E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Brezi i xhinseve"

Bjellorusia është diktatorja e fundit e Evropës, ku edhe pantallonat mitike amerikane janë shkelje. Të rinjtë kërkojnë më shumë liri dhe modernizëm. Vajzat sfilojnë para agjencive të modës, duke ëndërruar një të ardhme prej më të mirë

Në Minsk "gurzuf"-ët luajnë me fizarmonikë përpara qindra të rinjve. "Belarus rocks my world" është emri i një grupi i regjistruar në "Facebook" (720 anëtarë), i cili i dedikohet Bjellorusisë, faqja e dytë në internet më e klikuar pas "Free Belarus", e cila numëron plot 2191 anëtarë.

Kjo është Bjellorusia: një botë moderne, me "wireless", me 500 grupe të regjistruara në "Facebook", atdheu i një populli të ri që nga njëra anë "ushqehet" me muzikë dhe internet, ndërsa nga ana tjetër është i shtypur nga një President i cilësuar si diktatori i fundit i Evropës. Alexander Lukashenko është një burrë i gjatë e i mbushur, me mustaqe si të Stalinit dhe sy të çakërdisur: një përzierje mes një diktatori sovjetik dhe një sulltani arab. Në jetën private shumë pak njerëz kanë mbetur skllevër të mitit të tij, megjithatë në publik të gjithë e mbështesin, ndërsa në telefon kundërshtarët flasin për të me kode. Gjithsesi, ta rrëzosh nga pushteti Lukashenkon është pothuajse e pamundur, madje as një revolucion nuk do t‘ia dilte mbanë. Në këtë vend, policia vazhdon ende të quhet KGB. Të paktën gjysma e popullsisë është sinqerisht gati të votojë sërish "batja"-n (babanë) e kombit. Gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare të 2006-s (të tjerat do të zhvillohen në 2011-n), Lukashenko mundi kundërshtarët me 82 për qind të votave. Sipas OSBE-së dhe kujtdo që ka shkelur në Bjellorusi, këto zgjedhje ishin të manipuluara. Por edhe sikur të kishte ndodhur e kundërta, pra nëse nuk do të kishte manipulime, sërish Lukashenko do të dilte fitimtar. Të parët që e mbështesin dhe e duartrokasin fort janë të moshuarit. Ai u ka siguruar një pension të rregullt, stabilitet politik dhe ekonomik, i ka mbrojtur nga terrorizmi dhe të këqijat, që kanë përfshirë anembanë botën.

Bjellorusia e di mirë se çfarë po ndodh në pjesën tjetër të planetit, për shkak të krizës ekonomike. Kaosi ndërkombëtar ka gjetur vend edhe në kanalet e shtetit, të vetmet ekzistuese. "Falë Lukashenkos, Bjellorusia nuk është prekur nga fatkeqësitë e globalizmit", thotë një e moshuar, e cila jeton me pulat saj në një lagje të vogël, gjysmë ore larg Minskit. Në vendin e saj nuk do të ketë kurrë demokraci, apo respekt për të drejtat e njeriut, por gruaja e moshuar u drejtohet me këto falë të rinjve dhe mbesës 30-vjeçare, e cila është një kineaste e famshme dhe kundër Presidentit: "Ju dëshironi të kemi fatin e Ukrainës?".

"Gogoli" i popullit të Lukashenkos është Kievi: kacafytjet që në Ukrainë ndajnë Viktor Jushenkon nga Julia Timoshenko shfaqen çdo ditë në orën 20:00 të mbrëmjes në ekranet e vogla të bjellorusëve. Gazetat e opozitës "Narodnaya Volya" (Vullneti i popullit) shihen vetëm në duart e të moshuarve.

Por pavarësisht një Presidenti tiran, që burgos kundërshtarët, urdhëron vrasjet e gazetarëve, kontrollon mediat dhe një polici mizore që është në shërbim të tij, jeta e natës në Minks është shumë zhvilluar. Ka lokale nëntokë, artistë, grupe teatrale të hapura dhe novatore. "Londra" një prej bareve më të famshme të Minskit, që ndodhet në "Sheshin e Pavarësisë", caktojnë takimet kineastët, regjisorët dhe aktorët vendas. Aty mund të gjesh "wireless", filxhanë me çaj, gota me "whisky", poltronë komodë, mure të zbukuruara me fotografitë e protagonistëve të festivaleve ndërkombëtare.

