E Shtunë, 31 Tetor 2026

Z. Kryetar i Bashkisë, 2000 të rinj të Tiranës…

Romeo Hanxhari 

I nderuar zoti Kryetar i  Bashkisë! Ndoshta nuk është momenti më i përshtatshëm “politik” për t’ju shkruar publikisht për një  temë që ka të bëjë me politikat tuaja urbane. …Por në fund të fundit, kur mund të jetë një i tillë?! Ndoshta asnjëherë. Prandaj, meqë unë ju njoh si Kryetar të Bashkisë sime, pikërisht në këtë cilësi do të doja ta lexonit këtë letër. I vetmi qëllim imi është të loboj publikisht me ju për një ide të 2.000 të rinjve, të cilët me një projekt konkret kanë depozituar firmat pranë administratës suaj rreth 6 javë më parë.I nderuar Kryetar, sot në botë po flitet (dhe po veprohet) se si ta ulim varësinë tonë nga nafta, sot po flitet (dhe po veprohet) se si të kemi qytete të shëndetshëm, flitet (e veprohet) në fund të fundit se si të kemi qytet për qytetarët. Kjo e fundit do të thotë pikërisht që të kemi një qytet me dimensione njerëzore, ku njerëzit të ndihen pjesë dhe jo tepricë, të ndihen qendër dhe jo periferi, zgjidhje dhe jo problem. Një qytet pra, ku njerëzit të jetojnë harmonikisht me elementët e tjerë urbanë, ose më mirë, ku elementët e tjerë urbanë të krijohen harmonikisht me njerëzit. …Sepse më në fund të gjithë po kujtohemi se çfarë ka ndodhur në origjinë të “qytetit”: pra që pikërisht “njerëzit” e kanë krijuar “qytetin”, dhe absolutisht jo e kundërta, dhe për rrjedhim është qyteti që duhet t’u adoptohet njerëzve të vet dhe absolutisht jo e kundërta.
Marr me mend që ju këto i dini, marr me mend edhe që ndoshta ju do të donit që të ishte kështu. Për qytetin tonë, flas. Veçse, i nderuar z. Kryetar, vështirë se realiteti në Tiranë i përgjigjet këtij vizioni, të paktën për problemin që po ju ngre unë, në emër të atyre 2.000 të rinjve që kanë iniciuar me firmat e tyre këtë ide. …Dhe, do isha vetëm pjesërisht dakord me ju nëse do thoshit se “kemi prioritete të tjera”. Kjo sepse, ju siguroj që për të zbatuar projektin që kërkojnë këta të rinj, nuk është e nevojshme të anashkaloni prioritetet e tjera. I keni (dhe i keni patur deri tani) të gjitha mundësitë që njëkohësisht duke zgjidhur prioritetet e tjera, të zgjidhni paralelisht dhe në mënyrë fare të thjeshtë e pa kosto edhe këtë. Çfarë po kërkojnë ata të rinj? Ata po kërkojnë që të kenë korsi të ngushta biçikletash në disa rrugë të Tiranës, duke filluar së pari me rrugët buzë Lanës. Konkretisht për rrugët e reja. Para 5 javësh ju përuruat punimet e rrugës buzë Lanës tek Materniteti i Ri …dhe aty as kishte fare asnjë lloj projekti për korsi biçikletash. Para 4 javësh ju inspektuat punimet në unazën e vogël te 9-katëshet …dhe as aty nuk kishte asnjë korsi për biçikleta. Pra, z. Kryetar, në të vjetrat jo e jo, por edhe në asnjë rrugë që po bëni të re, ju si Bashki për fat të keq nuk po planifikoni asnjë korsi biçikletash. Dhe do mjaftonte jo më shumë sesa 1 metër gjerësi që ju mund t’ia merrnit rrugës apo trotuarit, dhe në këtë mënyrë do ta kishit renditur Tiranën në qytetet bashkëkohore. Po, bashkëkohore. Sepse, z. Kryetar, Tiranën nuk e bëjnë “moderne” as asfalti i ri i rrugëve të makinave dhe as pallatet e larta. Fatkeqësisht jo. Rrugët për makina qytetet e tjera i kanë bërë me kohë e me vakt, ndërsa tani ato qytete po u kthehen të bëjnë rrugët për këmbësorët apo për biçiklistët. Tirana ka shansin që të dyja këto tendenca t’i bëjë në të njëjtën kohë. Pra, jo thjesht “hapësirat për makinat e qytetarëve”, por sidomos “hapësirat për qytetarët pa makina”, ky është moderniteti i qytetit sot: t’u afrohet njerëzve dhe jo makinave.
