E Diel, 1 Nëntor 2026

DEA arreston tre shqiptarë për trafik droge në kufirin SHBA-Kanada



Artan CENA
DETROIT - Pesë persona, mes tyre 3 shqiptarë, janë arrestuar në kuadër të hetimeve kundër trafikut ndërkombëtar të drogës. Media amerikane bën të ditur se në prangat e agjentëve të njësisë së Antidrogës kanë përfunduar Robert D’Leone, i njohur si “Romeo”, Vullnet Zeneli, i njohur si “Vinc” dhe Edon Shabani, i njohur si “Piloti”. Për të arrestuarin e parë mësohet se kishte dhe një urdhër arresti nga Tirana, pasi është dënuar në mungesë për një vrasje të ndodhur në Shqipëri. Të arrestuarit akuzohen për trafik të lëndëve narkotike të tipit kokainë dhe marijuanë. Pas hetimeve të kryera u arrit në përfundimin se pjesë e rrjetit kriminal ishin edhe tre shtetas shqiptarë, të cilët jetonin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Autoritetet vazhdojnë hetimet për të zbuluar anëtarët e tjerë të këtij rrjeti. Bashkë me ta janë arrestuar edhe Jeffrey Lee dhe Shaun LeCours.
Trafiku
Pesë persona të dyshuar janë arrestuar nga operacioni ndërkombëtar për luftën ndaj trafikut të lëndëve narkotike. Agjencia Amerikane kundër Drogës, DEA, ka qenë ajo që ka bërë hetimet dhe arrestimet e tre shqiptareve dhe dy amerikanëve. Në të dhënat e bëra publike, DEA ka sqaruar se tre shqiptarët janë drejtuesit e një rrjeti të trafikut të lëndëve narkotike në qytetin e Detroit. Ky është një nga qytetet ku numri i shqiptarëve është shumë i madh. Sipas të dhënave, dy prej të arrestuarve kanë pranuar çdo gjë dhe çështja e tyre ka përfunduar në gjykatë, e cila do të japë dënimin. Investiguesit e DEA-s kanë pohuar se Robert D’Leone, i cili njihet si Romeo, ka kaluar kokainë nga veriperëndimi i SHBA-ve, Miçigani, ku droga ishte mbledhur nga disa aeroporte rurale dhe më pas është transportuar në Kanada. Ndaj D’Leone ekziston dhe një urdhër-arresti i lëshuar nga Drejtësia shqiptare, pasi akuzohet për vrasje.
Arrestimet
Katër të dyshuarit e tjerë, Vullnet Zeneli, i cili njihej si “Vinc”, Jeffrey Lee, i cili njihej si “UFC”, Shaun LeCours, i cili njihet si “Piloti” dhe Edon Shabani. Autoritetet nuk kanë arritur ende të kenë detaje të shumta për katër personat e tjerë të arrestuar, se çfarë roli kishin ata në operacionet e trafikut të drogës. Agjentët e DEA-s dyshojnë se LeCours fluturonte me avion përtej kufirit amerikan në drejtim të Kanadasë, për të dërguar lëndën narkotike. Dy të arrestuarit, D’Leone dhe LeCours, mësohet se janë banorë të shtetit kanadez. Agjentët e DEA-s, sipas një informacioni nga dogana kufitare e SHBA, kanë vënë në pranga dy kanadezët dhe kanë bllokuar 2 milionë dollarë marijuanë dhe ekstazi. Sekuestrimet u bënë në aeroportin e qytetit Sandusky në nëntor.

