Ushtarakët, rillogaritja e pensionit sipas vendimit të Kushtetueses
Nga Kadri MUKA
Ligji i ri i sigurimit shoqëror suplementar detyron rillogaritjen e të drejtave të njohura. Në këto të drejta përfshihen edhe pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe pensioni suplementar i pleqërisë. Kjo shprehet në pikën 2 të nenit 29 të këtij ligji. Sipas tij, pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi dhe pensionet suplementare, të caktuara në përputhje me ligjet Nr. 8087, datë 13.3.1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe ligjin Nr. 8661, datë 18.9.2000 “Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit”, si edhe ato të caktuara me vendimet e gjykatave, pavarësisht nga mosha e vjetërsia në punë, në çastin e fillimit të së drejtës, do të rillogariten. Pra, rillogaritja do të bëhet për ushtarakët që janë trajtuar dhe kanë përfituar pension sipas ligjit 8087 të datës 23 marsit 1996, të ndryshuar, me ligjin Nr. 8521, datë 30.07.1999, si dhe për punonjësit e policisë dhe të institucioneve që kanë fituar pension sipas ligjit Nr. 8661, datë 18.9.2000. Përfitues nga rillogaritja janë edhe ata përfitues që kanë përfituar me vendim të formës së prerë në gjykatë. Këtë sanksionon ligjvënësi në ligj, por ai nuk kishte parasysh se ligji do ankimohej në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo Gjykatë do shfuqizonte si antikushtetues kufizimin e masës së pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në jo më shumë se dy pensione bazë përcaktuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave. Ky shfuqizim dhe interpretimi që i bën Gjykata Kushtetuese nenit 29, rillogaritjen për pensionet e fituara me ligjet e mëparshme e jo ato të caktuara nga Sigurimet Shoqërore, e thjeshtëzon plotësisht një gjë të tillë. Ai vendim, duke u shprehur se: “….kjo rillogaritje e këtyre të drejtave të fituara në zbatim të ligjeve të mëparshme ose dhe të vendimeve të gjykatave, do të bëhet vetëm në rast se ndryshon pozitivisht, pra, përmirëson situatën e përfituesve.”, nuk lë shteg dhe nuk lejon rillogaritje që sjell masë më të vogël pensioni.
E para që kërkon vendimi është që rillogaritja të bëhet në zbatim të të drejtave të fituara në zbatim të ligjeve të mëparshme dhe të vendimeve të gjykatave. Kush është e drejta e fituar me ligjet e mëparshme? Ajo është masa e pensionit të parakohshëm që cakton germa “a” dhe germa “b” e nenit 11 të ligjit Nr. 8007, datë 13.03.1996, i ndryshuar nga neni 6 i ligjit Nr. 8521, datë 30.07.1999 dhe neni 49 i ligjit Nr. 9210, datë 23.03.2004, dhe jo masa që ka caktuar e dhënë Sigurimi Shoqëror. Kjo masë nga 01.11.1999 deri më 24 .05.2004 është 50% e pagës referuese në çastin e lindjes së të drejtës për 12 vjet vjetërsi për femra e 15 vjet për meshkujt, duke i shtuar kësaj 2% të pagës referuese në çastin e lindjes së të drejtës, por pa kaluar kjo shtesë pensionin maksimal të pleqërisë në shkallë vendi. Ushtaraku mashkull me vjetërsi shërbimi 24 vjet dhe pagë referuese 13860 lekë të drejtë të fituar si pension të parakohshëm e ka me germën “a” 50% të 13860 lekë = 6930 leke + 18% të 13860 lekë për 9 vjet = 2494.8 lekë (shumë kjo që nuk kalon masën e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi). Gjithë pensioni, si e drejtë e fituar nga ligji, është 6930 +2494.8 = 9424.8 lekë. Për ushtaraken femër kjo është: germa “a”, për 12 vjet: 50% x 13860 = 6930 lekë, kësaj i shtohet germa “b”, 24% x 13860 =3326.4 lekë për 12 vjet, mbi 12 vjet (shumë kjo nuk kalon pensionin maksimal të pleqërisë në shkallë vendi). Gjithë pensioni si e drejtë e situar nga ligji është 6930+3326.4 = 10256.4 lekë.
