E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bota Mesdhetare, e shkuara dhe e ardhmja e saj

14-04-2011 / Nga Mustapha Tlili (Project Syndicate)

Vendet e Mesdheut po përballen me një turbullim të paparë qysh prej epokës së shkolonizimit dhe pavarësisë. Kryengritjet popullore në Tunizi dhe Egjipt kanë shkulur vendit  regjime autokratike që kishin zënë rrënjë. Udhëheqësi libian Muammar Gadafi mbahet me shpirt ndër dhëmbë, ndërsa udhëheqësve të Algjerisë dhe Marokut po u lëviz toka nën këmbë. A mundet vallë që një hapësirë mesdhetare që ndan vlera të përbashkëta të demokracisë, interesave dhe shpresave, të dalë mbi sipërfaqe nga ky tallaz? Vendet e Mesdheut kanë një popullate prej 475 milion banorësh – 272 milion evropianë përfshirë këtu edhe 20 milion muslimanë, si dhe 200 milion jo-evropianë arabë dhe hebrenj. Tashmë duket e mundshme që “Bashkimi Mesdhetar” (UfM), mekanizmi që presidenti francez Nicolas Sarkozy ngriti për të rritur nivelin e bashkëpunimit ndërmjet këtyre vendeve në vitin 2008, mund t’i qaset sfidës së rimëkëmbjes të së shkuarës së rajonit, si djep i arsyes, tolerancës dhe humanizmit. “Bashkimi Mesdhetar” (UfM) mund të ofrojë një model bashkëjetese në një botë të lënduar nga diktaturat dhe që i druhet fondamentalizmit fetar. Rritja e tensioneve në një Evropë ku është kristalizuar kërcënueshëm “Çështja Myslimane”, e ka bërë mjaft të lehtë për të shlyer nga kujtesa se ka qenë një kohë kur Islami – një civilizim  më tolerant dhe më përfshirës se sa u fanit në Perëndimin e pas-11 shtatorit -  ka qenë  plotësisht pjesë e jetës evropiane.
Tani, popujt mesdhetarë – myslimanë, kristianë dhe hebrenj – ndajnë së bashku realitete të pashmangshme gjeopolitike, demografike dhe ekonomike. Ata duhet të sjellin ndër mend se demonizimi, përjashtimi dhe përçarjet nuk janë mundësitë e vetme – dhe nuk duhet të keni lidhje me fatin e rajonit. Ndërmjet bashkëbiseduesve kryesorë të Nicolas Sarkozisë qysh në zanafillë të ”UfM”-së në vitin 2008, ka qene ish-presidenti tunizian Zine El Abidine Ben Ali dhe ish-presidenti egjiptian Hosni Mubarak. Tani që ata janë larguar nga pushteti, në këtë mënyrë është kufizuar dhe kufizuese qasja e tyre për dialog ndërkombëtar, që mbështetej thuajse krejtësisht në marrëdhëniet shtet më shtet, pa prurje të qenësishme nga shoqëria civile.
Është e trishtueshme të vëresh se edhe udhëheqësit evropianë ndonjëherë marrin qëndrime të ngushta, duke iu përgjigjur kërkesave afatshkurtra të politikës elektorale në vend të garojnë për strategji të matura afatgjata. Edhe Sarkozia ka rëne pre e kësaj prirjeje. Me të vërtetë, ai në muajin shkurt deklaroi se multikulturalizmi “ka dështuar”, duke shtuar se “bashkatdhetarët tanë myslimanë duhet të jenë të aftë ta jetojnë dhe zbatojnë fenë e tyre si gjithkush tjetër...por, ky duhet të jetë një “Islam Francez”  dhe jo një “Islam në Francë”. Sigurisht që Sarkozia nuk e përcaktoi se çfarë  kuptonte ai me “Islam Francez”. Por kjo deklaratë u interpretua gjerësisht si  jehonë e deklaratave të pak ditëve më parë të Jean-Marie Le Pen-it, ish-udhëheqësit të së djathtës ekstreme franceze, FN. Mendjeftohtët mund të hedhin sytë, krejt ndryshe, në Spanjën Myslimane, Andaluzinë, e cila rrezatoi në Evropë nga shek. VIII deri në shek.XV – një periudhë pjellore e një kulture të ndritshme që i shtroi udhën Rilindjes Evropiane, ashtu siç është edhe një model(paradigmë) frymëzues i bashkëjetesës. Integrimi i një bote mesdhetare një një bashkësi tolerante që siguron paqe dhe prosperitet për të gjithë popujt që përfshihen në të, mund të ndodhë së tashmi, pikërisht ngaqë ka ndodhur edhe më parë. Një arritje e tillë do t’i ofrojë botës një alternativë të nevojshme ndaj një modeli gjithnjë e më të diskutueshëm të globalizmit ekonomik.