Arrestohet i dënuari për vrasje,
kultivonte dhe Cannabis sativa
SHKODËR - Arrestohet i dënuari me 15 vjet burg për vrasje. Prej vitit 2003, Lekë Thani ishte i shpallur në kërkim dhe mëngjesin e djeshëm është vënë në pranga në banesën e tij në fshatin Planë të Shkodrës. Burime zyrtare nga Policia e Shkodrës thanë se është finalizuar me sukses operacioni i koduar “Gurra e planit”. “Drejtoria e Policisë së qarkut Shkodër, në bashkëpunim me forcat e Repartit FNSH, pas një pune të mirorganizuar, bëri të mundur kapjen dhe arrestimin e Lekë Thanit, 34 vjeç, lindur e banues në fshatin Plan të komunës Pult, rrethi Shkodër”, - thanë burimet zyrtare. Arrestimi i tij është bërë pasi ai ka qenë person i shpallur në kërkim nga ana e policisë, pasi në datën 4 prill 2003, në lagjen “Partizani” të qytetit të Shkodrës, ka vrarë me armë zjarri për motive të dobëta shtetasen Dila Kuvendi, 30 vjeçe. Pas vrasjes, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në datën 17 shkurt 2006, e ka deklaruar atë fajtor dhe e ka dënuar me 15 vjet heqje lirie për veprat penale të “vrasjes me dashje” dhe “mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”. Gjithashtu, nga hetimet e kryera nga Policia e Shkodrës rezulton se ky person është autori i kultivimit të disa parcelave me bimë narkotike Cannabis sativa, në fshatin Plan të komunës Pult, bimë këto të asgjësuara ditët e fundit nga uniformat blu. Gjatë asgjësimit të sipërfaqeve të mbjella autori ka kërcënuar edhe forcat e policisë. Arrestimi i Thanit është vërë pas hetimeve të gjata për gjetjen e tij. Policia ka bërë të mundur dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të këtij personi. Kapja e të shumëkërkuarit Lekë Thani është bërë rreth orës 04:00 të ditës së djeshme, në banesën e tij, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative për vendndodhjen e këtij personi. Nga policia janë kryer të gjitha veprimet e duhura procedurale dhe materialet në ngarkim të Lekë Thanit i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale të, “vrasjes së kryer me dashje”, “mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake“, “kultivim të bimëve narkotike” si dhe “kanosje për shkak të detyrës”.