Ajo që e lidh Moskën me Minskin është dykuptimësia: vetë Lukashenko është skllav i kësaj, që nga njëra anë vë në lojë atë që flet bjellorusisht dhe nga tjetra, sa herë i jepet rasti e thekson identitetin e tij bjellorus.

Gjatë festimeve për 90-vjetorin e themelimit të Republikës Bjelloruse, u arrestuan 100 persona. Muajt e fundit, Lukashenko, është përpjekur të gjejë një zgjidhje për t‘u shkëputur nga Rusia, duke iu hapur Brukselit: nëse sot qeveria kontrollon 75 për qind të ekonomisë, Minski i ka premtuar Bashkimit Evropian se do të jetë më shumë e pranishme në bizneset e huaja dhe private që ndodhen në vend. Në të kundërt, edhe pse të drejtat e njeriut nuk janë përmirësuar, Brukseli do t‘i heqë të drejtën Lukashenkos dhe elitës bjelloruse të udhëtojnë në territorin evropian.

Kriza financiare globale ka prekur edhe Minskin, por ky i fundit ka marrë masa për ta parandaluar: pika e parë dhe më e rëndësishmja është vendimi për të importuar disa marka të huaja, duke filluar nga bluzat, te çokollatat, majoneza, tapetet dhe biçikletat. Këto produkte tregu vendas nuk i prodhon, e si pasojë mungojnë. Ekonomia bjelloruse prodhon vetëm makineri, minerale dhe vajza të bukura. Këto të fundit merren nga disa agjenci mode të pranishme në vend dhe dërgohen në pasarelat e Evropës. Pak vajza, si Tania, Dziahileva dhe Olga Sherer, arrijnë t‘ia dalin mbanë. Të tjerat bëhen pastruese dhe prostituta. Gjithsesi, askush nuk beson se Lukashenko dëshiron t‘i afrohet Bashkimit Evropian. "Rinia lufton e vetme. Politikanët vazhdojnë të qëndrojnë të ndarë. As Aleksandër Milinkeviç dhe as Aleksandër Kosulin, që Lukashenko i ka nxjerrë nga burgu, nuk janë bërë liderë kombëtarë dhe ky është një problem", shpjegon një regjisor teatral. "Mes Evropës dhe Bjellorusisë qëndron një mur i madh. Shumë bjellorusë ndihen pjesë e shoqërisë evropiane dhe nuk dëshirojnë të bashkohen me Rusinë. Brukseli duhet të bëjë më shumë".

Perëndimi është një vegim në diktaturën e fundit të Evropës. Nëpër dyqanet e vendit mungojnë çokollatat e zakonshme që pëlqejnë të gjithë fëmijët e botës. Këtu përdoren ende petullat e gjyshes dhe ato të lokaleve të vjetra tradicionale. Markat e huaja vazhdojnë të jenë të ndaluara. Për këtë arsye, rrëmujat gjatë zgjedhjeve presidenciale u pagëzuan me emrin "jeans revolution" (revolucioni i xhinseve): në 2006-n në Minks disa lloje xhinsesh u ndaluan që të visheshin nga të rinjtë. Në rrugën kryesore, gjendet një dyqan i "McDonald‘s", por frekuentohet vetëm nga të privilegjuarit. Minski është një Moskë e vogël, pa dyqane luksoze, me klasicizmin e Stalinit dhe pa reklama. Në "Sheshin e Pavarësisë" ndodhet Pallati i Republikës, ku zakonisht Presidenti bën mbledhjet e tij. Është një vend i zbrazët, me ndonjë lule përreth, ku në kohë manifestimesh, altoparlantët e fiksuar në tavan, pranë neoneve, lëshojnë muzikë të fortë për të "mbytur" zërat e protestuesve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›