E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-ushtaraku 80 vjeç sfidon RENEA-n

Superaksioni prej nëntë orësh në Pogradec përfundon me dorëzimin e plakut të imët

Një ushtarak në pension ka vënë në vështirësi serioze Policinë e Shtetit dje në Pogradec. I armatosur me një automatik dhe njohës i mirë i taktikave luftarake, 80-vjeçari Rexhep Karaj i ka bërë rezistencë për më shumë se tetë orë rrethimit policor, duke vënë në vështirësi edhe efektivët më të specializuar të policisë, ata të RENEA-s dhe FNSH-së.

Ngjarja e rrallë që mbajti në ankth qytetin e Pogradecit kishte për protagonist një 80-vjeçar të dërrmuar nga mosha dhe pa dhëmbë në gojë. Burri, që pretendon se është 85 vjeç, por që sipas policisë ka pesë më pak, kishte plagosur në mëngjes bashkëshorten e tij dhe më pas u mbyll në banesë dhe rezistoi me armë në dorë deri sa e lanë fuqitë.

Rexhep Karaj shkaktoi një gjendje shtetrrethimi në qendër të qytetit bregliqenor dhe bëri të dështonin disa tentativa të policisë për ta neutralizuar. Vetëm lodhja e bindi të dilte nga shtëpia dhe të habiste të gjithë me pamjen e një njeriu që dukej se nuk kishte fuqi të lidhte ushkurët, por që sfidoi ajkën e policisë shqiptare.

Ka qenë ora 08.30 e mëngjesit, kur Rexhep Karaj ka plagosur me armë zjarri gruan e tij 72-vjeçare, Fetie Karaj. Ai ka qëlluar një herë në drejtim të gruas me të cilën jetonte, por ajo ka arritur të dalë nga banesa dhe të lajmërojë policinë për sulmin. Rexhepi, sipas banorëve të lagjes nr. 2 të Pogradecit që e njihnin, ishte i sëmurë dhe shfaqte shenja të sklerozës dhe depresionit.

Pasi ka qëlluar me armë gruan, ai është tërhequr në apartamentin e tij, në katin e dytë të një pallati fare pranë qendrës së qytetit dhe prej aty ka shtënë disa herë në drejtim të forcave të policisë, që tentonin ta arrestonin.

Policia mbërriti në vendin e ngjarjes rreth orës 09.00 dhe menjëherë rrethoi zonën. Pas rrethimit, policët i bënë thirrje të moshuarit të dorëzohej, por ai nuk përgjigjej.

Tri orë më vonë, forcat policore të Pogradecit kanë kërkuar ndërhyrjen e forcave RENEA që kanë zbarkuar me helikopter për të kryer ndërhyrjen. Për shkak të pozicionit të apartamentit dhe faktit se ballkoni ishte i mbyllur me kompensatë dhe kashtë, forcat RENEA nuk kanë pasur mundësi të ndërhynin për kapjen e autorit. Pas thirrjeve pa përgjigje, një skuadër e RENEA-s iu afrua derës së jashtme të apartamentit dhe duke lajmëruar se po hynin brenda lëvizën dorezën me anë të një shkopi, duke qëndruar larg rrezes së zjarrit që mund të vinte nga brenda.

Përgjigjja e plakut ishte një plumb i dërguar pikërisht aty ku mund të shkaktonte dëm, nëse tentativa për të hapur derën do të kishte qenë reale.

Prova me dorezën tregoi se plaku jo vetëm që ishte i gatshëm të vriste, por ai ishte shumë i aftë për ta bërë këtë. Skleroza duket se nuk i kishte dëmtuar atë pjesë të trurit ku ruante aftësitë e tij prej ushtaraku. Që nga ky moment, policia kërkoi përforcime të reja. Në vendin e rrethuar u vendosën edhe tre snajperë, çka verifikoi se ishte marrë vendimi për eliminimin e plakut të rrezikshëm.

Snajperët kanë qëndruar në tarracë për të kryer ekzekutimin e 80-vjeçarit në rast nevoje dhe policët e tjerë janë munduar ta tërhiqnin “shënjestrën” në terren të hapur. Disa policë, duke qëndruar jashtë rrezes së zjarrit, goditën pjesën anësore të ballkonit, duke zhvendosur kompensatat që mbulonin pamjen. Por reagimi i plakut ishte përsëri agresiv. Ai shtiu edhe një plumb, pikërisht në hapësirën që u krijua nga lëvizja e kompensatave.

Edhe një tentativë tjetër e forcave të RENEA-s për të tërhequr plakun në ballkon ka marrë si përgjigje një plumb. Pas këtyre tentativave të dështuara, policia u është rikthyer përsëri negociatave.

Aventura e 80-vjeçarit është mbyllur me vetëdorëzimin e tij vetëm në orën 18.00, rreth nëntë orë pas rrethimit. Përpara dorëzimit ai shqiptoi fjalët e para nga brenda derës së mbyllur: “Jam gjallë” dhe më pas doli me armën e ulur.

I veshur me triko leshi dhe me një kapuç në kokë, i moshuari ka çuditur dhjetëra policët e përfshirë në operacion dhe qindra kureshtarët që ishin mbledhur pranë zonës së rrethuar.

Plaku është dërguar në pranga drejt Komisariatit të Pogradecit, ku u është nënshtruar seancave të marrjes në pyetje, në praninë e një psikologu.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›