E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosnja e ndan në fund me Francën Rusia është thuajse e kualifikuar

Rivalja më e madhe e Francës për vendin e parë, Bosnje-Hercegovina, i ka larë hesapet shumë shpejt me Luksemburgun, vendin e fundit në Grupin D, por që në shtator i rrëmbeu një fitore të merituar skuadrës së Josip Kuzhes. Nuk ka zgjatur shumë ndeshja për përfaqësuesen e shtetit të vogël të Beneluksit, kur Edin Xeko ka çelur serinë e golave në minutën e 12-të. Më pas, ka qenë Zlatan Misimoviç ai që ka dyfishuar rezultatin pas vetëm 180 sekondash duke e çuar ndeshjen në 2-0. Sërish Misimoviç fut në kasafortë rezultatin për të tijtë në minutën e 22-të, duke kapitulluar Luksemburgun ende pa nxehur mirë muskujt. Ndërsa për të mbyllur gjithçka që në pjesën e parë ka menduar Miraleim Pjaniç me golin e katërt në minutën e 36-të. Në pjesën e dytë Bosnja nuk shpenzon shumë energji pasi vendos të ruajë energji të vlefshme, ndaj mjaftohet vetëm me golin e pestë, të shënuar nga Medujanin në të 51-ën. Kështu për Safet Susiç, sfida e së martës me Francën për kreun e grupit bëhet vendimtare. Rumania ka barazuar me Bjellorusinë në sfidën që do të caktonte vendin e tretë të Grupit D. Golat për trikolorët u shënuan nga Mutu, ndërsa për bjellorusët barazuan Kornilenko dhe Dragun.

Në ndeshjet e grupeve të tjera, Rusia fiton në Sllovaki (1-0) dhe është pranë kualifikimit, ndërsa Sllovakia mbetet jashtë. Play-off në grupin B do ta ndajnë Armenia dhe Irlanda që do të luajnë të martën së bashku. Italia kualifikohet në grupin C, sikundër edhe Gjermania në grupin A, por është Turqia dhe Belgjika që mbajnë gjallë sfidat në këtë grup për shkak të vendit të dytë, me belgët dukshëm më të favorizuar. Në Grupin E, Holanda është e kualifikuar, ndërsa Suedia i afrohet play-off-it.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›