“S’ka arsye për tensionim politik, opozita vuan mungesën e projekteve dhe alternativave”
Kreu i qeverisë takon delegacionin e vëzhguesve zgjedhorë të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim me delegacionin e vëzhguesve zgjedhorë të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës. Berisha i shprehu mirëseardhjen delegacionit të Kongresit dhe i garantoi mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare në përmbushjen me sukses të misionit të tyre të rëndësishëm. Kryeministri, duke e konsideruar shumë të rëndësishëm rolin e angazhimin e vëzhguesve ndërkombëtarë në zgjedhje, shprehu kënaqësinë që ftesës së qeverisë shqiptare i janë përgjigjur një numër i madh vëzhguesish si kontribut për rritjen e transparencës në zgjedhje. Kryeministri Berisha i siguroi bashkëbiseduesit për angazhimin total të qeverisë për zhvillimin e zgjedhjeve vendore të lira, transparente dhe në përputhje me standardet më të larta të OSBE-së. Ai tha se procesi zgjedhor në Shqipëri bazohet mbi një Kod Elektoral konsensual, në një sistem unik e transparent të numërimit të votave, një sistem ky, i cili u dëshmua funksional në zgjedhjet e vitit 2009 të cilat u certifikuan nga raporti i OSBE/ODIHR-it. Kryeministri theksoi gjithashtu se këto zgjedhje zhvillohen me lista të votuesve plotësisht të dixhitalizuara e transparente dhe të një saktësie shumë të lartë, të hartuara nga vetë pushteti vendor dhe ku çdo ndërhyrje për përmirësimin e tyre është bërë konform ligjit.
Kryeministri e njohu delegacionin me kornizën e re për financimin e partive politike të hartuar në përputhje të plotë me rekomandimet e GRECO-s dje të certifikuar me sukses prej saj në fillim të këtij muaji. Në këtë kontekst, vëzhguesit ndërkombëtarë u njohën edhe me urdhrin e nxjerrë nga Kryeministri për ndalimin e përdorimit të çdo aseti publik në fushatë elektorale, përfshirë automjetet e kabinetit qeveritar, si një hap tjetër domethënës të ndërmarrë për herë të parë nga qeveria për një proces zgjedhor në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Kryeministri theksoi se nuk ekzistojnë arsye për tensionimin e fushatës dhe shprehu bindjen për një fushatë të qetë, duke nënvizuar se ndryshe nga fushata me retorikë politike e Partisë Socialiste dhe liderit të saj Rama, Partia Demokratike po zhvillon një fushatë pozitive të fokusuar tek interesat e qytetarit dhe komunitetit. Në takim u diskutua edhe për mbulimin mediatik të fushatës, masat që KQZ-ja po merr për parandalimin e votimit familjar, si dhe çështje të tjera të procesit zgjedhor.
Hana Richtermocova e falënderoi Kryeministrin për pritjen e ngrohtë dhe mbështetjen. Richtermocova tha se misioni i tyre kishte për qëllim njohjen hap pas hapi me situatën parazgjedhore dhe përgatitjet për procesin zgjedhor si dhe vëzhgimin e zhvillimit të zgjedhjeve. Për këtë qëllim, delegacioni i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale i Këshillit të Evropës po zhvillon takime me partitë politike dhe institucionet e angazhuara në këtë proces. Ajo shprehu gatishmërinë e Këshillit të Europës për të kontribuar sa më shumë për transparencën e zgjedhjeve dhe forcimin demokracisë në Shqipëri.