Regjistrimi fillestar, kur nuk rrezikohet marrja e certifikatës së pronësisë
Laureta Rryçi
Prej pak kohësh pasuritë e paluajtshme i janë nënshtruar një procesi të ri regjistrimi në Hipotekë. I njohur si procesi i regjistrimit fillestar, shumë prej pronarëve e kanë parë të vështirë rimarrjen e certifikatës së pronësisë pas verifikimit të pronës. Gazeta “Albania“ u vjen në ndihmë lexuesve të saj duke sjellë procedurën që ndiqet në këtë proces, në mënyrë që të mos humbasin të drejtën për pronën. Sipas burimeve nga Hipoteka, në procesin e regjistrimit fillestar të një prone i rëndësishëm mbetet dokumentacioni. Ky projekt mbështetet nga Banka Botërore dhe i gjithë procesi po monitorohet nga specialistë dhe ekspertë të fushës.
Dokumentet
Të njëjtat burime shpjegojnë se për regjistrimin e një prone dhe për bërjen e saj të vlefshme nevojiten një sërë dokumentesh. Të rëndësishme cilësohen të gjitha dokumentet e pronësisë të lëshuar nga komisionet e ngritura për zbatimin e ligjeve mbi privatizimet, të cilat funksionojnë që nga viti 1991 e në vazhdim. Dokumentet e lëshuara pas vitit 1991 nga komisionet e kthimit e kompensimit të pronave që kanë lidhje me prona të kthyera apo të kompensuara fizikisht, si dhe të gjitha dokumentet e kalimit të pronësisë dhe të të drejtave të tjera reale mbi pronësinë me kontratë shitblerjeje, kontratë dhurimi, akt trashëgimie apo me vendim gjykate. Sipas procedurave të reja, individët, familjet dhe personat juridikë, privatë apo shtetërorë që zotërojnë këto dokumente pronësie, por nuk kanë të përcaktuar në to sipërfaqen e pasurisë së paluajtshme, kanë të drejtë t’i paraqesin regjistruesit të ZVRPP-së një kërkesë për regjistrim pronësie, e cila duhet të shoqërohet me dokumentin e pronësisë, një plan-vendosje apo gen-planin e pasurisë, deklaratën noteriale të pronarëve fqinjë që vërtetojnë përmbajtjen e kërkesës për pronësinë dhe kufijtë e pasurisë që pretendohet si dhe kopje të vërtetuara nga noteri të dokumenteve të ndryshme që mbështesin kërkesën për regjistrim, shtojnë më tej specialistët dhe ekspertë e projektit të BB-së dhe ZQRPP-së.
Certifikata
Pasi plotësohet dokumentacioni i kërkuar nis përgatitja e kartelës së pasurisë së paluajtshme për pronën e gjithsecilit dhe dokumentohen kufijtë e kësaj prone në hartën treguese të regjistrimit. Sipas burimeve, është shumë e rëndësishme që secili pronar të verifikojë saktësinë e kartelës dhe hartës treguese të regjistrimit të pronës gjatë procesit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Më pas, informacioni i regjistruar në kartelën e pronës dhe harta treguese e regjistrimit afishohen publikisht nga në një ambient brenda zonës kadastrale dhe rrinë të afishuara për 45 ditë me radhë. Ky moment cilësohet si shumë vendimtar për mbarëvajtjen e mëtejshme të procesit të regjistrimit. Pas këtij afati gjithçka do të kryhet
përkundrejt pagesave. Në rast se ndokush konstaton pasaktësi gjatë periudhës së afishimit publik, pronarët duhet të paraqesin menjëherë një kërkesë me shkrim te personi i autorizuar nga kompania për afishimin publik ku të përshkruhen me hollësi pretendimet mbi çdo gabim ose pasaktësi, qoftë edhe një shkronjë në emër që mund të jetë vënë re. Kërkesës duhet t’i bashkëngjitet edhe dokumentacioni që vërteton pretendimin e secilit. Brenda periudhës 45-ditore të afishimit duhet që sërish pretenduesi të verifikojë nëse zgjidhja e pretendimit është pasqyruar në listat dhe hartat e afishuara. Pas periudhës 45-ditore vjen çasti që gjithsecili merr dokumentin që e bën pronar. Në këtë rast, për pasuritë që nuk ka pasur pretendime ose që pretendimet janë zgjidhur, jepet Certifikata për Vërtetim Pronësie dhe poseduesit e të drejtave të tjera reale të pasurisë (qira, hipotekim, servitude) pajisen me certifikatën përkatëse.
