E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtatë orë në Prokurori, Mediu jep llogari për urdhrat



Prokuroria, seancë rekord me ish-ministrin e Mbrojtjes

Avokatët: Çështja është shumë e ndërlikuar

Ish-ministri i Mbrojtjes ka drekuar dje në Prokurorinë e Përgjithshme, çka duket se ka qenë edhe e vetmja kohë pushimi në një seancë 7-orëshe marrjesh në pyetje. Prokuroria e Përgjithshme dhe grupi hetimor i ngritur për të zbardhur tragjedinë e Gërdecit, kanë pasur dje në zyrë të hetuarin më të rëndësishëm të dosjes, i cili sipas burimeve nga ky institucion, u është përgjigjur pyetjeve rreth 4 urdhrave të lëshuar në kohën kur ishte ministër. Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka këmbëngulur sipas avokatëve të tij, se është i pafajshëm dhe nuk ka bërë asnjë lloj shkeljeje lidhur me ngjarjen e Gërdecit. Ndërkohë, akuza pretendon se ndër të tjera, edhe urdhëresat e Mediut kanë ndikuar në tragjedi, ndërsa akuzojnë ministrin se ka shkelur disa rregulla themelore të trajtimit të armatimit dhe ka toleruar shkelje të tjera, duke favorizuar kompaninë “Alba-Demil”, drejtuesit e së cilës akuzohen si përgjegjës për tragjedinë.

Seanca e pyetjeve

Në orën 10:00 të paradites, i shoqëruar nga dy avokatët e tij, ish-kryeprokurorin e fillim viteve ‘90, Petrit Seranin, dhe këshilltarin e tij ligjor, Ardian Visha, Mediu ka zbritur nga një “Mercedes” fuoristradë tip “ML”, dhe me sa duket, për të shmangur praninë e shumtë të gazetarëve në hyrje, është futur nga ana e pasme e organit të akuzës, nga ku ka dalë vetëm pas shtatë orësh, rreth orës 17:00 të pasdites, e sipas disa burimeve konfidenciale të gazetës, mësohet se ka drekuar brenda institucionit të Prokurorisë.

Megjithatë, në dalje Mediu ka evituar çdo ballafaqim me median, duke lënë avokatët e tij të prononcohen rreth takimit me prokurorët. Kështu, avokati Visha ka thënë se “Mediu po merret si person nën hetim, por që qëndrimi i tij është se nuk ka asnjë shkelje, por që kjo do të vërtetohet gjatë hetimeve”. Ndërsa i pyetur nga gazetarët se përse seanca e pyetjeve zgjati aq shumë, Visha u përgjigj se “çështja në fjalë është shumë e komplikuar dhe kërkon vëmendje”.

Po kështu, vlen për t’u përmendur fakti se Mediu doli nga Prokuroria pas prokurorëve të çështjes, Sokol Stojanit dhe Zamir Shtyllës, dhe gjithashtu pas kryeprokurores Rama, e cila u largua nga PP-ja rreth një orë para se të dilte Mediu.

Prokuroria

Ish-ministri i Mbrojtjes u mor në pyetje në katin e katërt të godinës, nga një ekip prokurorësh lidhur me hetimet që po zhvillohen për zbardhjen e ngjarjes së rëndë të 15 marsit në fshatin Gërdec. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme pohuan gjatë ditës së djeshme se “ne po hetojmë z.Mediu për ngjarjen tragjike, ku si pasojë e një shpërthimi në punishten e demontimit të municioneve, humbën jetën 26 persona dhe mbetën të plagosur 300 të tjerë, ndërsa u regjistruan dëme në vlerë rreth 18 milionë euro”. Gjatë seancës së pyetjeve Prokuroria i ka mëshuar më shumë sqarimit të katër urdhrave të cilët dyshohet se lidhin ish-ministrin me tragjedinë e Gërdecit. Sipas Prokurorisë, kjo e fundit ka kërkuar të marrë në pyetje ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, në cilësinë e personit nën hetim për ngjarjen e Gërdecit. Prokuroria, sipas kreut të akuzës, Ina Rama, ka prova që sjellin dyshimin e besueshëm që Mediu është përfshirë në ngjarjen me pasoja të rënda. Nën hetim për këtë ngjarje janë marrë nga Prokuroria dhe disa persona, mes tyre drejtues të subjekteve që kishin nën administrim punishten e demontimit në Gërdec.