Ta shohësh Evropën nga larg, është tronditëse të shquash një kontinent që po zmbrapset nga skena botërore dhe që gjendet në konflikt me veten dhe të shkuarën e saj. Megjithatë duhet thënë se kjo panoramë ka edhe ngjyresat e saj. Evropa e sotme ka boll potenciale, mjafton që rajoni mesdhetar të ngërthejë fuqitë dhe pasuritë që gjenden në nisma të tilla si “Bashkimi për Mesdheun” (UfM). Dy veçoritë më të rëndësishme të të dyja revolucioneve tuniziane dhe egjiptiane do të jenë mjaft domethënëse për të çmuar rastin e rinovimit të ‘Bashkimit Mesdhetar’. Së pari, përdorimi i gjerë dhe i dobishëm i mediave sociale në të dyja vendet, nxori në pah dijet e vlefshme në lëmin e teknologjisë dhe krijueshmërisë në radhët e të rinjve. Çka është më e rëndësishmja, u vu re një shkallë e lartë dhe e pazakontë e vetëdijes dhe veprimtarisë së këtij brezi. Vërtet, prova e suksesit të çdo lloj strukture të një ‘Mesdheu të Ri’ do të jetë në atë masë që ajo i qaset kërkesave dhe pritshmërive të këtyre të rinjve, të një brezi të vetëdijshëm politikisht anendanë rajonit. Për të njëjtat arsye, një Bashkim i ri Mesdhetar mund të jetë skeleti i një gjallërimi moral, të formësuar nga të njëjta vlera universale që mobilizuan të rinjtë tunizianë, egjiptianë e më tej – për liri, përgjegjësi e përgjegjshmëri, transparencë, tolerancë, solidaritet me të ngratët dhe të shtypurit, drejtësi, barazi gjinore dhe të drejta të tjera themelore njerëzore e demokratike. Në dritën e këtij modeli, sa gjatë vallë do ta mbajë të kapluar Evropën makthi i fondamentalizmit islamik’? Edhe për sa kohë e ashtuquajtura “çështje myslimane” do të përdoret për të mposhtur kundërshtarin politik? Shumë votues të rinj evropianë, që ndoshta mund të kenë dijeni më të plota, mundet edhe të mos i shkojnë pas avazit taktikave të tilla oportuniste.
Si përfundim, gjithkush mbetet me shpresë se koncepti i përkatësisë së të njëjtës familjeje mesdhetare mund t’u japë zgjidhje edhe shumë konflikteve të së shkuarës – për shembull, t’u ofrojë palestinezëve dhe izraelitëve të njëjtin melhem që ua ka ënda, por që ‘rendi i vjetër arab’ që po jep shpirt, dështoi të korrte sukses. Filozofët e mëdhenj të Iluminizmit nuk do të ngurojnë të përkrahin shkallën e lartë morale të vetëdijes që u shpreh përmes internet-mesazheve që përmbytën hapësirat kibernetike gjatë revolucionit tunizian. Një moral sekularizmi në më të mirin e tij gjendej krejt i pranishëm si në rrugët e ndotura të “Sidi Bouzid”-it, ashtu edhe në pastërtinë mbresëlënëse të Sheshit “Habib Bourguiba”, në Tunizi. Ringjallja e kuptimësisë se i përkasim së njëjtës familje njerëzore dhe të njëjtit moral universal, kumboi thekshëm në Evropën Mesdhetare, e cila zbuloi - në kushtrimin dhe frymëzimin e shpërfaqur në bregun matanë - jehonën e kërkesave dhe pritshmërive  të papërmbushura të saj.

Autori është Drejtor i “Center of Dialoges” dhe Anëtar i Komisionit Këshillimor të “Human Rights Watch” për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›