E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ban Ki Mun i pakënaqur: “Puna e G8-s e pamjaftueshme”



Blerina Olldashi
Sekretari i Pergjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Mun konsideron se puna e bërë për klimën nga G8 nuk është e mjaftueshme. Pas aprovimit të deklaratën për ekonominë dhe politikën, përfaqësuesit e këtij takimi u përqëndruan mbi klimën. Marrëveshja e arritur, nuk është parë me optimizëm nga numri një i OKB-së. Ban Ki Mun është shprehur se objektivi i përcaktuar nga G8 nuk është ambicioz. “Politikat që janë njoftuar deri tani nuk janë të mjaftueshme. Çështja e klimës kërkon një impenjim dhe përgjegjësi historike për të ardhmen e njerëzimit në planetin tonë”,- u shpreh Ban Ki Mun. Udhëheqësit e G8-s, që u takuan në qytetin italian L’Aquila, ranë dakord që të pakësonin me 80 për qind emetimet deri në vitin 2050. Po ashtu ata vunë si objektiv rritjen me jo më shumë se dy gradë të temperaturave globale. Ki Mun tha se ajo që nevojitej, ishte zvogëlimi substancial dhe kjo duhej bërë sa më shpejt. Ai shtoi se vendet më të pasura të G8-s duhet të ndihmonin financiarisht vendet më të varfëra për të luftuar ndotjen e mjedisit. Ndërkohë presidenti amerikan Barak Obama organizoi bisedime me pesë vendet me ekonomitë më të mëdha në zhvillim për këtë çështje. Gjendja mbetet e pasigurt edhe për stabilitetin ekonomik dhe financiar do të vazhdojë të ketë rreziqe të mëdha. Megjithëse ekspertët e FMN-së i kanë korrigjuar prognozat e tyre, duke u shprehur se në vitin 2010 do të ketë një rritje më të lartë se 1,9 për qind, për shefat e shteteve dhe të qeverive të vendeve të G8, është e rëndësishme që premtimet e bëra në Londër në takimin e G20, për një rregullim të ri të tregjeve financiare dhe një kontroll më të fortë mbarëbotëror të sektorit të financave, të mbahen. Po ashtu përfaqësuesit në takimin e G8, theksuan se do të vazhdojnë kursin e nisur për luftimin e evazionit fiskal dhe se në lidhje me këmbimin e informacioneve për çështje që lidhen me taksat, ka pasur përparime. Të një mendje ishin pjesëtarët e takimit të G8 edhe në lidhje me temën e proteksionizimit. Masat kundër proteksionizimit, duket se janë urgjentisht të domosdoshme, sidomos pas raportit të OBT-së në të cilin përmenden shtete, që kanë marrë masa proteksioniste duke mbyllur tregjet e tyre. Në lidhje me mbojtjen e klimës dhe arritjen e marrëveshjes që rritja e nivelit të ngrohjes së temperaturës së tokës nuk duhet t’i kalojë dy gradët, kancelarja gjermane Merkel tha: “Në rast se shtetet e industrializuara të botës, nuk janë të një mendjeje, atëhere nuk kemi si të biem dakord në rrethin e G20. Prandaj ne, që kemi i kemi shkaktuar kaq shumë dëme natyrës e kemi për detyrë të jemi pararojë, në lidhje me mbrojtjen e klimës. Ne jemi gjithashtu ata, që kemi qenë bashkëshkatarë të krizës ekonomike botërore. Për këtë bota pret nga ne me të drejtë, që të japim këtu të parët kontributin tonë”.

10 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›