E Diel, 1 Nëntor 2026

Franca bën nxehmje me Shqipërinë para Bosnjes

SHKRUAN: Jeton Selimi 08-10-2011 16:38

Ishte njësoj si në “Qemal Stafa”, vetëm se në “Stade de France” nuk u përsërit ajo pjesë e dytë pozitive. Për Shqipërinë e Kuzhes, 90 minutat e djeshme ishin tërësisht një dishezë. Minutat e para janë thuajse një fotokopje e përballjes së 2 shtatorit. Madje shënohet në të njëjtën minutë. Remi “djeg” Vangjelin në krah dhe harkon në qendër të zonës, ku Dallku dhe Muzaka mbrojnë njëri-tjetrin, duke e lënë Maludan të lirë për të goditur. 1-0 dhe Blank gëzohet në stol. Franca e ka shumë të lehtë për të depërtuar në zonën tonë. Mesfusha kuqezi nuk ka asnjë shkatërrues dhe kjo jo për faj të Kuzhes. Luajmë me Duron, Roshin, Muzakën, Hykën dhe Likën, të gjithë lojtarë që i japin më shumë sulmit se mbrojtjes dhe këtë e vuajnë Cana me Lilën që kanë punë në çdo sulm të francezëve. Pas disa aksionesh radhazi, Loik Remi do të gjejë një hapësirë mes këmbëve të Ujkanit që mbronte shtyllën e parë dhe nga një kënd i pamundur do të realizonte golin e dytë. Minuta e 38-të dhe tani Shqipëria vendos të shohë para se nuk ka çfarë të humbasë. Por me Salihin e vetëm në sulm, i markuar rreptë nga Rami dhe Kabul, shanset për të dalë para janë thuajse zero. Kuzhe vendos të ndryshojë në pjesën e dytë. Del Hyka dhe futet Bakaj, por janë zëvendësimet e trajnerit Blank që vijojnë të bëjnë punën. Reveje, që e nis si rezervë gjen sërish të papërgatitur Ujkanin që pëson një tjetër gol në shtyllën e tij. 3-0 dhe gjithçka duket e vulosur. Kështu kroati heq Muzakën dhe hedh Januzin, heq Likën dhe hedh Sabien Lilajn. Dy të fundit, së bashku me Roshin debutojnë me fanellën kuqezi në një ndeshje zyrtare. Një gjuajtje e Salihit në minutën e 93-të është e dyta pas asaj të Gilman Likës në pjesën e parë, por që të dyja ishin qendrore pa e shqetësuar fare portierin Hugo Loris që dje ka pasur një mbrëmje shumë të qetë. Aktivizimi i elementëve të rinj ishte e vetmja gjë pozitive në një përballje tërësisht për t’u harruar, ku kuqezinjtë nuk arritën për asnjë moment të ndërtonin aksione që të befasonin kundërshtarin ose të tregoheshin agresivë në luftën për topin e parë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›