Masa 8000 lekë e dhënë nga Sigurimet Shoqërore nuk përfaqëson të drejtën e fituar nga ligji. Si e tillë, nuk mund të merret për bazë në rillogaritje. E drejta e fituar për ushtarakun të cilit i ka lindur që nga data 14.05.2004 e në vazhdim, për shkak të shfuqizimit të shprehjes: “por, jo më shumë se pensioni maksimal i pleqërisë në shkallë vendi” të germës “b”, pra 50% të pagës referuese të çastit të lindjes të së drejtës dhe 2% të pagës referuese për çdo vit tjetër shërbimi. Pra, ushtaraku me vjetërsi shërbimi 28 vjet dhe pagë referuese 32000 lekë, masa e pensionit si e drejtë e fituar nga ligji është: 50% e 32000 lekë = 16000 lekë + 26% të 32000 lekë për 13 vjet mbi 15 vjet = 832 0 lekë, gjithsej 16000 + 8320 lekë = 24320 lekë për ushtarakun mashkull dhe për femrat 16000 lekë për 12 vjet + 32% për 16 vjet mbi 12 vjet = 10240 lekë gjithsej 26240 lekë e aspak ajo që i është dhënë në datën ë fillimit të pensionit prej Sigurimeve Shoqërore. Ndërsa e drejtë e fituar për pensionin suplementar është ajo masë pensioni e caktuar në datën e lindjes të së drejtës, 1% e pagës referuese në çastin e lindjes së të drejtës për këtë pension. Me një fjalë, ushtaraku me vjetërsi shërbimi 31 vjet dhe pagë referuese 14820 lekë, me pension pleqërie 12000 lekë, e drejta e fituar si masë pensioni suplementar është 31x14820 = 4594.2 lekë. Kjo nuk kalon 50% të masës së pensionit të pleqërisë ndaj mbetet e tillë. Kurse për masën e pensionit vendosur me vendim gjykatë mbetet masa që parashikon vendimi si e drejtë e fituar.
E dyta kërkesë e vendimit është që rillogaritja do të bëhet vetëm në rast se ndryshon pozitivisht, pra përmirëson situatën e përfituesve. Masa e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe atij suplementar të pleqërisë kurrsesi nuk mund të jetë pozitive, përmirëson situatën e përfituesve. Ja pse nuk mund të jetë e tillë.
Rillogaritja sipas ligjit
Rillogaritja, e përcaktuar në nenin 29 të ligjit, në pikën 2, bëhet sipas rregullave të përcaktuara në këtë ligj.
Me rillogaritje, sipas rregullave të ligjit Nr. 10142, datë 15.05.2009, do të thotë që procedura të bëhet sipas nenit 3, për vjetërsinë e shërbimit, neni 4, për pagën referuese, neni 14 për pensionin e parakohshëm dhe neni 16 e 26 për pensionin suplementar. Secili nga këto nene përcakton rregullat për atë që përfaqëson. Neni 3 saktëson se kush përfshihet në vjetërsinë e shërbimit që llogaritet si vjetërsi shërbimi për përfitim. Neni 4 saktëson pagesën referuese në tërësi dhe pagën referuese për efekt të përfitimeve nga ky ligj. Neni 14 përcakton se kush është masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Neni 16 përcakton se cila është masa e pensionit suplementar të pleqërisë dhe neni 26 precizon kushtet e masën e përfitimit të këtij pensioni për ushtarakët që ka ndërprerë karrierën, para hyrjes në fuqi të ligjit Nr. 7496, datë 3.7.1991 “Për statusin e ushtarakëve të Forcave të Armatosura”, kanë dalë në pension pleqërie sipas ligjit të sigurimit shoqëror të vitit 1966. Me një fjalë, ushtaraku me vjetërsi shërbimi 12 vjet femra dhe 15 mashkulli, pensioni i rillogaritet 50% e pagës mesatare referuese dhe për çdo vit tjetër vjetërsi shërbimi kësaj mase i shtohet 2% e pagës mesatare referuese. Asnjë lloj kufizimi nuk do ketë mbi këtë masë, për faktin se vendimi Nr. 33, datë 24.06.2010, i Gjykatës Kushtetuese shfuqizoi kufizimin, “por, jo më shumë se dy pensione bazë përcaktuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave”, që fiksonte pika 2 e nenit 14 të ligjit. Për pensionin suplementar, rillogaritja realizohet sipas formulës: me 1 për qind të pagës mesatare referuese mujore për çdo vit shërbimi, por jo më shumë se 50 për qind e pensionit të pleqërisë, që përfituesi gëzon në çastin e lindjes së të drejtës për pension suplementar. Kjo e fundit është e vlefshme edhe për ushtarakun që ka ndërprerë karrierën para hyrjes në fuqi të ligjit Nr. 7496, datë 3.7.1991, “Për statusin e ushtarakëve të Forcave të Armatosura”, kanë dalë në pension pleqërie sipas ligjit të sigurimit shoqëror të vitit 1966.
