E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriteret e reja për specializimet e Mjekësisë



Avushe Zhuka

Fakulteti i Mjekësisë ka përcaktuar kriteret e reja për studentët që duan të kryejnë specializime në një fushë të caktuar të mjekësisë. Rregullorja e re përcakton kriteret e pranimit, mënyrën se si do të bëhet vlerësimi si dhe sistemin e pikëve që duhet të fitojë kandidati për specializant.
Kriteret
Një ndër kriteret kryesore për aplikantët e mjekësisë është zotërimi i një Diplome të Integruar të Nivelit të dytë në Mjekësi të fituar në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës ose të huaj të njëvleftshme me të. Përjashtohen nga konkurrimi ata që mbarojnë sivjet për Mjekësi te Zoja e Këshillit të Mirë. Kriteri tjetër është mesatarja që kandidatët për specializantë duhet ta kenë mbi shtatë. Mesatarja e kandidatëve për specializant është ulur ndjeshëm pasi dy vjet më parë rregullorja parashikonte që ajo nuk duhet të ishte më e ulët se 8.5. Kjo vjen për shkak të krijimit të një mundësie më të madhe që do t’iu jepet për të hyrë në garë me aplikantët e tjerë në konkurrimin që do të bëhet për t’u pranuar në specializimin 3 apo 4-vjeçar. Një tjetër kriter i përcaktuar qartë është mosha e aplikantit. Kandidati për specializant nuk duhet të jetë më shumë se 35 vjeç. Rregullorja përcakton se ai nuk duhet të ndjekë në të njëjtën kohë një tjetër specializim, apo të konkurrojë më shumë se dy herë për të fituar një specializim. Zotërimi i të paktën një gjuhe të huaj si anglisht, italisht, frëngjisht ose gjermanisht është një tjetër kriter i përcaktuar në Rregulloren e Re të publikuar nga Fakulteti i Mjekësisë. Vlen dëshmia e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Aleanca Franceze, Instituti Italian i Kulturës, Instituti Goete, Testi TOEFEL me minimumi 500 pikë, Cambridge, FCE, dhe ILTSE.
Pikët
Rregullorja e re përcakton mënyrën e vlerësimit të kandidatit për të fituar të drejtën e specializimit në një nga degët e kërkuara prej tij. Vlerësimi i aplikuesit do të bëhet me sistem pikësh, maksimumi është 1000 pikë. Nga nota mesatare e rrumbullakosur me dy shifra pas presjes dhjetore janë 500 pikë ndërsa 30 për qind e pikëve të konvertuara vijnë nga test quiz dhe nga zgjedhja e problemeve e ushtrimeve, si dhe 20 për qind e pikëve fitohen nga intervista. Rregullorja përcakton dhe vlerësimin e kandidatëve në pikë sipas notave përkatëse. Nota mesatare 10 është e barabartë me 500 pikë, nota 9 me 400 pikë, nota 8 me 300 pikë dhe nota 7 me 200 pikë. Për specializimin e Kirurgjisë Oro-Maxilo Faciale do të konkurrojnë kandidatë të cilët janë diplomuar në mjekësi të përgjithshme dhe stomatologji. Fakulteti ka bërë të ditura detaje për mënyrën sesi do të zhvillohet konkursi për pranimin e specializantëve të rinj. Konkursi i testimit me shkrim për çdo specialitet, zhvillohet pranë departamentit të shërbimit përkatës dhe drejtohet nga një komision, i cili duhet të ketë jo më pak se 3 anëtarë. Shefi i shërbimit përkatës, duhet të jetë anëtar komisioni. Komisioni propozohet nga shefi i departamentit të shërbimit, dhe më pas miratohet nga dekani. Ministria e Shëndetësisë do të ketë vëzhguesin e vet në këtë konkurs.
TAB
Kriteret e kandidatëve për t’u futur në specializim
1. Zotërojnë DIND në mjekësi të fituar në Fakultetin e Mjekësisë të UT ose të huaj të njëvleftshme me të. (Lajm, përjashtohen ata që mbarojnë sivjet për Mjekësi te Zoja e Këshillit të Mirë)
2. Mesatarja, 7 e sipër
3. Mosha, nën 35 vjeç.
4. S’duhet të ndjekë specializim tjetër ndërkohë
5. Kandidati s’konkurron më shumë se dy herë
6. Duhet të zotërojnë të paktën një gjuhë të huaj (anglisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht). Vlen dëshmia e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Aleanca Franceze. Instituti Italian i Kulturës. Instituti “Goete”. Testi TOEFEL (minimumi 500 pikë). Cambridge. FCE.ILTSE.
TAB
Vlerësimi
Vlerësimi i kandidatit do të bëhet me sistem pikësh
Maksimumi, 1000 pikë. 500 pikë të konvertuara vijnë nga nota mesatare e rrumbullakosur me dy shifra pas presjes dhjetore, 30% e pikëve të konvertuara, të rrumbullakosura me dy shifra pas presjes dhjetore do të vijë nga TEST QUIZ ose 30 problema e ushtrime në formë zgjidhjeje me shumë zgjedhje, si dhe 20% nga intervista.
Nota mesatare 10 është e barabartë me 500 pikë,
nota 9 me 400 pikë
nota 8 me 300 pikë
nota 7 me 200 pikë

