E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gazetarët: Fjala e lirë rrezikohet nga dhuna dhe pushteti i parasë

Sipas gazetarëve shqiptarë, problemet e medias në Shqipëri janë probleme të mbarsura që incidente të tilla ndodhin si pasojë e një ambienti aspak të përshtatshëm për kultivimin e lirisë së shprehjes në rrethana të qeta për një vend të pjekur demokratikisht. Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, i cili ishte dhe organizatori i takimit deklaroi se tre janë problemet thelbësore që shqetësojnë median dhe gazetarët në Shqipëri. Sipas Çipës, tri plagët më të rënda janë: Pushteti i Parasë, Informaliteti dhe Dhuna. Sipas kreut të Unionit të Gazetarëve këto fenomene të rënda kanë ndikuar për keq në media, duke shtuar politizimin e saj dhe rrezikuar pavarësinë që duhet të mbetet një nga shtyllat e rëndësishme të gazetarëve. Ndërkaq, gazetari Andi Bushati, deklaroi se incidenti me gazetarin Mero Baze tregon edhe një herë në mënyrë të qartë se sa të rrezikuar janë gazetarët shqiptarë. Bushati ka kritikuar Kryeministrin Sali Berisha për reagimin ndaj sulmit, duke e quajtur të mangët dhe jo të sinqertë. Sipas Andi Bushatit, "rasti Baze" tregoi se sa e rrezikuar është liria e shprehjes në Shqipëri dhe se sa e rrezikshme është gjetja, publikimi dhe mbrojtja e së vërtetës. Ndërkohë, Mustafa Nano, ka zgjeruar spektrin e funksionimit të lirisë për gazetarët, duke sulmuar më ashpër kreun e qeverisë shqiptare, i cili sipas Nanos po ndërmerr veprime që prishin balancën dhe forcojnë kontrollin e Kryeministrit mbi institucionet e fjalës së lirë në Shqipëri. Mustafa Nano deklaroi se një nga armiqtë më të mëdhenj të lirisë së shprehjes është klasa politike, por në veçanti mazhoranca që synon të ruajë marrëdhënien e klientelës me mediat. Duke u ndalur te Televizioni Publik Shqiptar, Nano, theksoi se RTSH është shprehja më autentike e mjerimit të lirisë së gazetarisë në Shqipëri. Ndërsa Andrea Stefani, u shpreh i shqetësuar nga mungesa e institucionalizimit të fjalës së lirë, e cila, sipas tij është pjesë thelbësore e një shteti demokratik, madje shtylla e tij. Stefani e cilësoi marrëdhënien e klasës politike me gjithë botën e mediave në Shqipëri si një "Dhunë e fshehtë e pushtetit".

Y.Pata

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›