Bosnja nderon viktimat e masakrës së Srebrenicës
Qindra njerëz u mblodhën dje në Sarajevë ndërsa arkivoli gjigand me mbetjet e më se 500 myslimanëve të Bosnjës, të vrarë në Srebrenicë, u dërgua për varrim. Në mesin e personave të mbledhur për të nderuar të vrarët kishte të mbijetuar dhe familjarë të viktimave, në mizorinë më të madhe në Europë, prej Luftës së Dytë Botërore. Mësohet se mbetjet e të vrarëve do të varrosen të shtunën. Më 11 korrik të vitit 1995, trupat serbe të Bosnjës patën hyrë në enklavën e mbrojtur nga OKB-ja në Srebrenicë dhe vranë më se 8 mijë myslimanë. Kjo masakër është cilësuar si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi. Lideri i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, që është i akuzuar për krime të luftës në Bosnjë, aktualisht ndodhet në Gjykatën e Hagës, ndërsa i akuzuari tjetër, Ratko Mlladiç, ende është në arrati.
10 Korrik 2009