Përplasen makinat, një i vdekur, plagoset
rëndë nënkampioni europian i peshëngritjes
ELBASAN - Një person ka humbur jetën, ndërsa 4 të tjerë janë plagosur në një aksident të ndodhur rreth orës 02:30 të ditës së djeshme në qendër të qytetit të Elbasanit. Sipas policisë, aksidenti ndodhi në kryqëzimin e “Dinamos”, në bulevardin "Qemal Stafa" në Elbasan. Mjeti tip “Golf” me targa të huaja C 652 IT, i drejtuar nga 17-vjeçari, nënkampioni i Europës në peshëngritje, Hysen Pulaku, është përplasur me një mjet tjetër po me targa të huaja, BF 541 YA. Në aksident ka mbetur i vdekur Thanas Koçi, 56 vjeç, ndërsa janë plagosur Bedri e Anila Venari, burrë e grua, përkatësisht 50 dhe 39 vjeç dhe djali i tyre 5-vjeçar. Viktima dhe të lënduarit po udhëtonin në mjetin me targa BF 541 YA. I plagosur rëndë në aksident ka mbetur dhe Hysen Pulaku, 17 vjeç, peshëngritësi i Sport Klub Elbasanit, që po drejtonte golfin. Policia dyshon se shkaktari i aksidentit ka qenë automjeti tip “Golf” me targa të huaja që drejtohej nga peshëngritësi i Sport Klub Elbasanit. Sipas verifikimeve, adoleshenti, nënkampion i Europës, ka qenë duke ngarë automjetin me shpejtësi tej normave të lejuara dhe në një moment pakujdesie ka humbur kontrollin duke u përplasur me automjetin tjetër, ku udhëtonte viktima dhe çifti i bashkëshortëve me djalin e tyre 5-vjeçar. Mësohet se me 17-vjeçarin po udhëtonin edhe dy bashkëmoshatarë të tjerë. Përplasja e automjeteve ka qenë mjaft e rëndë dhe për adoleshentin peshëngritës. Mjekët kanë thënë se 17-vjeçari ka pasur dëmtime serioze, sidomos në kokë dhe i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, e cila ka zgjatur disa orë. Më vonë mjekët kanë konfirmuar se gjendja shëndetësore e Hysen Pulakut është stabilizuar dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Arrestimet e të kërkuarve, rritet numri pas vendosjes së sistemit TIMS
TIRANË – Shpeshherë, persona të dënuar nga Drejtësia shqiptare apo e ajo huaj kalonin lirisht në kufijtë e vendit tonë. Por, prej disa kohësh kjo gjë nuk ndodh më. Çdo ditë, në komunikimet e policisë me median, bëhen të ditur raste të arrestimeve të personave të shpallur në kërkim për ngjarje të ndryshme. Historinë e moskontrollimit të kufijve dhe kalimit të personave të dënuar e ka ndryshuar përfundimisht sistemi TIMS. Sistemi i menaxhuar i kontrollit të kufijve, TIMS, prej kohësh po përdoret në të 24 pikat e kalimit kufitar në vend. E, tanimë, asnjë person me precedentë penalë, apo i dënuar nga autoritetet shqiptare dhe të huaja nuk mund të depërtojë në Shqipëri dhe të dalë jashtë saj, pasi të gjitha pasaportat përpunohen në këtë sistem që ka të integruar database-n për të gjithë shtetasit si dhe të gjithë informacionin e sistemit të Interpolit. Nëse personi është në kërkim, apo i dënuar, menjëherë kjo pasqyrohet në sistem dhe Policia Kufitare procedon me arrestimin e tij. "Drejtoria e Përgjithshme e Policisë dhe Departamenti i Kufirit, si pjesë e saj, kanë bërë të mundur implementimin automatikisht të sistemit të Interpolit. Nëse deri para pak kohësh Interpoli kontrollohej me përzgjedhje, kohët e fundit, të dhënat e database-s së Interpolit dalin automatikisht sapo të fillohet kontrolli i një pasaporte të çdo qytetari shqiptar apo të huaj. Kështu që kjo ka dhënë mundësi të plotë që asnjë person, i cili është i skeduar në database-n e Interpolit, është e pamundur që të mos konstatohet në kabinat e hyrjes apo daljes të aeroportit ‘Nënë Tereza’ dhe në pikat e tjera të kufirit të Shqipërisë", - thotë Gezim Prebibaj, kryekomisar në Pikën Kufitare të Rinasit.
Tre persona janë arrestuar vetëm në muajin korrik, nëpërmjet përpunimit të pasaportës në sistemin TIMS vetëm në Rinas. Rasti më i fundit ishte ai i një shqiptari nga Kosova, i shpallur në kërkim nga autoritete amerikane për plagosje të shkallës së parë dhe i dënuar me 20 vjet burg. Sistemi TIMS-Java, ndër më bashkëkohorët për kontrollin e kufijve, i ka bërë të padepërtueshëm ata për të gjithë elementët kriminalë, ndërsa ka krijuar lehtësira për policinë. Edhe nga pikat e tjera kufitare janë raportuar raste të shpeshta të arrestimeve të bëra falë sistemit TIMS.

Aksident te ura e Peshkatarit, 3 të plagosur
TIRANË - Një aksident me pasojë plagosjen e tre personave ka ndodhur pasditen e djeshme në periferi të kryeqytetit. Ngjarja ka ndodhur pranë Urës së Peshkatarit në Mullet, ku një triçikël ka dalë nga rruga dhe është përplasur. Si pasojë e këtij aksidenti janë plagosur tre persona, identiteti i të cilëve ende nuk është bërë i ditur. Menjëherë të plagosurit janë dërguar në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të aksidentit.

Trafikonin drogë, në pranga tre shqiptarë e dy grekë
ATHINË - Arrestohen pjesëtarët e një grupi të madh trafikantësh të lëndëve narkotike në Greqi. Grupi përbëhej nga 3 shqiptarë të moshave 24, 24 dhe 33 vjeç dhe nga dy grekë, një burrë e një grua, të moshave 48 vjeç dhe 45 vjeç. Pas shumë kërkimesh dhe në përdorim të informacioneve të marra në rrugë operative, gjatë ditës së djeshme janë identifikuar personat e që merreshin me tregtinë e ndaluar dhe me një operacion të veçantë të organizuar nga policia greke, ata ranë në pranga. Gjatë një kontrolli në banesat e tyre u gjetën dhe sekuestruan: 29.808 gramë hashash i papërpunuar, një kallashnikov, 6 300 euro, dy peshore elektronike, nëntë celularë. Të arrestuarit u morën në pyetje ditën e djeshme në mesditë.

7 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›