E Shtunë, 31 Tetor 2026

Boshatiset Banka e Gjakut, drejtoresha bën apel për të dhuruar gjak



Aksidentet e shumta të muajit korrik dhe të sëmurët kronikë që kanë nevojë të përhershme për gjak kanë boshatisur bankën e gjakut. Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Dhurimit të Gjakut nisur nga rezervat e pakta të gjakut dhe kërkesat e larta për gjak, është detyruar t’iu bëjë apel të gjithë qytetarëve që e ndiejnë veten të shëndetshëm për të dhuruar gjak, të kontribuojnë duke shpëtuar jetë njerëzish. Ndërkohë që drejtoresha Qëndro tha se të gjitha këto masa por edhe sensibilizimi i shumë personave të tjerë, numri i të cilëve po vjen duke u rritur çdo vit ndihmoi që të përballoheshin me sukses të gjitha kërkesat për gjak të muajit korrik. Duke qenë se në muajin gusht numri i aksidenteve pritet të jetë më i lartë dhe se nevoja për gjak në spitale do të ritet Qëndro apelon që të gjithë njerëzit t’i përgjigjen kërkesës për gjak. "Numri i dhurimeve gjatë periudhës së verës bie, dhe shkaku pse bëhet e vështirë vera është sepse ka një rritje të numrit të aksidenteve. Ato aksidente që kanë qenë gjatë periudhës së korrikut, kanë arritur të përballohen. Vështirësi ka pasur në furnizimin me gjak të pacientëve me grupe të rralla. Për këtë arsye mungesat në gjak ndihen më shumë gjatë gushtit dhe shtatorit", - thotë drejtoresha e Qendrës së Transfuzionit të Gjakut. Stafi i Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut dhe ai i Kryqit të Kuq Shqiptar ka dhuruar gjak në mënyrë vullnetare. Gjithashtu, për të përballuar kërkesat për gjak, të dy këto institucione kanë zhvilluar fushatë sensibilizuese në spitalin ushtarak, ku kanë dhuruar gjak punonjësit e këtij spitali. Sekretari i Kryqit të Kuq, Zamir Muça, tregon se edhe pse gjatë sezonit veror, kur kërkesa për gjak është e lartë dhuruesit janë më të paktë në numër, por që krahasuar me vitet e tjera numri i dhuruesve vullnetarë është në rritje, kemi rreth 2500 të tillë. Iniciativat e marra nga institucionet kompetente të mbështetura dhe nga Qendra e Dhurimit të Gjakut po sensibilizojnë ndjeshëm shoqërinë duke rritur kështu numrin e dhuruesve vullnetarë. Pak ditë më parë për të njëjtin problem reagoi dhe Ministria e Shëndetësisë, e cila me urdhër të vetë ministrit Vasili mori masa duke “detyruar” për të dhuruar gjak, personelin e qendrave Shëndetësore në të gjithë vendin.

7 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›