Patozi: Opozita të bashkëpunojë për ligjin e imunitetit
Demokratët kërkojnë konsensusin e opozitës për çështjen e imunitetit të deputetëve, si një hap kyç për luftën kundër korrupsionit. Kryetari i grupit kuvendor demokrat, Astrit Patozi, përshëndeti dje deklaratën e ambasadorit John Withers dhe ftoi opozitën për bashkëpunim, duke e cilësuar heqjen e imunitetit si hap të rëndësishëm anti-korrupsion. “Ftojmë PS-në të ulet në tryezë, që të ndahemi nga koraca e mbrojtjes politike. Ne jemi të gatshëm për çdo ofertë, qoftë edhe për ndryshimin e Kushtetutës”, - tha Patozi. Sipas tij, nuk duhet humbur kohë për ligjin e imunitetit, duke insistuar përveç mirëkuptimit të PS-së, edhe në grupet e tjera parlamentare. "Ky vend më shumë se kushdo tjetër e ka të nevojshme të heqë këtë barrierë të lartë që jo vetëm i bën hije, por edhe e pengon në mënyrë thelbësore në luftën kundër korrupsionit", tha z. Patozi. Ndaj, - shtoi ai, - ne duhet të ulemi bashkë dhe pa humbur kohë të ndahemi me ligj nga koraca e panevojshme e imunitetit. Duke shpresuar se opozita do të gjejë forca për ta mirëkuptuar këtë ofertë, z. Patozi nënvizoi se mbetemi të vendosur të japim të gjithë kontributin tonë në funksion të këtij qëllimi, i cili nuk mund dhe nuk duhet të jetë i një partie të vetme. Kreu i grupit kuvendor të PD-së vlerësoi dhe deklaratën e fundit të ambasadorit amerikan, John Withers, për kufizimin e imuniteteve në Shqipëri si “një hap kyç në luftën kundër korrupsionit”. Ne theksoi Patozi si grup parlamentar e konsiderojmë një inkurajim për klasën politike shqiptare, e cila duhet të dalë mbi paragjykimet dhe ndasitë e momentit dhe t’i japë vendit një kulturë të re të sjelljes dhe vendosjes së zyrtarëve para ligjit”.