E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosh: “Presim zgjidhje nga tryeza e bisedimeve Ruçi-Patozi”



Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh vlerëson përpjekjen e palëve për zgjidhjen e krizës politike, pas takimit të parë Ruçi-Patozi. Diplomati Bosh çmon se më në fund përfaqësuesit e dy partive po merren me gjëra substanciale. “Ky është një zhvillim pozitiv. Më në fund po shikojmë se dy partitë politike po merren me gjëra substanciale. Ne e përgëzojmë nisjen e negociatave dhe urojmë e shpresojmë në gjetjen e një zgjidhjeje”, - është shprehur Bosh. Qëndrimi i ambasadorit Bosh vjen një ditë pas uljes në një tryezë bisedimesh të dy krerëve të grupeve parlamentare, Ruçi e Patozi, të cilët nuk gjetën konsensus për kërkesën e opozitës, atë të rinumërimit të fletëve të votimit. Gjatë intervistës së tij ambasadori i OSBE-së u ndal edhe në ligjin shumë të debatuar të Shërbimit Informativ Shtetëror, për të cilin qeveria po kërkon të shtrijë kontrollon mbi këtë institucion dhe ndaj të cilit janë bërë kritika të forta nga organizatat ndërkombëtare. Bosh nënvizoi se “ne nuk është se do të dalim me një projektligj. Ne kemi sjellë një ekspert britanik i cili do të japë ndihmesën e tij në komisionin e sigurisë, gjatë hartimit të këtij ligji”. OSBE deklaroi një ditë më parë se asistenca, që do të ofrojë për ligjin e Shërbimit Informativ nuk ka lidhje me ndryshimet që qeveria po kërkon të bëjë në këtë draft.

Meta merr pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të OSBE-së

Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, u nis dje për në Kazakistan, ku do të marrë pjesë në mbledhjen informale të Këshillit Ministerial të OSBE-së. Gjatë datave 16-17 korrik 2010, ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të OSBE-së do të diskutojnë në Almati rreth sfidave dhe kërcënimeve me të cilat përballet siguria Euro-Atlantike dhe Euro-Aziatike, rolit të OSBE-së në parandalimin, menaxhimin dhe zgjidhjen e konflikteve, dhe përmirësimit të instrumenteve të saj në këtë fushë. Gjatë punimeve të Këshillit Ministerial, Meta do të mbajë një fjalë rreth vizionit të Shqipërisë mbi rolin e OSBE-së në sigurinë e kontinentit Evropian, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, si dhe do të zhvillojë një sërë takimesh dypalëshe me homologë të tij.

Topi i dorëzon Medi Bicit dekretin e emërimit në Gjykatën e Lartë

Presidenti i Republikës, Bamir Topi i dorëzoi dje paradite në Presidencë zotit Medi Bici dekretin e emërimit në Gjykatën e Lartë duke e përgëzuar dhe duke i uruar njëkohësisht suksese në detyrën e rëndësishme dhe plot përgjegjësi. Anëtari më i ri i Gjykatës së Lartë, Medi Bici u propozua nga Presidenti Topi për në Gjykatën e Lartë më 25 maj 2010 dhe kandidatura e tij u votua dhe u miratua në parlamentin shqiptar pak ditë më parë.

16 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›