E Diel, 1 Nëntor 2026

Bosh-Topalli: “Të krijohet grupi parlamentar i grave”

Autori i Lajmit: red.
“Në bashkëpunim me kryetaren Topalli si dhe gra të tjera pjesëtare të Parlamentit, deputete, të japim ndihmën dhe asistencën për të përfunduar krijimin e një Grupi Parlamentar të Grave deri në prill të vitit që vjen”

Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, i ka kërkuar dje në një takim Kryetares së Kuvendit, Topalli, që të përfundojnë së bashku deri në prill të vitit që vjen projektin për krijimin në Parlament të një grupi të përhershëm parlamentar të grave, të përbërë nga të gjitha partitë. Bosh tha se “në bashkëpunim me kryetaren Topalli si dhe gra të tjera pjesëtare të Parlamentit, deputete, të japim ndihmën dhe asistencën për të përfunduar krijimin e një Grupi Parlamentar të Grave deri në prill të vitit që vjen”. Ai tha gjithashtu se në kuadër të njohjes dhe adoptimit të legjislacionit evropian do të mbështesin Parlamentin shqiptar me projektin e njohjes së çdo deputeti të Parlamentit me këtë legjislacion. OSBE do të vazhdojë të asistojë në projektet e luftës kundër korrupsionit si dhe pranimit të burimeve njerëzore në institucionet shqiptare dhe kriteret e pranimit të tyre. Ambasadori i OSBE-së më tej shprehu "mbështetjen për profesionistët e rinj shqiptarë, në arritjen e objektivave për të qenë aktorë të rëndësishëm në shtysën e Shqipërisë drejt BE-së".
Takimi
Bosh ka marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit të diplomës së Masterit studentes shqiptare, Erisa Dauti, e cila kreu studimet në College of Europe në Bruge(Belgjikë). Diplomimi i saj u mundësua nga një nismë e Kryetares Topalli, e përkrahur dhe nga projekti i OSBE-së "Për mbështetjen e Parlamentit shqiptar". Sipas tij, rritja e kapaciteteve të Kuvendit është një përparësi e projektit të OSBE-së me mbështetjen për bursa studentëve, të cilët pas përfundimit të studimeve do të ndihmojnë në arritjen e standardeve evropiane dhe përmirësimin e punës së Parlamentit shqiptar. "Prezenca e OSBE-së është e lumtur që është në gjendje të sigurojë mundësi për të kompletuar studimet në College of Europe të Bruge, i cili njihet akademikisht në të gjithë botën për përgatitjen e profesionistëve të rinj në çështjet që kanë të bëjnë me BE-në",- u shpreh ambasadori. College of Europe ka përzgjedhur dy studentë të tjerë shqiptarë, të cilët do të vazhdojnë studimet gjatë këtij viti akademik në këtë universitet, përmes projektit të Kuvendit të Shqipërisë dhe OSBE-së.
Ky lajm është publikuar: 21/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›