E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi pjesë e Adriatik 3

Helsinki -Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi janë pjesë e kartës së Partneritetit, Adriatik 3. Gjatë ceremonisë në fjalë morën pjesë Ministrat e Punëve të Jashtme Basha, Milloshoski, Gordanoviç, Alkalaj, Rocen dhe Zv.Sekretari Amerikan i Shtetit z. Daniel Fried.
Të gjithë të pranishmit në takim theksuan se Karta e Partneriteti Adriatik 3, fillimisht e nënshkruar mes SHBA-ve, Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë, ka dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm në përshpejtimin e ritmeve të reformave të vendeve kandidate për t’u anëtarësuar në NATO, duke ndikuar në krijimin e një klime mirëbesimi të ndërsjelltë mes vendeve të rajonit.

Në vijim, u vlerësua se akti i aderimit i Bosnje-Hercegovinës dhe Malit të Zi në Kartë është shprehje e aspiratave dhe përpjekjeve për integrim Euroatlantik të dy vendeve dhe do të kontribuojë në rritjen e sigurisë, stabilitetit dhe paqes në rajon.

Ceremonia e nënshkrimit përfundoi me një deklaratë të përbashkët, në të cilën theksohet se ky akt do të kontribuojë në krijimin e një Evropë të bashkuar, të lirë dhe në paqe.

Zv.Sekretari Amerikan i Shtetit, Z. Daniel Fried, ndër të tjera, shprehu bindjen se edhe administrata e ardhshme e SHBA-ve, përfaqësuar nga Presidenti i zgjedhur, Barak Obama dhe senatorja Hillary Clinton, do të ndjekin të njëjtën politikë në drejtim të zgjerimit të Aleancës dhe në mbështetje të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Duke shprehur mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për perspektivën euroatlantike të Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi dhe gjithë rajonit, z. Basha siguroi homologët e tij se vendi ynë është i gatshëm të bashkëpunojë dhe të ndajë përvojën e fituar gjatë këtyre viteve me dy partnerët e rinj të Kartës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›