E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosnja, në prag të një krize të re

Në piano-barin e hotel "Bosnja" në qendër të Banja Lukës, ish-ministrja e Republikës Serbe (Republika Srpska) Svetlana Ceniç, pi njëra pas tjetrës cigaret ndërsa flet për gjendjen e banorëve me etni serbe në Bosnjë. "Jetoj në vendin më të korruptuar në Evropë, në një lloj diktature ku njeriu nuk gëzon të drejta. Nuk punoj dot këtu. Ato pak herë që kam pasur kompani të interesuara, ka ndërhyrë qeveria. Në lajme më quajnë spiune e tradhtare. Madje njerëzit më ndalin në rrugë e më thonë se duhet të më arrestojnë". Mëkati i ish-ministres është se konsideron "çmenduri" korrupsionin ekonomik që ka përfshirë Republikën Serbe të Bonjës, krahinë me autonomi të gjerë e Bosnjës dhe Hercegovinës. Thotë se është një vend ku edhe politika është korruptuar në masë të rrezikshme nga retorika e identitetit kombëtar.

Në Sarajevë, tri orë larg me makinë, në zemër të federatës myslimano-kroate, Danis Tanoviç, regjisor boshnjak fitues i çmimit "Oskar", është po aq i zymtë. "Toka e askujt", film i shkruar dhe i drejtuar nga Tanoviç, ka fituar çmimin për filmin më të mirë të huaj në vitin 2001. Filmi është një satirë e zezë mbi luftën e Bosnjës (1993-95) ku humbën jetën 100 mijë vetë. Sot është përfshirë aktivisht në politikë me shpresës e do arrijë të rregullojë diçka. "Bosnja ka ngecur", thotë me keqardhje. "Të gjithë thonë se është në krizë. Po si i bëhet për të dalë"?

"Kriza" e Bosnjës, për të cilën flitet gjatë gjithë kohës këto ditë, është e vështirë të përkufizohet. Bosnja nuk është shtet i dështuar. Të paktën deri tani. Por është pak si shtet zombi. Si Afganistani dhe Iraku, Bosnja ka dalë nga konflikti falë ndërhyrjes së huaj. Në pamje të jashtme duket se zotëron institucionet e duhura të demokracisë, por kritikët thonë se këto institucione janë në kllapi në shumë aspekte. Pedi Eshdaun, ish-përfaqësuesi i lartë i OKB-së për Bosnjën, thotë se është një shtet i cili nëse nuk vihet me shpejtësi nën kontroll do të "kthehet në një brimë të zezë keqfunksionimi, korrupsioni dhe tensionesh në mes të Bashkimit Evropian".

Sot, Bosnja është në prag të falimentimit ekonomik me koeficientin e papunësisë që i kalon 40 përqindëshin. Edhe politikisht, Bosnja është në prag të falimentimit. Korrupsioni paraqet përmasa të rrezikshme, si në Republikën Serbe ashtu edhe në federatën kroato-myslimane. Lideri i partisë kryesore kroate, Dragan Çoviç, gjendet nën akuza për abuzim me postin lidhur me devijimin ilegal të disa fondeve, ku është përfshirë edhe ish-kryeministri Ethem Bikaçiç. Është raportuar gjithashtu se Milorad Dodik, ish-kryeministri serb, gjendet nën hetim për abuzim me pushtetin dhe korrupsion prej miliona eurosh. Raportet mes federatës dhe Republikës Serbe mbeten gjithnjë të tensionuara.