Rillogaritja sipas pagës referuese
Paga referuese sipas nenit 4, pika 2, paragrafi 2, është paga referuese që llogaritet si mesatare e pagave referuese, sipas viteve të qëndrimit në atë gradë apo funksion. Vetiu kjo nuk çon e nuk mund të çojë në masë pensioni më të lartë se ai që fitohet nga paga referuese e çastit të lindjes të së drejtës nga formula e nenit 11 të ligjit Nr. 8087, datë 13.03.1996 i ndryshuar, e cila në fakt është paga që ka ushtaraku i shërbimit aktiv pas 2 vjet të daljes në rezervë apo lirim të ushtarakut përfitues. Situata bëhet rënduese edhe më tepër nëse si pagë mesatare referuese nga Vendimi i Këshillit të Ministrave do vendoset paga e gjithë periudhës së shërbimit ushtarak dhe jo ajo e qëndrimit në gradën apo funksionin e fundit të shërbimit.
Rillogaritja e indeksimit të pensioneve
Mbi pensionin e rillogaritur zbatohen koeficientet e rritjes apo të indeksimit të pensionit, nga çasti i lindjes së të drejtës dhe deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji:
Masa e pensionit, e dalë nga rillogaritja, nëse kjo është më e lartë se pensioni i takuar sipas ligjit të mëparshëm, e jo masa e pensionit e dhënë më pak nga sigurimet shoqërore, rritet sipas përqindjes së përcaktuar dhe koeficientet të indeksimit për çdo vit, nga data e lindjes të së drejtës deri më datën 27.06.2009. Shkurt; ushtaraku që është trajtuar me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi nga 01.01.1999 - 14.04.2004, me vjetërsi shërbimi 22 vjet, me pagë referuese të 1 janarit 1999, në masën 13360 lekë, nga mos-kalimi i masës së pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, masën e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi, sipas germës “a”, neni 11, i përket 6830 lekë dhe për 7 vjet x 2% mbi 15 vjet = 14% e 13660 lekë që i korrespondon 1912.40 lekë, germa “b”, gjithsej masa e pensionit 8742.4 lekë. Një ushtarak që ka dalë në rezervë nga data 01.01.1999 e më pas dhe pensionin e ka përfituar pas datës 01.01.2001, me vjetërsi shërbimi 23 vjet dhe pagë referuese 21000 lekë pensioni që u ka takuar për 50% të pagës është 10 500 lekë (germa “a”) dhe 16% e pagës 21000 lekë, për 8 vjet mbi 15 vjet = 3360 lekë (germa “b”), gjithsej 13860 lekë. Ushtaraku i dalë në pension nga data 14 maj 2004 e në vijim, me vjetërsi shërbimi 18 vjet dhe pagë referuese 47000 lekë, pensioni që i përket është: 50% e 47000 lekë për 15 vjet ose 23500 lekë (germa “a”) dhe 6% e 47000 lekë = 2820 lekë për 3 vjet mbi 15 vjet (germa “b”), gjithsej 26 320 lekë.
Këto masa pensioni, nga data e lidhjes së pensionit, rriten në përputhje me përqindjet e rritjes dhe koeficientin e indeksimit të çdo viti, derisa vjen në datën 27.06.2009 kur hyri në fuqi ligji 10142, datë 15.05.2009. (Shih tabelën 1 dhe tabelën 2)
Tabela 1
Përqindjet e rritjes sipas viteve përcaktuar me VKM janë:
Për vitin 2008 4%
Për vitin 2007 4%;
Për vitin 2008 5%
Për vitin 2007 3%;
Për vitin 2006 2%
Për vitin 2005 8%
Për vitin 2004 8%
Për vitin 2003 10%
Për vitin 2002 10%
Për vitin 2001 8%
Për vitin 2000 10%
Për vitin 1999 10%
Tabela 2
Koeficientet sipas VKM Nr. 642, datë 11.6.2009 janë:
Për vitin 2009 1.00
Për vitin 2008 1.00
Për vitin 2007 1.11
Për vitin 2006 1.04
Për vitin 2005 1.02
Për vitin 2004 1.12
Për vitin 2003 1.10
Për vitin 2002 1.09
Për vitin 2001 1.14
Për vitin 2000 1.07
Për vitin 1999 1.09
Tabelë 3
Modeli i rillogaritje së pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, sipas përqindjeve të rritjes dhe koeficienteve të indeksimit, sipas viteve nga data 1 janar 1999 – 27 qershor 2009:
( Për ushtarakun me vjetërsi shërbimi 22 vjet dhe pagë referuese 13660 lekë më 1 Janar 1999, kur ka filluar trajtimin me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi)
Sikurse del nga tabela, masa e pensionit të rillogaritur në përputhje me pagën referuese 13 660 lekë më 1 janar 1999, e vjetërsi shërbimi 22 vjet, kur ushtaraku që e ka fituar pensionin e parakohshëm më 1 janar 1999 , e cila për shkak të respektimit të së drejtës së fituar sipas vendimit Nr. 33, datë 24.06.2010 të Gjykatës Kushtetuese mbetet pagë referuese për rillogaritjen, mbi bazën e pikës 2 të nenit 29 të ligjit, duke respektuar pikën 1 të nenit 14 si dhe përqindjet e rritjes dhe koeficientet e indeksimit, më datë 27.06.2009 është 56648.79 lekë. Për dy kategoritë e tjera të ushtarakëve, rillogaritja është e njëjtë, por me ndryshimin e datës së fillimit të rillogaritjes dhe të përqindjeve dhe koeficienteve që i përkasin asaj date, deri në datën 27.06.2009.
