E Diel, 1 Nëntor 2026

Mustafaj: Të ikë Bode, të vijnë Uka,Spaho e Genc Juka

Besnik Mustafaj është pothuajse i vetmi deputet i PD, që flet me emra konkretë kur bëhet fjalë për ndryshimet në Qeveri. 

Çlirim Peka

Mustafaj teksa analizon qeverisjen e PD-së është kritik lidhur me gjendjen e organizimit të PD, si dhe komenton ligjin për dosjet.
Kam lexuar me interes një artikullin tuaj të para dy ditëve në gazetën "Shqip" dhe jeni e para figurë kryesore e maxhorancës, e cila etiketoni emër dhe kërkoni largimin e një ministri. Kam pasur në studio figura kryesore të maxhorancës po kanë folur për probleme të ndryshme në qeverisje, por gjithmonë pa emra konkretë, kanë folur në përgjithësi. Z. Mustafaj keni qenë dhe shefi i marrëdhënieve me jashtë, shefi i diplomacisë shqiptare prej dy vjetësh me këtë maxhorancë, keni punuar gjatë në pozitë me zotin Bode dhe për mua personalisht ka qenë surprizë kërkesa juaj drejtuar Kryeministrit Berisha për largimin e ministrit të Financave, aktualisht sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike z. Ridvan Bode?
Unë nuk do doja të përqendroheshim tek një emër, do doja të shpjegoja para jush arsyet pse unë bëj një kritikë, një sugjerim konkret. E para, ne po hyjmë në vitin elektoral, ne duhet të punojmë në funksion të zgjedhjeve dhe në analizën që i bëj unë qeverisjes, mënyrës se si ushtrohen kompetencat, mënyrës se si ndërtohet përditshmëria e qeverisjes së këtij vendi, mënyrës se si bëhet bilanci i premtimeve, pra sa janë mbajtur premtimet e dhëna, angazhimet e ndërmarra, më çon në përfundimin se ne që duam që Partia Demokratike të fitojë zgjedhjet e tjera, se është në të mirën e vendit që Partia Demokratike të fitojë përsëri, ne tani duhet që të jemi konstruktivë në vërejtjet dhe sugjerimet që i bëjmë qeverisë sikurse dhe në mbështetjen që i ofrojmë qeverisë. Për të qene konstruktiv unë mendoj se një nga problemet kryesore që ka kjo qeveri është armiqësia që ka me biznesin. Armiqësia me biznesin është fatale për një qeveri aq më tepër kur bëhet fjalë për një parti të qendrës së djathtë siç jemi ne, e cila gjenetikisht duhet të ishte forca politike me miqësore me biznesin. Dhe unë që e njoh mënyrën se si funksionon qeveria, unë që diskutoj ligjet dhe marr pjesë në votimin e ligjeve që sillen nga qeveria në Parlament,  e di se një përgjegjësi të padiskutueshme për këtë situatë, për këtë lloj antisimpatie që ka biznesi ndaj kësaj qeverie, ka lidhje me emrin e ministrit të Financave, z.Ridvan Bode. Me shumë arrogancë dhe me mungesë kompetence sillet ndaj biznesit dhe krijon armiqësinë ndaj biznesit. Tani unë do të pajtohesha me ndonjë që thotë se janë klane të caktuara biznesi, klane të pista, të parave të pista etj, të cilët përpiqen të mbulojnë punën e tyre jo të ndershme, joligjore me kundërshtinë e biznesit, por për herë të parë ne në këtë periudhë sidomos në një vit e gjysmë, pra gjysmën e dytë të këtyre tre viteve ne kemi reagime në mënyrë institucionale të biznesit, ka reaguar më shumë se një herë Dhoma e Tregtisë. Nuk ka asnjë ligj të hartuar nga ministri i Financave dhe të ardhur në Parlament, që ka të bëjë me biznesin që biznesi ta ketë pranuar qoftë edhe me gjysmë zëri. Pra, kemi Dhomën e Tregtisë, e cila reagon, Dhomën Amerikane të Tregtisë, e cila reagon ndaj ligjeve që sjell Bode, kemi Konfindustrinë që reagon, kemi Shoqatën e Ndërtuesve që reagon, kush i ka mbetur…
