E Diel, 1 Nëntor 2026

Scheffer: “S krahasohet Kosova me Osetinë”

Autori i Lajmit: red.
E kam pasur një diskutim të tillë me partnerët rusë shumë kohë më parë
Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s thanë se "nuk mund të vazhdojnë marrëdhëniet e zakonshme me Rusinë" derisa trupat ruse të tërhiqen nga Gjeorgjia.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap De Hoop Scheffer tha gjatë një konference për shtyp se Rusia aktualisht nuk po respketon armëpushimin e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të pranuar nga presidenti Dimitri Medvedev.
26 vendet anëtare, përmes një deklarate të përbashkët thanë se po i vlerësonin seriozisht pasojat e veprimeve ruse në Gjeorgji.
Një tjetër vendim i Aleancës gjatë takimit të sotëm ishte krijimi i komisionit NATO-Gjeorgji për të forcuar raportet me Tbilisin.
Pas takimit shefi i NATO-s Jaap De Hoop Scheffer lidhur me përpjekjet për të krahasuar rastin e Kosovës me osetinë e Jugut tha:
"Nuk shoh asnjë bazë për të krahasuar Kosovën me Osetinë e Jugut. Nuk e bëj një gjë të tillë. E kam pasur një diskutim të tillë me partnerët rusë shumë kohë më parë, por ka pasur një rrugë të veçantë përmes Kombeve të Bashkuara për Kosovën", tha Scheffer.
Sekretarja amerikane e Shtetit Condoleezza Rice pas takimit deklaroi:
"Deklarata e takimit ka një gjuhë shumë të ashpër dhe ka pasur gjuhë të ashpër në tryezën e bisedimeve për atë se Rusia duhet të respektojë angazhimin për armëpushim që e morri presidenti rus. Është koha që presidneti rus ta mbajë premtimin për tërheqjen e forcave ruse nga Gjeorgjia", tha Rice.
Në prag të takimit, Rice deklaroi se NATO duhet t ia bëjë të qartë Rusisë se nuk mund t i bllokojë ish-vendet sovjetike, përfshirë Gjeorgjinë dhe Ukrainën, që të ndërtojnë marrëdhënie më të ngushta me institucionet e Perëndimit, siç janë NATO dhe Bashkimi Evropian.

Pse nuk mund të ketë krahasime

Volfgang Petriç është ambasadori i Austrisë në OECD në Paris dhe i ngarkuari i BE për Ballkanin. Në një intervistë të posaçme ai shmang çdo krahasim mes Kosovës dhe Osetisë Jugore.

Zoti Petriç, shumë demokratë, ose njerëz që jetojnë në demokraci mendojnë se nëse një popull dëshiron të vendosë për vetveten, mund ta bëjë këtë.
“Në thelb ekzistojnë dy parime. Njëri prej tyre është me të vërtetë e drejta e vetëvendosjes e popujve. Ky është një parim pak a shumë i pranuar ndërkombëtarisht që prej Luftës së Parë Botërore, mbrohet edhe nga OKB-ja. Dhe së dyti, është parimi i sovranitetit të shteteve. Këto dy parime përplasen me njëri-tjetrin dhe prej kësaj krijohen vështirësi, siç i përjetojmë tani”.
A është në ndonjë formë e krahasueshme ajo që donin shumica e kosovarëve me atë që duan osetët e jugut?
“Krahasimet janë gjithmonë subjektive dhe duhen parë e vlerësuar gjithmonë duke u nisur nga pikëpamjet përkatëse. Por unë do të thosha se në rastin e Kosovës ka ekzistuar një proces shumë më i gjatë negociatash - nga njëra anë përmes angazhimit ndërkombëtar, por edhe midis palëve të konfliktit, dhe së dyti në lidhje me Kosovën ka pasur shkelje të rënda të ligjeve, të cilat janë iniciuar si nga Miloshevici nga njëra anë, ashtu edhe nga Jugosllavia e atëhershme. Duhet mbajtur parasysh se në Jugosllavinë e vjetër, Kosova në politikën e brendshme ka qenë de fakto e barabartë me Serbinë”.
Këto shkelje, zoti Petriç, duhet t i kenë bërë edhe gjeorgjianët në Osetinë Jugore.
“E saktë. Ndryshimi i rëndësishëm midis këtyre dy vatrave të konfliktit është se në Kosovë ka pasur realisht përpjekje për dëbime etnike, pra për shkatërrimin e një populli. Këto shkelje sistematike të të drejtave të njeriut, dëbimet për motive etnike çuan në fund në ndërhyrjen ushtarake, e cila nuk kishte mandatin e OKB-së, sepse Rusia ishte kundër, por që krijoi megjithatë një bazë të re. Kjo do të thotë, atëherë që prej Serbisë dhe Jugosllavisë së atëhershme më të vogël të Miloshevicit u shkel në mënyrën më të rëndë parimi i përgjegjësisë së mbrojtjes të shtetit për qytetarët e tij dhe prej kësaj ka pasoja të caktuara në të drejtën ndërkombëtare. Ky dallim mendoj se ekziston gjithmonë midis Kosovës dhe Osetisë Jugore”.
Ky lajm është publikuar: 20/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›