Lidhur me rillogaritjen e pensionit suplementar të pleqërisë, duke qenë se ai është caktuar në masën 1% të pagës referuese, të çastit të lindjes të së drejtës për çdo vit shërbimi, e cila përbën të drejtën e fituar, e drejtë që nga rillogaritja mbi bazën e pagës mesatare referuese rezulton më e vogël, mbetet si pension bazë, mbi të cilin aplikohet indeksimi i rritjes në përqindje dhe indeksimi sipas koeficientit të indeksimit. Kjo bëhet nga data e lindjes deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit, datë 27.06.2009. Më poshtë, po japim tabelën që i korrespondon ushtarakut me vjetërsi shërbimi 28 dhe pagë referuese 14 250 lekë, duke filluar nga 01.01.199.
Tabela 4
Modeli i rillogaritje së pensionit suplementar të pleqërisë, sipas përqindjeve të rritjes dhe koeficienteve të indeksimit sipas viteve nga data 1 janar 1999 – 27 qershor 2009:
(Për ushtarakun me vjetërsi shërbimi 28 vjet, dhe pagë referuese 14250 më 1 janar 1999 kur ka filluar trajtimin me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi )
Pensioni i parakohshëm dhe suplementar
Masa e pensionit, e rivlerësuar, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, vlerësohet si shumë përfundimtare e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi ose e pensionit suplementar:
Ky është një përcaktim tjetër i nenit 29 për rillogaritjen e masës së pensionit të parakohshëm dhe atij suplementar. Ajo që rezulton prej tij, në respektim të së drejtës së fituar, që thekson vendimi Nr. 33, datë 24.06.2010 i Gjykatës Kushtetuese, është se masa e pensionit, e caktuar sipas nenit 12 të ligjit Nr. 8087, datë 13.03.1996, i ndryshuar, në vitin përkatës të lindjes të së drejtës, i indeksuar me përqindjet e rritjes dhe koeficientin e indeksimit, do njihet si masë përfundimtare e pensionit. Këtë e fikson vetë neni 29, kur thotë: “Masa e pensionit, e rivlerësuar si më lart, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, vlerësohet si shumë përfundimtare e pensionit të parakohshëm, për vjetërsi shërbimi, ose e pensionit suplementar”. Kjo masë përfundimtare do shërbejë si bazë mbi të cilën do bëhen rritjet dhe indeksimet në vitet pasardhës.
Sa më sipër, ajo që rezulton është se për ushtarakët që e kanë përfituar pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi apo suplementar të pleqërisë, rillogaritja që përcakton pika 2 e nenit 29 e ligjit, në frymën e vendimit Nr. 33, datë 24.06.2010 të Gjykatës Kushtetuese, nuk është tjetër, veçse njohje si masë pensioni, masa e llogaritur nga vetë Sigurimet Shoqërore në çastin që i ka lindur e drejta ushtarakut e që ndodhet në dosjen personale të pensionit të secilit. Është caktimi i saj si e drejtë e fituar nga ligji i mëparshëm, dhe indeksimi i asaj mase me përqindjet e rritjes e koeficientin e indeksimit, përcaktuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave për secilin vit deri më datën 27.06.2009, kur hyri në fuqi ligji, mbi të cilin bëhet rillogaritja.
Kjo nuk kërkon as Vendimin e Këshillit të Ministrave për interpretimin e nenit 4 të ligjit për pagën referuese për efekt të përfitimeve nga ky ligj. Pritja nuk është tjetër veçse shtim i dëmit moral, dëmit ekzistencial dhe financiar të ushtarakëve, por edhe kosto më e rëndë për vetë shtetin dhe Sigurimet Shoqërore. Sa më shpejt, aq më mirë për të gjithë.
7 Gusht 2010