Bosh: “Politika, dialog sipas Kushtetutës”
Autori i Lajmit: Redaksia
Ndërkombëtarët përsëritin thirrjet për dialog mes mazhorancës dhe opozitës. Pas ashpërsimit të situatës politike në vend, përplasjeve të fundit mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, ka reaguar ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh. Sipas tij, është koha e dialogut në të mirë të të gjithë shqiptarëve. “Shpresoj që draftrezoluta e Këshillit të Evropës, që do të pranohet këtë javë në Strasburg, do të krijojë një situatë në të cilën partitë do të mund të mblidhen së bashku. Kam parë reagime pozitive nga të dyja palët dhe kjo është një gjë e mirë, por tani duhet të merren hapa të tjerë pasues. Sigurisht, sa herë që kemi dy palë që kanë opinion të ndryshëm për një çështje, duhet të arrihet kompromis, sepse nuk është një ndeshje futbolli, që në fund ka vetëm një fitues. Ai që duhet të respektohet në këtë rast është interesi i vendit. Ndaj fitues nuk mund te jenë një apo dy persona, por 3 milionë shqiptarë. Shpresoj vërtet që të zbatohet rekomandimi që do të jepet nga Këshilli i Evropës”, - tha ai. Ambasadori tha më tej se faktori ndërkombëtar mbetej i angazhuar për të ndërhyrë në zgjidhjen e krizës politike, por theksoi se hapi i parë dhe konkret duhej hedhur nga politika shqiptare. Ai pohoi se ndërmjetësimi i Presidentit do të ishte vendim i drejtë. “Roli i Presidentit të vendit si negociator do të ishte pozitiv dhe unë mendoj se ai mund ta luajë ketë rol, pasi ai është mbi palët. Kompromisi duhet gjetur duke u bazuar në ligj dhe Kushtetutë”, - tha ai.
Ky lajm është publikuar: 28/01/2010