E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urdhri “Skënderbeu” për Azem Hajdarin, Pandeli Majko në ceremoni

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekoroi dje me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, pas vdekjes, Azem Hajdarin, udhëheqës i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ‘90, Pishtar i Demokracisë dhe ish-deputet i PD-së. Në ceremoninë solemne të mbajtur në Pallatin e Brigadave, pas ekzekutimit të himnit kombëtar të Republikës së Shqipërisë dhe leximit të dekretit nga sekretari i Përgjithshëm i Institucionit të Presidentit, Aleksandër Flloko, me motivacionin: “Për kontribut të shquar në lëvizjen demokratike për rrëzimin e diktaturës komuniste, lindjen e pluralizmit politik në Shqipëri dhe futjen e saj në rrugën e zhvillimit demokratik, si një nga drejtuesit kryesor të Lëvizjes Studentore”, Presidenti Topi u dorëzoi familjarëve të Azem Hajdarit Urdhrin e lartë së bashku me dekretin përkatës. Në ceremoninë zyrtare të dekorimit ishin të pranishëm kryetarja e Kuvendit, znj. Topalli, Kryeministri Sali Berisha, anëtarë të kabinetit qeveritar, drejtues të partive politike në vend, miq e të afërm të dëshmorit të demokracisë, Azem Hajdari. Në emër të familjes Hajdari, përshëndeti bashkëshortja, znj. Fatmira Hajdari, e cila u shpreh: “Besoj që, jo vetëm unë si bashkëshortja e Azemit dhe tre fëmijët e mi këtu dhe familjarët e tij, ndihemi kaq të gëzuar dhe të lumturuar për këtë dekorim kaq të lartë nga Presidenti i Republikës. Dua t’ju falënderoj të gjithëve, Kryeministrin Berisha, bashkëpunëtorët e Azemit, të gjithë ata që bënë këtë propozim për dekorimin e Azemit në 10-vjetorin e vrasjes së tij, pasi ata nuk e kishin për 10 vjet në mesin e tyre. Falënderoj Presidentin e Republikës, që e mirëpriti këtë propozim dhe bëri të mundur dhënien sot në 10-vjetorin e Azemit dekoratën e lartë të Urdhrit të Skënderbeut. Le të shërbejë kjo dhuratë e Azemit dhe ky dekorim i Azemit me rastin e 10-vjetorit, për të gjithë demokratët, për të gjithë shqiptarët, që të bëjnë të mundur implementimin e mëtejshëm të demokracisë në Shqipëri. Ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen. Faleminderit dhe njëherë”. Azem Hajdari ishte një ndër politikanët më aktivë të Partisë Demokratike. Ai u ekzekutua mbrëmjen e 12 shtatorit të viti 1998, pak metra larg selisë së Partisë Demokratike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›