E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu: Jam i pafajshëm, gabimet, të shtabit



Ish-ministri i Mbrojtjes ka deklaruar se ishte Shtabi i Përgjithshëm ai që kishte marrë vendimet teknike dhe që duhej të kishte hequr barutin

Ish-ministri i Mbrojtjes, i marrë në pyetje për tragjedinë e Gërdecit, është mbrojtur duke pohuar që prej fillimit se ishte i pafajshëm. Menjëherë pas seancës së marrjes në pyetje, avokatët mbrojtës kanë deklaruar para medias mbi qëndrimin e mbajtur nga Fatmir Mediu, duke përsëritur se do të bashkëpunonin për të zbardhur ngjarjen. Burimet nga Prokuroria njoftuan se qëndrimet e ish-ministrit kanë qenë të ngjashme me ato që ai edhe më parë ka bërë publike. Thuajse gjatë gjithë seancës Mediu ka pretenduar se përgjegjësia e kontrollit dhe e përzgjedhjes së vendit i mbetej Shtabit të Përgjithshëm, krerët e të cilit gjithashtu janë nën hetim.

Mbi përzgjedhjen e vendit

Mediu ka pretenduar se ai nuk ka pasur dijeni dhe as ka përgjegjësi për detajet teknike të demontimit. Sipas burimeve nga Prokuroria, ai ka thënë se ishte shefi i Shtabit të Përgjithshëm ai që ishte i ngarkuar për të përcaktuar një vend sa më të përshtatshëm, pasi ministri nuk ka për detyrë të njohë rregullat e demontimit. Sipas Mediut, arsyeja e shpërthimit ka qenë grumbullimi i barutit në vendin e demontimit, por ai ka thënë se përgjegjësia për këtë ishte e Shtabit të Përgjithshëm, i cili duhej të bënte edhe transportin e kësaj lënde. “...Është Shtabi i Përgjithshëm ai që ka përgjegjësi për transportin, ruajtjen, zgjedhjen e vendit”, - mësohet të ketë deklaruar ish-ministri.

Demontimi

Ish-ministri Mediu ndërkohë i ka cilësuar normale dhe në zbatim të ligjit veprimet e kryera prej tij. Kështu, ai ka thënë se gjatë kohës që ka qenë ministër, ishin demontuar 12 mijë tonë municione pa pasur probleme. Madje, sipas tij, ky proces prej kohësh kryhej nga kompani private. Mediu thotë se Shtabi ka qenë në dijeni të këtyre demontimeve, madje ishte ky i fundit që duhej të kontrollonte realizimin e këtij procesi. Ish-ministri i Mbrojtjes ka pretenduar se kompania SAC, e cila duhej të kryente demolimin në Gërdec, ishte miratuar nga strukturat ushtarake të cilat e kishin cilësuar atë si të kualifikuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›