Shtyrja e thirrjes së parë për të deponuar

Data e parë e marrjes në pyetje për ish-ministrin Mediu ishte planifikuar për t'u realizuar në datën 21 gusht dhe afati maksimal ishte 26 gushti, në zyrat e kësaj prokurorie. Por Mediu, përmes njerëzve të tij lajmëroi se nuk gjendej në Shqipëri dhe se kishte shkuar në SHBA. Në të vërtetë, Mediu ishte larguar për në Shtetet e Bashkuara pikërisht dje, kurse ai mund të paraqitej në Prokurorinë e Përgjithshme dhe gjatë ditëve pararendëse deri në të sotmen kur ishte afati i fundit i letër-thirrjes.

Kërkesa për heqjen e imunitetit

Prokuroria e Përgjithshme publikoi më 25 prill të këtij viti një raport të detajuar mbi rezultatin e hetimeve mbi tragjedinë e Gërdecit më 15 mars 2008. Sipas prokurores së përgjithshme, Ina Rama, hetimi ka nxjerrë se tragjedia erdhi nga veprime dhe mosveprime të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, të kryera me qëllim që të përfitohet financiarisht nga ana e dy kompanive të demontimit të municioneve. Titullarja Ina Rama tha se ka përjashtuar si pistë shpërthimin e qëllimshëm, duke vendosur si pistë hetimore të vetme shpërthimin pas shkeljeve të rregullave ligjore. Rama do të shpërehej në atë kohë se “kemi të dhëna të bazuara se z.Fatmir Mediu ka kryer veprime dhe mosveprime që kanë ardhur në kundërshtim me ligjin, në lidhje të drejtpërdrejtë me ngjarjen e Gërdecit dhe konkretisht, shkelje të rregullave që lidhen me demontimin dhe kushtet e demontimit të municioneve”.

Reagimi i Mediut për imunitetin

Rreth heqjes së imunitetit, ish-ministri i Mbrojtjes do të akuzonte Prokurorinë e Përgjithshme se po kryen “hetim të njëanshëm dhe tendencioz si nga mënyra e veprimeve dhe qëndrimeve publike, ashtu dhe nga thelbi i kërkesës”. “Tendencioziteti duket edhe në përfundimet e hetimeve të deritanishme, sipas të cilave, Forcat e Armatosura, drejtuesit përkatës të tyre kanë qenë njëkohësisht të përjashtuar nga procesi apo të urdhëruar, duke krijuar kështu një paradoks logjik në të gjithë përmbajtjen e kërkesës”, - deklaroi deputeti republikan. Sipas Mediut, “në analizën përfundimtare të shkakut të shpërthimit, prokurorja e përgjithshme, Ina Rama, vlerësoi se ngjarja ka ndodhur për shkak të moszbatimit të rregullave të sigurisë gjatë demontimit, por ajo duhet të shpjegonte se cili veprim apo mosveprim konkret dhe me dashje i ministrit të Mbrojtjes dhe cili akt i firmosur prej tij ka ulur nivelin e sigurisë në këtë proces”.

Disa nga shkeljet që i atribuohen ish-ministrit Mediu

Lejimi i nënshkrimit të kontratave me 2 firma të palicencuara për procesin e demontimit me shkelje të akteve ligjore.

Përzgjedhja e gabuar e vendit të demontimit, duke rrezikuar jetën e personave që punonin dhe banonin në Gërdec dhe duke shkelur rregulloren e Ministrisë së Mbrojtjes së vitit 2003.