Ndërkohë që në të gjithë vendin po luhet një skenar politik me ngarkesa të forta etnike prej një kaste liderësh që përdorin kartën e frikës dhe mosbesimit të ndërsjellë. Fryma e dasisë po merr përsëri përmasa aq të forta sa disa analistë mendojnë se dizintegrimi është shumë i afërt - që me shumë gjasa do të thotë luftë - megjithëse shumë boshnjakë e hedhin poshtë këtë mundësi. Është një skenar që luhet në masë të madhe përreth figurave të Kryeministrit Dodik dhe Haris Silajxhiç, politikani më me peshë boshnjak në federatën myslimano-kroate. Secili e zhvillon betejën nga kështjella e vet, respektivisht Banja Luka dhe Sarajevo. Që të dy janë pagëzuar nga diplomatët e huaj "Binjakët e tmerrshëm" të Bosnjës.

Dodik, ish-basketbollist, biznesmen i pasuruar gjatë luftës, gjatë dy viteve të fundit ka folur disa herë për mundësinë e shkëputjes së serbëve. Gjatë gjithë këtyre kohëve ka krijuar me qetësi një sistem paralel institucionesh në mënyrë që Republika Srpska të mund të shkëputet me shpejtësi nëse vendos ta bëjë këtë. Dhe nuk është i vetmi që i fryn zjarrit të nacionalizmit. Në federatë, nacionalistët myslimanë dhe kroatë gjithashtu kanë folur për shtete të vetat. Binjaku i Dodikut nga Sarajeva i ka mëshuar idesë së shpërbërjes së Republikës Serbe, nën justifikimin se është themeluar në "gjenocidin" e Lutës së Bosnjës.

Nga ana e serbëve të Bosnjës ndjenja nacionale ka qenë gjithnjë e fortë. Në anën boshnjake, lufta për identitet - i shtypur shumë gjatë në kohën e Titos - po shfaqet e pasqyruar më së forti me islamizimin e shoqërisë, si dhe në idenë e përhershme që e sheh këtë komunitet si viktimën kryesore të luftës. Është më se e dukshme në forcimin e fuqisë së komitetit islamik, e pasqyruar së fundi përmes ndërtimit të një qendre tregtare ku ndalohet tregtimi i pijeve alkoolike dhe i mishit të derrit. "Jemi larg asaj që ndodhi në vitet nëntëdhjetë", thotë Tanoviçi i dëshpëruar. "Por flitet shumë për ndarje. Dhe në rast se ndodh, në rast se arrijnë ta bëjnë, nuk kanë më pse ta duan njëri-tjetrin".

Por ka edhe diçka tjetër që vepron në fragmentarizmin e politikës boshnjake. Retorika e ndarjes gjen jehonë pasi politika e zakonshme, ajo që merret me çështje si varfëria, papunësi apo mbrojtje sociale, ka dështuar në mënyrë shumë evidente. "Pas luftës, komuniteti ndërkombëtar u vuri kapak atyre që ndodhën", thotë Ivan Lovrenoviç, autor dhe kritik i njohur nga Sarajeva. Si dhe shumë të tjerë ai nuk fajëson vetëm politikanët vendas për krizën ku gjendet sot vendi, por edhe mënyrën si i ka trajtuar faktori ndërkombëtar problemet e shumta që ka ky shtet. "Mund të jetë paradoks, por faktori më i rëndësishëm i krizës është vetë marrëveshja e paqes së Dejtonit (falë së cilës mori fund lufta). Ajo la një strukturë politike, e cila nuk mund të bëjë tjetër veç të krijojë probleme të mëtejshme", thotë Lovrenoviç. "La Republikën serbe në njërën anë, që në thelb është shtet më vete, dhe në anën tjetër një federatë me strukturë krejt tjetër... është një eksperiment laboratorik, qëllimi i të cilit nuk është suksesi".

Megjithatë nuk mendon se kolapsi dhe dhuna janë fare pranë, por se sigurisht gjendja duhet parë me shumë kujdes. "Synimi i serbëve të Republika Srpska nuk është shkëputja, pavarësisht asaj që mund të thonë liderët e tyre. Kërkojnë arritjen e një autonomie më të gjerë. Është kjo arsyeja për të cilën serbët nuk e duan konsolidimin politik të shtetit".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›