Boshkovski shpëtoi nga Haga, dënohet me 12 vjet burg në Maqedoni

Lube Boshkovski është dënuar me 12 vjet burg për ndihmë gjatë vrasjes në rastin “Rover”. Një vendim i tillë ka shkaktuar kaos në sallën e gjyqit. Pas leximit të verdiktit, Boshkovski u ngrit dhe tha se gjykatësi Ilija Tërpkov është njeri i paguar dhe se një ditë edhe ai do ulet në bankën e të akuzuarve. Gjykatësi Tërpkov u përgjigj se është bazuar vetëm në prova dhe se ka marrë vendimin e drejtë.
Sipas verdiktit, shtetasit serbë Predrag Çubrillo, Milan Iliq, Miodrag Kovaçeviq dhe Vuk Vukiçeviq, si autorë të vrasjes, u dënuan me burgim të përjetshëm. Të gjithë këta të dënuar në mungesë, janë në arrati. Po ashtu, Zoran Trajkovski u dënua me 10 vjet, Ivica Ristiq me 8 dhe Nikolla Negrievski me 6 vjet. Familjarët e të dënuarve kanë shpërthyer në nervozizëm dhe lot, ndërkohë që verdikti i tillë nuk pritej aa nga avokatët e të akuzuarve, raporton Alsat-M.
Për momentin, Boshkovski gjendet në burgun e Idrizovës ku vuan dënimin prej 5 vjetësh burg për shkak të financimit të paligjshëm të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e vitit 2011.
Ai është liruar nga Gjykata e Hagës për krime të luftës në ish-Jugosallavi, ku ishte akuzuar për vrasjen e 10 civilëve shqiptarë në vitin 2001, kur ai ishte monistër i Punëve të Brendshme të Maqedonisë./Indeksonline/