E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miqësoret janë humbje kohe

Menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, kritikon miqësoret ndërkombëtare, duke thënë se këto përballje nuk kanë vlera. Ai ankohet se gjatë këtyre takimeve humb gjashtë ose shtatë futbollistë kryesorë të skuadrës. Ndërsa shpreh përkrahjen për garat e rëndësishme si Kampionati evropian dhe ai Botëror. Nga Express më 30 mars 2011 në ora 08:18

Menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, e ka quajtur konceptin e miqësoreve ndërkombëtare “një humbje kohe”. Strategu skocez është në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku të martën njoftoi për turneun veror të Manchester Unitedit.

Por, Ferguson është sigurisht i vetëdijshëm për miqësoren mes Anglisë dhe Ganës të martën mbrëma, që erdhi vetëm 48 orë pas ndeshjes në të cilën Skocia u mposht 2-0 nga Brazili në Emirates Stadium. Ferguson, ish selektor i përkohshëm i Skocisë nga 1985-1986 para ardhjes së tij në Old Trafford, e kupton caktimin e këtyre takimeve.

Por, duke pasur parasysh se gjatë zhvillimit të këtyre miqësoreve skuadra e tij humb shumë prej futbollistëve kryesorë – përfshirë sulmuesin kryesor Wayne Rooney, i cili megjithatë ishte njëri prej pesë futbollistëve të liruar nga selektori Fabio Capello të hënën – Ferguson nuk e sheh vlerën e tyre.

“Jam në përkrahje të çdo gare. Futbollistët duhet të luajnë në gara të rëndësishme si Kampionati evropian, Kampionati botëror”, tha Ferguson për stacionin digjital amerikan Sirus XM.

“Por, miqësoret janë humbje kohe, sa më përket mua. Gjithmonë e them këtë. Është e kuptueshme për një trajner. Ju keni futbollistët në një periudhë kur ata do të luajnë rol të rëndësishëm në ndërtimin dhe formën e ekipit. Por, sa herë që ka miqësore, ju merrni gjashtë ose shtatë ftesa. Nganjëherë është e padobishme për një trajner të mundohet të punojë rreth kësaj për shkak të mungesës së futbollistëve”, theksoi Ferguson.

Manchester United gjatë turneut veror në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të zhvillojë pesë ndeshje, me fillim në Boston më 14 korrik, ndërsa do të përmbyllet me një përballje të rangut të lartë me konkurrentin tjetër për titull nga Liga e Kampionëve, Barcelonën, në Washington më 30 korrik.

Klubi tashmë ka konfirmuar se do të takohet me skuadrën All-Star të Major League Soccer në Red Bull Arena, në New Jersey më 27 korrik.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›