Pra, gjithë bizneset bëhen kompakt për të kundërshtuar ato që Bode i quan të dobishme. Tani Bode është Sekretar i Përgjithshëm i PD, nuk është si Alibeaj, është përfaqësues politik dhe duke qenë i tillë faturën ia çon, jo vetëm qeverisë por edhe Partisë Demokratike. Pra, unë në sugjerimet e mia për kryeministrin, që janë sugjerime publike, pasi unë nuk merrem me fjalë kafenesh, janë sugjerime që unë i kam bërë edhe në mbledhjen e grupit  parlamentar, në strukturën e vetme që funksionon nga Partia  Demokratike se PD për momentin është e atrofizuar, është e nxjerrë jashtë loje, megjithëse jemi në prag zgjedhjesh sikurse thashë. Pra, në këto sugjerime unë synoj të përmirësohet qeverisja, unë synoj të përmirësohet imazhi i qeverisë, të dalin në pah ato vlera që ka kjo qeverisje, është një qeverisje me suksese të padiskutueshme. Asnjë qeveri më parë nuk ka pasur kaq suksese në kaq pak vjet, por të gjitha këto reduktohen në një perceptim negativ që kanë njerëzit për këtë qeveri, në një varfëri të shtresës së mesme dhe të shtresës së varfër. Pra, mendoj së këto sugjerime duhet të merren në konsideratë.
Pra, jeni i bindur se ministri i Financave është treguar arrogant dhe ka treguar mungesë kompetence në raport me biznesin e madh?
Jo vetëm me biznesin e madh, unë jam deputet në një zonë, ku ka mbi 3000 biznese të vogla, të cilat mbi 80% kanë votuar për Partinë Demokratike në vitin 2005, po kështu edhe në vitin 2001. Unë jam deputet i zgjedhur disa herë në këtë zonë. Pothuajse në këtë masë votuan edhe në vitin 2007 për kandidatin z.Olldashi. Nëse bëjmë sot një sondazh, pasi unë jam në kontakt të vazhdueshëm me ta, i pres shpesh në zyrë dhe mbi te gjitha, unë i njoh emër për emër pasi jam zgjedhur disa herë deputet. Pra, në këtë biznes po të bësh një sondazh do konstatosh se, qeveria sillet ndaj tij me arrogancë, nuk merr parasysh mendimet e tyre, nuk merr parasysh hallet e tyre.
Zoti Mustafaj, ju keni qenë shefi i diplomacisë, ministër i Jashtëm prej dy vitesh në këtë maxhorancë, njëri prej figurave kryesore në PD, a i keni ngritur këto shqetësime përpara se të largoheshit nga kjo qeveri, pra a i keni deklaruar këto probleme të Bodes dhe në rast se po, përse ky deklarim publik kaq i vonë?
Unë kam ikur nga qeveria para një viti e gjysmë, pra po bën kohë. I kam ngritur këto shqetësime në të gjitha instancat drejtuese, por mua më shqetëson fakti që në vend të ngjitemi në po vijmë në rënie. Po hyjmë në një etapë të re. Tani kritikat tona për vetëpërsosje duhet të jenë konkrete dhe jo më të përgjithshme. Nuk mund të shkoj unë si demokrat pas një viti para zgjedhësve dhe të quhem qeveria e gjobave. Bode i ka ngjitur qeverisë, nofkën qeveria e gjobave, që është nofka më poshtëruese që mund të ketë një qeveri në raport me biznesin. Këtë shqetësim e kanë ngritur edhe deputetë të tjerë brenda Partisë Demokratike, pra, ne jemi një maxhorancë vetëshëruese, jemi një parti politike e pjekur për të korrigjuar shënjestrën tonë dhe unë jam i bindur se vetëm në këtë mënyrë mund të përgatisim fitoren tonë.
Pra, jeni një maxhorancë që keni aftësi vetëkorrigjuese dhe keni mundësi të fitoni në zgjedhjet e vitit 2009?
