Boschard: Statusi i vendit kandidat, pas zgjidhjes së krizës

Ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë, Bernd Boschard, ka zgjedhur sërish qytetin e Elbasanit për t’i dhënë një mesazh politikës shqiptare. “Presim zgjidhjen e krizës që të respektojmë konstitucionalitetin dhe transparencën nga të dy kapitenët e politikës shqiptare, në pritje të liberalizimit të vizave dhe marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE”, tha ambasadori gjerman. Boschard vizitoi dje Elbasanin për herë të dytë gjatë këtij viti. Herën e parë ai shkoi në Elbasan më 12 prill, kur bëri një inspektim në uzinën ushtarake të Mjekësit, ndërsa vizita e dytë, e zhvilluar dje, ka përfshirë një takim në auditorin studentor dhe atë akademik të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Gjatë këtij takimi, ambasadori i Gjermanisë është përqendruar në zhvillimet më të fundit politike në Shqipëri dhe problemin e mprehtë të zgjidhjes së krizës politike.
Ndërsa e ka vlerësuar si një zhvillim normal në pluralizëm të grevës së urisë të një pjese të deputetëve socialistë, Boschard e ka konsideruar normale formën e kësaj proteste, përderisa, sipas tij, nuk pati asnjë rrjedhojë negative dhe kjo grevë u mbyll për t’i hapur rrugën konstitucionale transparencës së procesit zgjedhor.
Fjala e tij kishte të bënte me zhvillimin e etapave të punës së qeverisë shqiptare dhe politikës së këtij vendi për arritjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian, por në veçanti është përqendruar në problemin e liberalizimit të vizave për shqiptarët. “Nuk janë plotësuar kushtet e theksuara dhe të ritheksuara ndaj Shqipërisë, pasi duhet më e fuqishme lufta ndaj krimit e korrupsionit, si dhe konfiskimi i aseteve dhe pronave të personave që janë implikuar apo kanë kryer krime në Shqipëri”, deklaroi ambasadori, duke shtuar se “është optimist se edhe në këtë aspekt qeveria shqiptare do të bëjë hapa më të shpejtë pozitivë”. Sipas Boschard, nga fundi i këtij viti shpresohet që shqiptarët të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen, por vetëm nëse plotësohen kushtet e vëna dhe detyrat e fundit nga BE.
“Presim një zgjidhje të krizës që të respektojë konstitucionalitetin dhe transparencën. Dy kapitenët e politikës shqiptare duhet të luajnë në mënyrë të shkëlqyer topin në fushën e tyre drejt rrjetës së Bashkimit Europian”, tha diplomati gjerman, duke shtuar, mes të tjerave, se “pritet vetëm një zgjidhje politike dhe pas kësaj, Shqipërisë do t’i jepet statusi i vendit kandidat në familjen europiane”.
“Unë e inkurajoj qeverinë shqiptare për përmbushjen e kushteve të vëna nga BE-ja, si dhe përmbushjen e detyrave më të fundit të theksuara e të kërkuara nga ky institucion”, tha Boschard, sipas të cilit, marrja e statusit të vendit kandidat mund të ndodhë nga fundi i vitit 2012. Ndërkohë, ai nuk ka ngurruar të kujtojë se qeveria gjermane nuk ka reshtur së mbështeturi dhe ndihmuari Shqipërinë që nga viti 1988.
#