Për t’u kthyer tek tema jonë, nëse do të thoshit se ju keni përuruar para disa javëve unazën e vogël te Banka, ku u tha se “për herë të parë në këtë qytet ka edhe korsi për biçikleta”, më vjen keq t’ju them me plot gojën që juve ju kanë gënjyer z. Kryetar. Dikush është kujtuar ndonjë ditë para inaugurimit të rrugës që të vizatojë një biçikletë mbi rrugë dhe t’jua quajë “korsi biçikletash”, por ajo është vetëm publicitet, asgjë më shumë. Sepse, ekspertët tuaj ishte dashur ta dinë, dhe unë po jua them juve nëse nuk e dini: nuk mund të kenë të njëjtën korsi edhe “autobusi” edhe “biçikleta”, sepse autobusi në korsinë e vet duhet të ecë shpejt dhe pa pengesa, pa u kujdesur se mos vë përposhtë ndonjë biçiklist të gjorë, ndërsa biçiklisti (fëmijë, grua, apo i moshuar) i gjorë në korsinë e vet duhet të ecë i qetë dhe i sigurt, pa qenë nevoja ta mbajë kokën prapa se mos e vë përposhtë ndonjë autobus. Kjo është e thjeshtë. Ju siguroj se në asnjë qytet të botës nuk do të gjeni një “gjetje” të tillë të çuditshme të ekspertëve. Dhe në atë rrugë që ju përuruat kishte mjaftueshëm vend edhe për një korsi të vogël biçikletash. Mjaftonte një vullnet nga lart, dhe mjaftonte që dikujt nga ekspertët tuaj t’i shkonte mendja më parë, ose të dëgjonte propozimet që vinin “nga baza”. Prandaj ju them që ajo që ekspertët tuaj kanë bërë tek unaza e vogël, nuk është aspak serioze. Jua them këtë që ta dini, dhe mos të lejoni që një gjë e tillë të përsëritet në ndonjë segment tjetër rrugor. Të paktën pra të mos përsërisin show-n.
Po cilën zgjidhje propozojnë ata 2000 të rinj që kanë firmosur projekt-idenë që ju ka ardhur në Bashki shumë javë më parë? Ata propozojnë që të rezervohet një hapësirë nga 1 m për çdo anë, midis trotuarit dhe brezit të gjelbër përgjatë gjithë aksit të Lanës. Kjo ndërhyrje nuk kërkon investime të mëdha, por ama i jep Tiranës një aks të plotë Lindje-Perëndim për përdoruesit e biçikletave. Dhe ky projekt mund të fillojë fare lehtësisht tek pjesa që ju po ndërtoni pikërisht tani me paratë e taksapaguesve të Tiranës, pikërisht buzë Lanës, te Materniteti i ri. Në takimin që këta të rinj patën me Komisionin për Shëndetin dhe Mjedisin të Këshillit Bashkiak të qytetit të tyre, morën përkrahje entuziaste për këtë iniciativë, dhe morën premtimin për lobim institucional. Edhe në takimin e tyre me një bashkëpunëtoren tuaj shumë të ngushtë në administratën e Bashkisë, përkrahja me fjalë nuk mungoi. …Veçse, nga e thëna në të bërë qenka në mes një harresë e tërë.
Zoti Kryetar, këta të rinj u koordinuan me shumë dëshirë të mirë nga shkruesi i kësaj letre dhe nga aktivisti i shquar Ardian Klosi. Idesë të rinjtë iu bashkuan me entuziazëm, dhe kanë vendosur që mos ta lënë këtë ëndërr të tyre të shkojë në të zbrazët. Kanë krijuar “Rrjetin e të rinjve për qytet me biçikleta” me shumë më shumë anëtarë se ç’kanë firmosur. Mund të keni rast shpejt të shihni se sa shumë janë. Do të organizojnë ndoshta edhe manifestime në shtator. Ju pra, keni shansin që t’i bëni ata që tani “partnerë”, pra pjesë të politikave tuaja urbane. Konkretisht duke ndikuar të modifikohen fare pak projektet teknike të rrugëve, të cilat ju po i ndërtoni aktualisht. Do të ishte shumë e thjeshtë për ju, por do të fitonit në sytë e këtyre të rinjve …dhe të qytetit.
Zoti Kryetar, po e mbyll duke ju kujtuar se prej ndoca kohësh Bashkia ka filluar të nisë ca emaile automatike për të reklamuar punën e saj. E, para 1 jave unë mora një email të tillë, ku ju personalisht, duke i kthyer përgjigje një qytetari që ankohej, tregonit se si i merrnit shumë seriozisht të gjitha rekomandimet e publikut. Ndoshta është kështu. …Por, po rekomandimi i këtyre 2.000 të rinjve z. Kryetar, vallë a nuk është një rast shumë më i rëndësishëm për të treguar se kjo që ju propagandoni është reale dhe jo show? A nuk është rast ideal për t’iu përgjigjur njëkohësisht kaq shumë qytetarëve të qytetit tuaj? Unë mendoj se po. Dhe ata të rinj nuk propozojnë diçka të parealizueshme, as nuk ankohen për askënd. Thjesht propozojnë diçka konkrete dhe lehtësisht të bëshme. Është shumë e lehtë që ju të bindeni për këtë. Dhe pasi të bindeni, nuk është nevoja të shkruani emaile, …veç ndikoni që ëndrra e tyre të fillojë menjëherë të sendërzohet.
Me respekt, firma e 2001-të e projektit për një qytet me biçikleta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›