Lejimi i shkeljeve të rregullave që shoqërojnë procesin e demontimit duke rrezikuar jetën e personave që punonin aty.

Shpërfillja e procedurave ligjore të nënshkruara prej tij për demontimin e municioneve.

Shmangia e Forcave të Armatosura nga mbikëqyrja e mëtejshme e procesit të demontimit.

Është lejuar demontimi i kalibrit të madh.

Është lejuar SAC dhe ALBA DEMIL për dhënien e lejeve të demontimit dhe eksportimit të municioneve.

Urdhrat e konsideruar shkelje

* Ky urdhër bie në kundërshtim me pikën 1 të Urdhrit të Ministrit të Mbrojtjes nr. 550, datë 25. 04. 2007, ndonëse formalisht ky i fundit është cituar si mbështetje ligjore e tij. Kjo, sepse, në pikën 1 të urdhrit nr. 1300, datë 07. 08. 2007, janë ngarkuar strukturat e FA-së për t’i dorëzuar, për çmontim ndërmarrjes MEICO tre lloje municionesh (fishekësh të kalibrave 6.5 mm, 7.92 mm dhe 8 mm), që nuk janë të parashikuar në pikën 1 të urdhrit nr. 550, datë 25. 04. 2007. Llojet e fishekëve të përmendur në Urdhrin nr. 1300, datë 7. 08. 2007, nuk kanë qenë pjesë e kërkesave të kompanive SAC–ALBADEMIL dhe kontratës të lidhur ndërmjet MEICO-s dhe këtyre kompanive.

* Në kundërshtim me pikën IV/2, të vendimit të KM nr. 138, datë 14. 03. 2007, ish-ministri i Mbrojtjes z. Mediu, ka nënshkruar Urdhrin nr. 1300, datë 07.08.2007, në mungesë të vendimit të Komisionit të Miratimit të Çmimeve për shitjen e këtyre lloj municioneve për çmontim dhe çmilitarizim. Pra, ai ka urdhëruar dorëzimin e municionit, pa pasur një çmim për to.

* Në kundërshtim me pikën 1 të Urdhrit të nxjerrë prej tij nr. 416, datë 02.04.2007 “Për ngritjen dhe funksionimin e Komisionit të Posaçëm për përcaktimin e kontigjentit të armëve, teknikës, pajisjeve, municioneve dhe lëndëve eksplozive të hequra nga përdorimi” ka nënshkruar Urdhrin nr. 1300 datë 07.08.2007, megjithëse mungonte një vendim i këtij komisioni, i cili kishte për detyrë të bënte kategorizimin e tij në zbatim të vendimit të KM nr. 138, datë 14. 03. 2007. Sa më sipër, miratimi i këtij urdhri në kundërshtim me aktet nënligjore, përbën të dhënë për dyshime të bazuara, se është kryer për të realizuar përfitime të padrejta në interes të kompanive SAC–ALBADEMIL, për faktin se këto lloje municionesh kishin në përbërje gëzhojë tunxhi, çka përmbushte në thelb ofertën e kompanisë SAC–ALBADEMIL për municione me gëzhojë tunxhi.

* Kërkesa e SAC, bashkëlidhur Memo-s datë 06.09.2007, me subjekt “Mbi kërkesën për demontim municionesh” e personit nën hetim, Ylli Pinari, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm të MM-së, i është dërguar për mendim ish-ministrit të Mbrojtjes, z. Mediu. Z. Mediu këtë praktikë, ia ka kaluar shefit të Shtabit të Përgjithshëm me shënimin “Për veprim”. Ky shënim i ish-ministrit, në thelb ka pasqyruar vullnetin e tij për fillimin e një procedure të re, në përmbushje të interesave që parashtroheshin në kërkesën e SAC, ndonëse në përmbajtjen e kësaj kërkese evidentohen qartë tejkalimet e parashikuara në vendimin e KM nr. 138, datë 14.03.2007 për sa i takon kalibrit të municioneve që mund të jepeshin për çmontim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›