Torres nuk ndien presion

Sulmuesi i Chelseas, Fernando Torres ka insistuar se nuk ndihet nën presion shtesë që është përforcimi më i shtrenjtë në futbollin britanik.
Reprezentuesi spanjoll u largua nga Liverpooli për në Chelsea për 50 milionë funte në ditën e fundit të afatit kalimtar të janarit. Torres ende nuk ka shfaqur formën e tij më të mirë për skuadrën londineze dhe ende është në kërkim të golit të parë. Megjithatë, ai thotë se nuk vuan nga barra e parashikimeve dhe e sheh çmimin e paguar për të si kompliment dhe përkrahje në vetëbesimin e tij.
I pyetur nëse përforcimi më i shtrenjtë në Premierligë nënkupton presion më të madh ndaj tij, Torres i tha të përditshmes sportive spanjolle AS: Jo, aspak. Për mua ka qenë test i madh i vetëbesimit.
Fakti se Chelsea pagoi aq shumë para për mua demonstron se pronari Abramovich dëshiron të krijojë ekipin më të mirë të mundshëm. Ai ka ambicie dhe nuk do të ndalet, derisa të fitojmë Ligën e Kampionëve, që është ëndrra e tij”.
Chelsea takohet me rivalin e Premierligës, Manchester United, në çerekfinale të Ligës së Kampionëve dhe Torres vlerëson shanset e kualifikimit në 50-50. “Mendoj se jemi në 50-50”, u shpreh ai. Torres ka pranuar se ëndërron të takohet me një skuadër spanjolle në finale të Ligës së Kampionëve. “Do të doja të luaja në finale me Chelsean kundër një ekipi spanjoll”, përfundoi ai.