Bosch: OSBE-ja do të mbështesë reformën zgjedhore dhe në drejtësi
OSBE-ja garanton mbështetje në reformimin e sistemit të drejtësisë, sistemit zgjedhor, institucioneve të pavarura kushtetuese, si dhe për ruajtjen dhe konsolidimin e lirisë dhe pavarësisë së medias. Këtë siguri ia dha dje Presidentit të Republikës, Bamir Topi, kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadori Robert Bosh gjatë takimit të djeshëm në Pallatin e Brigadave. Mësohet se tema e takimit mes Topit dhe Bosch-it kishte të bënte me situatën politike në vend, si dhe realizimin në kohë të reformës zgjedhore. Kurse, sipas njoftimit zyrtar të Presidentit, bëhet e ditur se diplomati perëndimor vlerësoi rolin moderator dhe pozitiv të Presidentit Topi në garantimin e Kushtetutës dhe respektimit të ligjit. Z.Bosch siguroi kreun e shtetit shqiptar mbi vazhdimësinë e palëkundur të ndihmesës së OSBE-së për demokracinë shqiptare në drejtim të reformimit të sistemit të drejtësisë, të sistemit zgjedhor dhe institucioneve të pavarura kushtetuese, si dhe për ruajtjen dhe konsolidimin e lirisë dhe pavarësisë së medias. Nga ana e tij, Presidenti Topi i shprehu mirënjohjen ambasadorit Bosch për ndihmesën e vazhdueshme dhe rolin e vyer të OSBE-së, duke nënvizuar kontributin e saj real për forcimin e demokracisë në vendin tonë dhe të institucioneve të pavarura kushtetuese, në konsolidimin e shtetit ligjor, arritjes së standardeve dhe përmbushjen e aspiratave integruese të Shqipërisë në strukturat euro-atlantike. Po dje, Presidenti Bamir Topi u takua edhe me ambasadorët e rinj të Danimarkës dhe Holandës, ku u fol për përmbushjen e misioneve diplomatike dhe mbështetja që vendet e tyre respektive japin për proceset integruese të Shqipërisë. Ambasadori i ri i Danimarkës, Karsten Ankjaer Jensen, informoi kreun e shtetit se Protokolli i Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO do të ratifikohet me procedurë të shpejtë nga pala daneze. Kurse me ambasadorin e ri të Holandës në vendin tonë, Kornelis Van den Dol, Presidenti Topi vlerësoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve të miqësisë dhe të bashkëpunimit që karakterizon dy vendet tona, duke shprehur besimin në thellimin e mëtejshëm të tyre. Edhe në këtë takim, Presidenti i Republikës theksoi rëndësinë që ka për Shqipërinë integrimi në strukturat e Bashkimit Evropian dhe në NATO, duke vënë në dukje angazhimin tonë për realizimin e reformave më thelbësore në vend. Gjatë bashkëbisedimit me ambasadorin holandez, Presidenti Topi shprehu mirënjohjen për kontributin dhe përkrahjen e Holandës në marrjen e ftesës për anëtarësim të Shqipërisë për në NATO, si dhe besimin në ratifikimin e shpejtë të Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nga pala holandeze.