E Shtunë, 31 Tetor 2026

A do të ketë gra për kryetare komune?

Foto: Ilustrim

Në Kosovë nuk ka pasur asnjëherë ndonjë grua kryetare të ndonjërës prej komunave, dhe sivjet pritet të shihet se sa do të kandidohen ose zgjidhen për këtë post.

Deri tash disa prej subjekteve poltike thonë se janë duke biseduar për këtë çështje e disa të tjerë thonë se kjo varet prej anëtarësisë

Partia Demokratike e Kosovës nuk ka ndonjë emër deri tash, dhe sipas zyrtarëve të saj, nuk e kanë diskutuar këtë punë ende.
“Nuk ka asgjë konkrete deri tash që mund të them rreth kësaj çështjeje”, ka thënë për Indeksonline ministri nga radhët e PDK-së, Blerand Stavileci.

Partia e dytë në Kosovë për nga vota, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e përjashton mundësinë e kandidimit dhe aty  thonë se po flitet për këtë punë, megjithëse nuk ka ndonjë emër të zgjedhur.

“Është diskutuar që do të ketë edhe kandidate femra për kryetare komune nga radhët e LDK-së por nuk është vendosur. Ende nuk janë përcaktuar të gjithë emrat”, është përgjigjur deputeti i LDK-së, Arben Gashi. Nga radhët e kësaj partie tashmë janë bërë publikë 16 emra si kandidatë për kryetarë komunash dhe lista përbëhet vetëm prej burrave.

Ndërkaq në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se nuk mund të paragjykohet nëse do të ketë kandidate gra, meqë procesi i zgjedhjeve të brendshme sapo ka filluar në këtë lëvizje.

“Kandidatët potencialë për kryetar komune nga Lëvizja VETËVENDOSJE! fillimisht duhet të kalojnë në procesin e zgjedhjeve të brendshme të Qendrave përkatëse, me ç'rast çdo anëtar i interesuar mund të kandidohet nëse ai apo ajo i siguron 20% të nënshkrimeve të anëtarëve të këshillit të qendrës. Kandidatët që kualifikohen pastaj i nënshtrohen procesit të votimit nga të gjithë anëtarët e qendrës dhe kandidati që fiton më së shumti vota shpallet kandidati zyrtar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! për atë komunë. Nuk mund të paragjykojmë se a do të ketë kandidate gra nga rradhët tona, meqenëse procesi i zgjedhjeve të brendshme sapo ka filluar në disa qendra dhe ende nuk është kryer”, ka thënë për Indeksonline zëdhënësi Erzen Vraniqi

Kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tashmë kanë një kandidate të emëruar për një komunë.

“Patjetër që do të ketë. Njëra prej tyre është Donika Kadaj - Bujupi e cila do të kandidojë për Burimin. Madje, mund t’iu them se kryetari Haradinaj në mbledhjen e fundit të kryesisë së partisë ka bërë thirrje dhe ka inkurajuar sa më shumë”, kka treguar për Indeksonline zëdhënësi i AAK-së, Ernest Luma

Aleanca për Kosovë të Re ndërkaq ka mundësi ta përsërisë kandidaturën e zv/kryeministres aktuale Mimoza Kusari - Lila e cila kishte kandiduar në Gjakovë për kryetare komune.

“Ende partia nuk ka mbajtur mbledhjet për këtë çështje. Deri tash në AKR është përfolur për Mimozën për candidate në Gjakovë. Deri tash nuk ka diçka tjetër konkrete në këtë drejtim”, ka thënë deputetja e Aleancës Kosova e Re Suzan Novobërdali.

Në këto zgjedhje lokale do të votohet për 38 kryetarë komunash dhe për 998 asambleistë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›