Topi uron Vaçe Zelën me rastin e 70 vjetorit të lindjes
Presidenti Topi, përmes një telefonate i ka shprehur sot urimet më të përzemërta Artistes së Popullit dhe Nderit të Kombit, këngëtares së madhe shqiptare, Vaçe Zela, me rastin e 70-vjetorit të lindjes. Presidenti Topi, duke vlerësuar interpretimin e jashtëzakonshëm të këngëve të muzikës së lehtë e popullore shqiptare së këngëtares Vaçe Zela, që me zërin e jashtëzakonshëm mbushte me energji skenat shqiptare me këngët që edhe sot mbeten tepër të preferuara nga publiku, i uroi ikonës së shenjtë të muzikës shqiptare shëndet dhe jetë të gjatë. Presidenti i Republikës theksoi se figurat e shquara kombëtare, perlat e muzikës shqiptare, gjithnjë do të jenë në vëmendjen e shtetit shqiptar dhe do të kenë mbështetjen e duhur për kontributin e dhënë në evidentimin e vlerave të artit e të kulturës shqiptare. Sonte në darkë, në Pallatin e Kongreseve, nën kujdesin e Zonjës së Parë, Teuta Topi do të zhvillohet një mbërmje "Gala" për nder të këngëtares së madhe: "Vaçe Zela, një grua, një mit". Ky koncert, i cili gëzon vëmendjen e veçantë të Zonjës së Parë, Teuta Topi është i pari i këtij lloji kushtuar këngëtares së shquar në 70-vjetorin e lindjes së saj dhe në të do të këndohen rreth 15 këngë nga artistë të ndryshëm si Qemal Kërtusha, Irma Libohova, Myfarete Laze, Sidrit Bejleri , Vikena Kamenica, etj.