Sigurisht!
Cila është forma e shërimit?
Format janë politike. Ne jemi para ndryshimeve në qeveri, unë nuk mendoj se qeveria duhet të bëjë arnime në qeveri. I zoti i punës, i përcaktuar edhe në Kushtetutë është Kryeministri, pra zoti Berisha. Ai me eksperiencën që, ka duhet të bëjë analizën e plotë të situatës, të projektojë punën e këtij viti të ri qeveritar në raport qeveritar, për mua duhet të ndërhyjë në skemën e koalicionit, pra duhet të këtë ndryshime. Por partitë aleate duhet të sjellin kapacitete më serioze në qeverisje. Partia Demokratike duhet të jetë më e përfaqësuar politikisht dhe unë jam habitur pse njerëz të provuar dhe me kapacitet si zoti Rexhep Uka, Edmond Spaho, Genc Juka etj., nuk gjenden në qeveri, edhe pse janë deputetë. Po edhe përtej grupit parlamentar mund të kërkojmë kapacitete të tjera që janë të lidhur me Partinë Demokratike, që mendojnë si kjo forcë politike, që janë anëtarë partie dhe së treti duhet të shkohet me një tjetër dinamikë përpara shqiptarëve në vjeshtë, pra që në muajt e tjerë që mbeten, deri në zgjedhje ne të tregojmë që jemi shumë seriozë.
Kthehemi në ndryshimet në qeveri, përmende emra konkretë brenda grupit parlamentar..
Emrat që përmenda i kam menduar dhe artikuluar edhe herë të tjera.
Mendoni vërtet se pjesëmarrja e tyre në qeveri do të sjellë më tepër seriozitet dhe se kreu i qeverisë e ka ketë mundësi, pasi nuk bëhet fjalë vetëm për emra, por edhe për vota?
Unë jam i bindur për një gjë, që rrallë në historinë politike tonën dhe evropiane, një kryetar partie të ketë mbështetjen që ka Berisha në grupin e PD. Ne jemi një grup kompakt, nuk i kemi shkaktuar asnjëherë tronditje maxhorancës tonë, ne nuk i kemi kthyer asnjëherë ligjet z.Berisha, edhe pse mund t'i kemi kundërshtuar ato. Mendimi për ndryshimet nuk është vetëm i imi, por edhe i deputetëve të tjerë. Dhe ju siguroj që në rast se në Parlament do të bëhej votimi i fshehtë për çdo ministër një pjesë e mirë e tyre do binin. Disa prej ministrave nuk ngjallin aspak respekt politik tek kolegët e tyre deputetë.
A i ka kjo qeveri votat për të miratuar ndryshimet në qeveri?
Nëse Berisha, si politikani më i vjetër aktualisht, e mban këtë qeveri se nuk ka votat për ndryshime unë do ta quaja një politikan të kapitulluar. Unë kurrë nuk mund ta pranoj këtë arsyetim nga një kryeministër. Mendoj se ai e mban qeverinë në këtë formë se, ashtu i duket më mirë. Kjo është një hipotezë shumë e dëmshme për imazhin e Berishës dhe për besimin që ne kemi tek ai.
U shprehët se e vetmja strukturë e kësaj maxhorance që funksionon është grupi parlamentar. Strukturat e partisë janë pothuajse inekzistente. Realisht me këtë gjendje që ka sot PD, nuk kemi parë asnjë strukturë të mbledhur, nuk e di se kur është mbledhur për herë të fundit Këshilli Kombëtar, apo kryesia e PD. Gjithsesi me këtë situatë që ka aktualisht, me figurat që konsiderohen sot figurat kryesore të PD jo vetëm mediatikisht, a mendoni se kjo forcë politike, nuk po flas si maxhorancë, mund të shkojë e qetë në zgjedhje?
