E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moratinos: “Viti 2010, kyç për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor”

Autori i Lajmit: Redaksia

Spanja, vendi që mban Presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, thotë se do të bëjë çmos që Ballkani Perëndimor të bëjë progres në rrugën drejt bllokut. Kjo deklaratë u bë pas një takimi midis ministrit të Jashtëm spanjoll, Miguel Angel Moratinos, dhe homologut serb, Vuk Jeremiç. Takimi në Bruksel, në nivel ministrash, ishte i pari në kuadër të dialogut mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian që prej aplikimit për statusin e vendit kandidat në BE nga Serbia. Komisioneri evropian për zgjerimin, Olli Rehn, mori pjesë gjithashtu në këtë takim që u drejtua nga Moratinos. “Ne diskutuam në lidhje me rolin konstruktiv që mund të luajë Serbia në Ballkanin Perëndimor dhe mënyrën se si mund të bashkëpunojmë në praktikë edhe për Kosovën”,- tha Moratinos, i cili beson se viti 2010 do të ketë një rëndësi kyçe për të ardhmen e rajonit. Moratinos hodhi idenë e një takimi të përbashkët, mbase në Sarajevë, ku do të mblidhen të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe Kosovën. “Gjatë presidencës spanjolle do të finalizojmë negociatat me Kroacinë dhe do të përpiqemi të zgjidhim çështjen e emrit të Maqedonisë. Më pas është çështja e kandidaturës së Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë”,- tha ministri i Jashtëm spanjoll, i cili ka nënvizuar progresin e kryer nga vendet e Ballkanit në 10 vitet e fundit dhe rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit në Bashkimin Evropian.
Ky lajm është publikuar: 28/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›