Bossi bleu diplomën, fillon goditja e universiteteve private
Tiranë- Mediat italiane vijojnë ti kushtojnë një vëmëndje të veçantë skandalit të diplomës shqiptare të djalit të ish-kreut të Lega Nord, Renzo Bossit si dhe një investigimi që ka nisur në Shqipëri për cilësinë e diplomave të lëshuara nga institucionet private të Arsimit të Lartë.
Në artikullin e sotëm “Renzo Boosi, në telashe universitetin e Tiranës, Diploma e blerë, Pezullohet licensa” gazeta ‘Corriere della Sera’ shkruan se si gjithmonë shërben një perendimor për të përmisuar gjërat në Shqipëri. E pikërisht kështu e nis artikullin e saj prestigjozia italiane duke rikthyer sërish në vëmëndje skandalin me diplomën shqiptare të Bossit i cili rezulton i diplomuar në universitin privat ‘Kristal’.
Sipas gazetës ky është komenti që qarkullon në gazetat lokale dhe në faqet e interneti lidhur me zgjidhjen e situatave në vendin tonë. Dhe që i parapriu vendimit të qeverisë së Sali Berishës për ta pezulluar universitetin ‘Kristal’, për të paktën një vit. I njëjti universitet që i ka dhënë Renzo Bossit diplomën bachelor në ‘Administrim Biznes’.
Ndërkohë shkruan gazeta “Kristal’ ka vendosur të mos bëjë komente mbi pezullimin por po bashkëpunon me hetuesit. ‘Zërat që qarkullojnë në Tiranë tonë se ky është vetëm fillimi i një goditjeje për institucionet private që janë rreth 60 për vetëm 3 milionë banorë’- vijon ‘Corriere della Sera’.
Gazeta i referohet burimeve nga Prokuroria e Tiranës, të cilët po hetojnë dokumentin e lëshuar për ‘Troftën’ e pasi po shfletojnë regjistra dhe çertifikata nuk kanë dyshime: ‘Ajo diplomë është blerë’. Kjo vërtetohet më tepër- shkruan gazeta- kur bëhet fjalë për një person që nuk dinte gjuhën shqipe nuk ishte ende diplomuar në Itali, dhe në Shqipëri nuk ka shkelur kurrë. Këtë të fundit djali i Bossit e pranoi vetë.
Ndërkaq gazeta njofton për lexuesin italian se me vendimin e qeverisë shqiptare ‘Kristal’ nuk do të pranojë studentë të rinj për vitin 2012-2013, në të gjitha nivelët e tij. Gjatë këtyre muajve universiteti do t’i nënshtrohet kontrollit çdo 3 muaj nga Ministria e Arsimit, kontroll pas kontrolli për të parë nëse plotëson standartet. Dhe vetëm në rast se kalon testin mund të rikthehet të regjistrojë studentë.
Brenda muajit ministria do të publikojë një dosje të shumë universiteteve ku shfaqen penalizimet dhe hetime po kryhen edhe për diplomat e shtetasve të huaj. ‘Një mënyrë- thotë ministria për të kuptuar sa është shtrirë fenomeni i blerjes së diplomave për 8-12 mijë Euro. Numri i italianëve të regjistuar në universitetet shqiptare është të paktën 50 persona’- shkruhet në artikull.
“Corriere della Sera” i referohet investigimit të gazetës IDEA kur raporton se retë e zymta kanë prekur edhe vetë dikasterin e Ministrisë së Arsimit. ‘Nora Malaj, zv/ministre e Arsimit rezulton të jetë-siç shkruhet në CV e publikuar në faqen zyrtare- drejtoreshë e departamentit të Psikologjisë dhe Sociologjisë, pikërisht në universitetin ‘Kristal’. Por më pas ajo e ka mohuar duke thënë se dokumenti nuk ishte korigjuar’- përfundon shkrimi i gazetës italiane.
Dorina Bilbili/IDEA/