Pikët e maturantëve, mbërrijnë në APRIAL formularët A2

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë të ditur se formularët A2 kanë mbërritur në APRIAL, ndërkohë që sot fillon puna për mbledhjen e pikëve nga specialistët. Ashtu si edhe një vit më parë, Agjencia Kombëtare e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë do të realizojë përcaktimin e fituesve sipas parimit Meritë – Preferencë, sipas të cilit, parimi i meritës përcaktohet sipas pikëve të grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme dhe të provimeve të Maturës Shtetërore. Parimi i preferencës përcaktohet nga vullneti i kandidatëve, i shprehur nëpërmjet preferencës më të lartë të zgjedhur prej tyre. Kjo procedurë mund të zgjatë rreth 3 javë, pasi bëhet fjalë për të gjithë të rinjtë që kanë kandiduar për tu bërë pjesë e shkollave të larta. Listat paraprake të kandidatëve fitues, në formë të shkruar dhe elektronike do t’u dorëzohen Institucioneve publike të Arsimit të Lartë, sipas programeve përkatëse të studimit. Më pas do të bëhet afishimi i listave pranë fakulteteve. Në bazë të preferencave të shënuara në këtë formular dhe pikëve që kanë marrë nga llogaritja e 5 notave të Maturës Shtetërore, do të bëhet edhe shpërndarja e fituesve nëpër fakultetet.

Ministria e Shëndetësisë, apel qytetarëve: ”Shmangni alkoolin gjatë qëndrimit në plash!”

Konsumimi i alkoolit në doza të mëdha gjatë sezonit veror jo vetëm që është shkak për aksidentet rrugore, por edhe dëmton shëndetin e personave që e konsumojnë atë. Sipas drejtorit të Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja, pijet alkoolike duhet të shmangen në mënyrë kategorike, veçanërisht gjatë qëndrimit në plazh. “Konsumimi apo abuzimi me substancat, konkretisht me alkoolin, përbën një rrezik madhor për jetën e shtetasve shqiptarë”, - u shpreh Bejtja. Sipas tij, moskonsumimi i alkoolit do të thotë reduktim të aksidenteve në 20 për qind, pasi nga të dhënat e policisë rezulton se shkaku kryesor i aksidenteve muajt e fundit ka qenë përdorimi i pijeve alkoolike. Ministria e Shëndetësisë i ka kërkuar qytetarëve të bëjnë kujdes në marrjen e rrezeve të diellit dhe në përdorimin e ushqimit i cili duhet të jetë i pastër dhe mundësisht i gatuar. Sipas drejtorit Bejtja helmimi ushqimor apo ekspozimi ndaj rrezeve të dëmshme mbeten probleme mjaft shqetësuese për këtë periudhë. Bejtja këshilloj qytetarët që të shmangin ekspozimin në diell në orët më të papërshtatshme dhe kryesisht nga ora 11 deri në 3. Më të rrezikuar nga rrezatimi ultraviolet janë personat të cilët kanë një ngjyrë më të hapur të lëkurës, sy bojë qielli dhe sidomos fëmijët. “Në rast kur shtetasit vënë re që në ambientet ku shërbehet ushqim ka papastërti, ka insekte duhet padyshim që të shmangen nga ky ambient”, - theksoi Bejtja. Gjatë sezonit turistik është rritur ndejshëm dhe numri i qytetarëve që paraqiten te mjeku për shkak se neglizhojnë kujdesin si ndaj pijeve alkoolike ashtu edhe kujdesit ndaj ushqimit apo rrezeve të diellit.

7 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›