Do të shkojë. Partia ka bërë një gjë që është e rëndë në jetën e një partie. Ka shkelur statutin. Zgjedhjet në parti duhet të ishin bërë të paktën përpara një viti. Nuk po bëhen, nuk po fillojnë akoma megjithëse janë deklaruar. Ne kemi një situatë, ku në filozofinë e partisë tonë organizimin në bazë, në terren e kemi pasur dhe e kemi mbështetur në mbledhjet elektorale, në mënyrë që të funksionojnë vërtet si një parti elektorale. Tani me ligjin e ri kur hiqet ndarja e zonave dhe krijohen rajonet, pra iket nga votimi maxhoritar, kalohet në votim proporcional, rajonal etj. Atëherë ne duhet të mendojmë doemos për riorganizimin e partisë në përputhje e në përshtatje me këtë ligj. Nuk mund të fillojë fushata pa u bërë kjo. Kjo kërkon ndryshimin e statutit, do të thotë se nesër normalisht kryetari i partisë tonë do të mendonte seriozisht se partia është mekanizmi, që e ka vënë atë dhe ne në pushtet, se nuk ka mekanizëm tjetër politik në demokraci përveç partisë, atëherë të nesërmen e ndryshimeve kushtetuese duhet të inicionte nëpërmjet kryesisë së partisë ngritjen e një grupi pune, i cili bën që ndryshimet e nevojshme statusore, këto ndryshime të na vijnë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, në përputhje me statutin të miratohet dhe fushata duhet të kishte mbaruar, që brenda qershorit dhe të ishin bërë zgjedhjet. Kështu do ishim me shkelje njëvjeçare të statutit, por nuk do të ishim dy vjet. Këto do të bëhen, por do të bëhen kur të jenë thelluar, çka do të thotë se nuk i vjen mirë asnjë demokrati kur thotë se po shkelet statuti, unë po mënjanohem. Sepse nëpërmjet zgjedhjeve në parti, nëpërmjet jetës në parti çdo demokrat merr pjesë në jetën politike të vendit sepse ne jemi parti pushteti, jemi një parti e madhe, nuk jemi një shoqatë. Me të gjitha këto ndryshime zgjedhjet do të bëhen brenda vjeshtës. Partia do të vitalizohet. Në drejtimin e saj nëpër rrethe do të vijnë njerëz, të cilët nuk i ka korruptuar pushteti, sepse shumë drejtues lokalë të pushtetit vendor të partisë janë duke marrë funksione e kanë lënë partinë, e konsiderojnë si një lopë që vetëm duhet mjelë, por që nuk duhet t'i japësh tagji fare. Dhe unë besoj se brenda vjeshtës do të kemi një vitalizim të PD.
Lidhur me ligjin e pastrimit të figurave, ju jeni shprehur se duhet të hapen dosjet dhe për bashkëpunëtorët, që kanë qenë në shërbim edhe të shërbimeve të huaja?
Kjo për mua është edhe më e rëndësishme. Adam Miçnik, një nga disidentët polakë më të rëndësishëm, më ka thënë mua një herë: Për ne, problem kryesor nuk është ai informatori i lagjes, i cili mund të bëhet këshilltar apo qoftë edhe deputet, nuk është shumë i rrezikshëm ai. Por për mua më i rëndësishëm është ish-informatori i KGB, i cili po u bë ministër, ambasador, gjyqtar ai mund të shformojë funksionimin e shtetit. Unë jam i bindur se shërbimet sekrete, sidomos fqinjët kanë pasur strategji infiltrimin në Shqipëri. Këto shërbime sekrete, aq sa dinë shërbimet tona sekrete, këto duhet të verifikohen. Nuk është se të dyja partitë, të dyja lidershipet janë kundër hapjes së tyre. Tradhti kombëtare bëjnë ata. Kanë bërë dhe janë gati të bëjnë prapë, ata që i kanë shërbyer shërbimeve të huaja.
Për të qenë konkretë të paktën nga figurat kryesore të PD, dy nga themeluesit e PD, zoti Berisha dhe ndaj jush e vetmja akuzë politike është se keni qenë agjentë të shërbimeve sekrete të huaja?
Liljana Hoxha ka thënë që unë kam qenë i KGB. Unë po kërkoj që të hapen dosjet. Për momentin jam i vetmi zë, që po kërkoj një gjë të tillë
Marrë nga NTV

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›