Bosnjë, operacion tjetër në kërkim të Mlladiçit

Forca e BE-së në Bosnjë ushtroi so kontrolle në një ndërmarrje pyjore në afërsi të Sarajevës në kërkim të sigurimit të informacioneve mbi vendndodhjen e Ratko Mlladiçit, ish-shefi ushtarak në arrati i serbo-boshnjakëve i kërkuar për gjenocid, njoftojnë burime zyrtare. Ushtarakët e forcës evropiane filluan në orën 06:30 kërkimet në një zonë shumë të izoluar pranjë Sarajevës, bëri të ditur Eufor-i pëmes një komunikate.
Ky operacion i urdhëruar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, TPI, për ish-Jugosllavinë, u ndërmor për "mbledhjen e informacioneve që mund të ndihmojnë në gjetjen e ish-gjeneralit Mlladiç", vazhdon burimi. Por, disa autoblinda të Eufor-it bllokuan për tri orë, duke filluar nga ora 05:15 (03:15 GMT), hyrjen në rrugët që të çonin në lokalitetin Han Pijesak, që ndodhet 75 kilometra në veriperëndim të Sarajevës dhe afër me vendet ku po zhvillohen kontrolle, njoftoi agjencia Srna. Në Han Pijesak ndodhej shtabi i përgjithshëm i ushtrisë serbo-boshjake gjatë luftës së viteve 1992-1995 në Bosnje. Operacioni i mëparshëm i Eufor-it me objektiv gjetjen e informacioneve për Mlladiçin është zhvilluar në mes të marsit. Gjatë këtij operacioni janë zhvilluar kontrolle lidhur me një ish-bashkëpunëtor të afërt ushtarak të gjeneralit në mërgim, në Banja Luka (në veri).
Ratko Mlladiç, 67 vjeç, ndodhet në arrati që pasi është akuzuar nga TPI-ja në vitin 1995 për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit për rolin e luajtur në luftën mes komuniteteve të Bosnjës.
Ai akuzohet gjithashtu për masakrën e Srebrenicës, ku janë vrarë rreth 8 000 burra dhe adoleshentë myslimanë në korrik të vitit 1995 nga forcat serbo-boshnjake dhe për rrethimin e Sarajevës që shkaktoi më tepër se 10 000 të vdekur gjatë luftimeve.