Afatet, dokumentet dhe tarifat e aplikimit
Qytetarët që kanë probleme me dokumentacionin e tyre duhet të ndjekin një procedurë të re për regjistrimin e pasurisë së tyre të patundshme. Burime pranë kësaj zyre shpjeguan se ata pronarë, të cilët nuk kanë të përcaktuar sipërfaqen e pronës në dokumente, mund ta rregullojnë atë vetëm me anën e një kërkese. Procedura e re saktëson se “individët, familjet dhe personat juridikë, privatë apo shtetërorë që zotërojnë këto dokumente pronësie, por nuk kanë të përcaktuar në to sipërfaqen e pasurisë së paluajtshme, kanë të drejtë t’i paraqesin regjistruesit të ZVRPP-së një kërkesë për regjistrim pronësie, në mënyrë që të fillojë procesi i regjistrimit. Kjo kërkesë duhet të shoqërohet me dokumentin e pronësisë, një plan-vendosje apo gen-planin e pasurisë, deklaratën noteriale të pronarëve fqinjë që vërtetojnë përmbajtjen e kërkesës për pronësinë dhe kufijtë e pasurisë që pretendohet, si dhe kopje të vërtetuara nga noteri të dokumenteve të ndryshme që mbështesin kërkesën për regjistrim. Vetëm pasi të jenë dorëzuar të gjitha këto dokumente, specialistët e ZVRPP-ve mund të fillojnë procedurat për saktësimin dhe regjistrimin e kësaj prone, deri në lëshimin e certifikatës së pronësisë.
Shërbimet
Për të gjitha shërbimet që kryen Zyra për Regjistrimin e Pasurive janë përcaktuar kode për shkak të sistemit të ri elektronik.
Hipoteka ka përcaktuar kodet dhe shërbimet për dokumentet që shërbejnë për kalimin e pronësisë, informacionin, regjistrimin dhe fshirjen e barrëve, regjistrimin e pasurisë truall/ ose ndërtesë të fituar në bazë të 28 proceseve ligjore që janë të parashikuara në formular. Së fundi dokumentet për regjistrimin fillestar të pasurisë. Në tabelën që përmban verifikimet e dokumenteve janë të përfshira verifikimet e aktit administrativ, verifikimet e aktit noterial e vendimit gjyqësor. Po kështu, për të gjitha ato raste kur kemi të bëjmë me një vendim me anë të të cilit paraqitet fitim pronësie me trashëgimi si dhe kur bëhet fjalë për kundërshtim të vendimit të komisionit të kthimit dhe kompensimit të pronave.
Fazat e procesit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme
1. Mbledhja dhe saktësimi i dokumentacionit, ku përfshihen:
* Grumbullimi i dokumentacionit
* Fushata për informimin e publikut
* Fotografimi/skanimi i dokumentare
* Regjistrimi sporadik i përfshirë në regjistrimin fillestar
* Azhornimi i hartave treguese dhe Librit të Ngastrave
* Përgatitja e kartelave të pasurive
* Monitorimi i fazës I nga ZVRPP dhe ZQRP dhe aprovimi i punës
2. Përgatitja e hartës dhe kartelës së pasurive të paluajtshme, ku përfshihen:
* Printimi i parë i informacionit mbi pasuritë e regjistruara
* Afishimi publik i informacionit mbi pasuritë e regjistruara
* Analiza e kërkesave/vërejtjeve të pronarëve dhe plotësimi apo korrigjimi i gabimeve të mundshme
* Monitorimi i fazës II nga ZRRPP dhe ZQRPP dhe aprovimi i punës
3. Afishimi publik-45 ditor (saktësime dhe verifikime), ku përfshihen:
* Printimi i dytë + harta treguese e regjistrimit + kartelat + lidhja e kartelës
* Legalizimi i regjistrimit fillestar nga ZRRPP
4. Marrja e certifikatës së pronësisë në bazë të kërkesës së pronarit pranë zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme (ZVRPP), ku përfshihet:
* Dorëzimi i dokumentacionit në ZRRPP dhe ZQRPP
7 Gusht 2010