Bosnja, pranë suspendimit - përfiton Shqipëria

Federata e Futbollit e Bosnje dhe Hercegovinës refuzoi një kërkesë nga FIFA dhe UEFA që ta zvogëlojë numrin e presidentëve nga tre në një, duke i lënë ata në rrezik të suspendimit nga ndeshjet ndërkombëtare.
Nëse ky statut nuk ndryshohet brenda dy muajve të ardhshëm, Bosnja e Hercegovina rrezikon t’i shuajë shpresat e kualifikimit për në Euro 2012. Ky është lajm i shkëlqyeshëm për Shqipërinë, që gjendet në Grupin D dhe aktualisht ka 8 pikë, po aq sa Bosnja.
Në rast të suspendimit të Bosnjës, të gjitha ndeshjet e saj do të cilësohen me 3 pikë për kundërshtarët dhe kjo do ta ngriste Shqipërinë edhe më tepër në renditje, pasi në ndeshjen e 8 tetorit ato luajtën baras 1-1. Bosnja, që mposhti Rumaninë 2-1 të shtunën, më 7 qershor ka në orar përballjen me Shqipërinë.
FSBiH reflekton strukturimin politik të shtetit në divizione etnike pas luftës 1992-95. Ajo përbëhet nga dy asociacione: një prej serbëve nga Bosnja dhe tjetra e ndarë nga boshnjakët dhe kroatët e Bosnjës. Së bashku ata janë të udhëhequr nga presidenca treanëtarëshe e përbërë nga një boshnjak, një kroat dhe një serb.
Sikurse në politikë, serbët e Bosnjës nuk pajtohen me konceptin e një presidenti sepse frikësohen se kjo mund ta rrezikojë autonominë e tyre. Të gjithë delegatët e serbëve të Bosnjës dhe një numër i kroatëve nga Bosnja votuan kundër ndryshimit.
Bogdan Ceko, kreu i asociacionit të serbëve të Bosnjës, u tha mediave pas takimit se ai “nuk ndihet personalisht përgjegjës për këtë, por mund të flasim për përgjegjësi kolektive”.
Serbët e Bosnjës e bazojnë refuzimin e tyre në konstituimin e shtetit të shkruar më 1995 gjatë bisedimeve të paqes në Dayton, Ohio. Marrëveshja paqësore ndërpreu luftën në Bosnjë, por ndau vijat etnike dhe solli presidencë treanëtarëshe në vend.
Presidenca e tre anëtarëve nuk është konform standardeve të FIFA-s, por kjo u tolerua për disa vite nga FIFA dhe UEFA, që ishin të vetëdijshme për problemet politike të Bosnjës. Në tetor të vitit të kaluar, ato njoftuan Bosnjën se 15 vite pas Daytonit, periudha e tranzicionit ka marrë fund dhe nëse shteti nuk u përmbahet rregullave deri në mars, do të suspendohet.
Në atë kohë, serbët kishin thënë se do të ndryshojnë strukturimin aktual, por se tre presidentët mund të udhëheqin në rotacion çdo 16 muaj. Suspendimi do t’i dënonte ata në Bosnjë që votuan për rregullat e FIFA-s dhe UEFA-s, ndërsa do t’i shpërblejë ata që votuan kundër tyre, sepse banorët nga regjioni serb i shtetit nuk përkrahin as Kombëtaren e Bosnjës.
Ata përkrahin Kombëtaren e tyre, Serbinë, dhe nuk do të ishin të pakënaqur në rast të suspendimit të skuadrës së Bosnjës. Suspendimi i Bosnjës nga futbolli botëror pritet të konfirmohet në takimin emergjent të komiteteve të FIFA-s dhe UEFA-s, të kryesuar nga presidentët e tyre, Sepp Blatter dhe Michel Platini, të enjten.
Suspendimi nga futbolli botëror i pamundëson kombëtares, klubeve dhe gjyqtarëve të marrin pjesë në ndeshje ndërkombëtare. Zyrtarët po ashtu janë të ndaluar nga kontributi i tyre në futbollin ndërkombëtar, ndërsa fondet nga organet botërore dhe evropiane do të ngrihen.