E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherri për një vajzë, merret peng dhe rrihet 21-vjeçari



Artan CENA
KAVAJË - Një vajzë është bërë “mollë sherri” mes disa të rinjve, ku njëri prej tyre ka përfunduar i marrë peng dhe i rrahur. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, ndërsa policia ka bërë të ditur dje se ka mundur të vërë në pranga dy prej katër agresorëve. Ermal Matranxhi, së bashku me vajzën që e kishte të dashur janë rrëmbyer mbrëmjen e dy ditëve më parë nga katër djem të rinj për shkaqe xhelozie. E gjithë ngjarja ka ndodhur pasi Haxhi Shihani prej disa kohësh donte një vajzë. Por, dy ditë më parë ai e ka parë me Ermal Matranxhin të shoqëruar. Kaq është dashur. Ai ka thirrur në ndihmë shokët e tij dhe me forcë e kanë futur çiftin brenda një makine. Më pas i kanë dërguar jashtë qytetit të Kavajës. Aty ata i kanë mbajtur disa orë dhe ndaj 21-vjeçarit Matranxhi është ushtruar dhunë fizike. Ndërkaq ata janë hakmarrë dhe ndaj vajzës, të cilën e kanë qëlluar me shpulla. Pasi i kanë treguar se ata ishin më të fortë, katër të rinjtë e kanë lënë të lirë çiftin.
Rrëmbimi
Ora shënonte 00:15 kur 21-vjeçari Ermal Matraxhi ndodhej në automjetin e tij së bashku me të dashurën e tij, me të njëjtën moshë. Në ato momente kanë kaluar dy vëllezërit, Ervin dhe Halit Kola, përkatësisht 34 dhe 36 vjeç, Haxhi Shihani, 22 vjeç dhe Marjus Kola, 21 vjeç, të cilët ishin duke udhëtuar me një automjet tjetër. Sapo kanë parë që vajza ndodhej në krahët e të dashurit të saj, ata kanë hapur derën e makinës, i kanë nxjerrë zvarrë dhe më pas i kanë futur dy të rinjtë në automjetin që po udhëtonin vetë. Më pas i kanë shpënë pranë ullishtave. Burime nga Policia e Kavajës kanë bërë me dije se katër të rinjtë kanë nisur ta rrahin barbarisht 21-vjeçarin, ndërsa vajzën e kanë qëlluar me shpullë. Pas kësaj ngjarjeje ata janë larguar menjëherë. Ka qenë vajza që ka lajmëruar policinë, e cila ka bërë të mundur dërgimin menjëherë në spital të të riut, i cili ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.
Hetimet
Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Kavajës, ndërkohë që policia ka arrestuar dy vëllezërit, Ervin dhe Halit Kola, ndërsa ka shpallur në kërkim Haxhi Shihanin dhe Marjus Kolën. Sipas hetimeve, Haxhi Shihani prej kohësh pëlqente një vajzë, të cilën nuk kish mundur dot ta bënte për vete. Por, kur e ka parë atë në krahët e një tjetër personi, është ndjerë shumë keq, aq sa ka vendosur ta rrahë djalin që ia kishte rrëmbyer. Pas disa orë hetimesh, policia e Kavajës ka bërë të mundur arrestimin e Ervin dhe Halit Kolës, ndërsa po punohet intensivisht për kapjen e dy shtetasve, Haxhi Shihani dhe Marjus Kola. Sipas hetimeve, ngjarja mësohet se ka ndodhur për motive xhelozie. Mësohet se shtetasi Haxhi Shihani e ka pasur fiksim vajzën me të cilën shoqërohej i plagosuri rëndë Ermal Matraxhi. Duke qenë edhe fiksimi i jetës së tij, tre personat e tjerë të akuzuar në këtë ngjarje i kanë mbushur mendjen që të shkonte me vajzën, por në momentin që e kanë kapur me të 21-vjeçarin, Shihani është ndjerë keq. Për këtë e ka marrë peng dhe më pas e ka rrahur barbarisht.
Materialet hetimore në lidhje me këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Mbi katër personat rëndon akuza e “heqjes së paligjshme të lirisë”.

Zihen pas shikimit me inat, një i plagosur dhe një në pranga
TIRANË - Një sherr i rastësishëm për pak sa nuk i ka marrë jetën një 18-vjeçari. Njarja ka ndodhur dy ditë më parë në Fushë-Mëzes, kur dy të rinj janë konfliktuar me njëri-tjetrin për shkaqe banale. Burime nga Policia e Tiranës kanë bërë të ditur se gjithçka ka ndodhur kur dy të rinjtë, Edmond Kola dhe Eraldo Belba, janë zënë pasi e kanë parë njëri-tjetrin me inat. Kaq është dashur që sherri të përfundonte me plagosje të rëndë. Gjatë ditës së djeshme burimet zyrtare nga Policia e kryeqytetit kanë bërë të ditur se 25-vjeçari Edmond Kola është arrestuar pasi ka qëlluar me pistoletë ndaj 18-vjeçarit Belba. Vënia në pranga e autorit të dyshuar të këtij krimi është bërë nga efektivët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Lirisë së Personit. Ata kanë bërë të mundur kapjen dhe më pas arrestimi në flagrancë të Edmond Kolës, 25 vjeç, banues në Kashar, Tiranë. Burimet zyrtare nga uniformat blu thanë se i arrestuari dyshohet se dy ditë më parë, në Fushë-Mëzes, në afërsi të banesës së tij, për motive të dobëta ka tentuar të vrasë me armë zjarri tip pistoletë 18-vjeçarin Eraldo Belba. Kola ka qëlluar ndaj Belbës dhe ai është plagosur rëndë duke përfunduar në Spitalin Ushtarak, ku i është nënshtruar një operacioni. Plumbi e kishte kapur në kraharor, por, për fat të mirë, nuk i ka prekur organet jetësore. Ka qenë një telefonatë e bërë që ka njoftuar uniformat blu për ngjarjen e ndodhur. Pas njoftimit, policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka marrë denoncimin e dëshminë e adoleshentit. Ai ka treguar se personi që kishte qëlluar ndaj tij ishte 25-vjeçari Kola. Ngjarja kishte ndodhur pas një sherri për motive banale. Pas arrestimit të Edmond Kolës policia ka bërë gati dosjen me materialet hetimore dhe ia ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për konsumimin e veprës penale të “vrasjes me dashje të mbetur në tentativë”.

Grabiten katër studentë në lagjen “Pavarësia”

VLORË - Katër studentë u sulmuan me armë në qytetin e Vlorës mbrëmjen e dy ditëve më parë në një apartament në lagjen “Pavarësia“. Policia konfirmoi se në apartamentin ku ndodhi ngjarja ishin të pranishëm katër studentë të vitit të parë, të cilët vazhdonin kurset verore. Rreth orës 02:00 pas mesnate dy persona të maskuar mësohet se kanë hyrë në apartamentin ku ndodheshin studentët dhe me anë të kërcënimit me një pistoletë dhe një thikë u kanë marrë studentëve 10 mijë lekë të rinj, një kompjuter portativ dhe gjashtë celularë. Policia ka marrë dëshmitë e katër studentëve, të cilët e denoncuan ngjarjen menjëherë pasi grabitësit u larguan nga banesa. Burime zyrtare nga Policia e Vlorës kanë thënë se ende nuk është arritur të bëhet identifikimi i autorëve të ngjarjes. Qyteti i Vlorës në këtë periudhë është i mbipopulluar nga turistët që kalojnë pushimet e verës në bregdet.

7 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›