte të larta. Variante të tilla ishin të paraqitura në konkurs, por elementi që e bën idenë e Winy Maas absolutisht befasuese dhe me të drejtë fituese është krijimi i një poli të ri gravitacional. Jo vetëm për qytetin e Tiranës, por për Shqipërinë e për rajonin.
Trajtimi i kësaj zone prioritare si një zonë që do të shënojë një kthesë në mënyrën e të menduarit të të konceptuarit të projektit urban dhe arkitektonik fillimisht dhe më pas dhe të vetë jetesës së qytetarëve, është risia që Winy Maas na solli dhe që të gjithë së bashku duhet ta duartrokasim. Tirana Rocks, ndonëse i referohet në kuptimin e parë ndërtesave të gurta të Tiranës, ka edhe kuptimin e jehonës së rock’and roll-it në një projekt që revolucionarizon rrënjësisht pikëpamjet dhe shijet e të jetuarit së bashku në këtë vend. Dualizmi i emrit është absolutisht domethënës! TIRANA ROCKS!
*Urbaniste